Në emër të LDK-së të flasin sidomos ata që kanë marrë vota

Mentaliteti përjashtues i krerëve të saj e ka çuar LDK-në buzë greminës politike. Nëse kjo logjikë vazhdon, atëherë padronët e vetëshpallur të LDK-së le të anëtarësohen më mirë në PDK - dhe mos ta mashtrojnë votuesin. Driton Selmanaj është deklaruar se nuk do ta tradhtojë votuesin, andaj nuk është rastësi që ka marrë mbi 20 mijë vota.

Ilustrimi: Shutterstock



Kush duhet të flasë tani në emër të LDK-së? Skender Hyseni, i cili, sipas të gjitha gjasave, nuk ka arritur të fitojë sa duhet vota për të hyrë në parlament? Sabri Hamiti, i cili me gjasë po ashtu do të mbetet jashtë Kuvendit? A duhet të flasë në emër të LDK-së Teuta Rugova? (Nëse ndonjëherë mësohet të flasë dhe e gjen rrugën deri te foltorja pa ciceron parlamentar). A duhet të flasin për LDK-në figura tejet periferike të LDK-së si zëdhënësi i Isa Mustafës në qeveri, për ekzistencën e të cilit opinioni i gjerë po mëson tek tani? A duhet të flasin për LDK-në ata që e kanë çuar LDK-në buzë greminës politike apo ata që duan ta reformojnë këtë parti dhe ta bëjnë forcë politike, e cila ndryshon pozitivisht Kosovën me ata partnerë politikë që synojnë një gjë të tillë?

Ditëve të fundit është çuar shumë pluhur nga kryetari i LDK-së Isa Mustafa dhe tellallët e tij pasi deputeti i ri i LDK-së, Driton Selmanaj, tha se nëse LDK hyn në koalicion me PDK-n, atëherë do të braktiste Lidhjen Demokratike. Çfarë ka të keqe në këtë deklaratë? Çfarë ka befasuese? Asgjë. Në të gjitha qëndrimet publike të Selmanajt një gjë ka qenë përherë e qartë: kundërshtimi këmbëngulës i bashkëpunimit të LDK-së me PDK-në e tillë siç është sot – një parti që partnerit të koalicionit i mbështillet rreth qafe si gjarpri dhe synon t’ia zë frymën.

Bashkëpunimi i PDK-së me LDK-në mund të quhet zanzibarizim i politikës kosovare: kurthe e kërcënime (më të popullarizuarat kanë qenë sharjet me nënë, të cilat liderët e LDK-së i kanë duruar stoikisht dhe poshtërsisht), sabotazhe, lojëra pas shpine, së fundi mocioni i mosbesimit kundër kabinetit të Isa Mustafës pas akuzave disajavore nga Kadri Veseli se Mustafa nuk është lider, se si frikacak nuk mund të marrë vendime, se nuk ka talent udhëheqësi, se në këto rrethana Kosovës nuk i duhen prijës të ngathët, por të vendosur.

Driton Selmanaj ka thënë se me një «partner» të tillë si PDK e Veselit nuk duhet bërë koalicion. Ky është edhe mendimi i elektoratit burimor të LDK-së, i cili është neveritur me shumë krerë të LDK-së, të cilët ditën kanë thënë se SHIK-u e ka vrarë Xhemail Mustafën, Smajl Hajdarajn dhe Enver Malokun, ka plagosur Sabri Hamitin dhe plot aktivistë të tjerë të LDK-së, ndërsa natën kanë lidhur koalicion me ata që i shohin si vrasës. Kjo hipokrizi, ky shfrytëzim kufomash për interesa politike duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

A duhet të flasin në emër të LDK-së ata që e hodhën në pozitën e tretë? Natyrisht mund të flasin edhe ata, por jo me ton arrogant profesoral, duke pretenduar se i dinë të gjitha. Edhe nëse i dinë (gjë që është për të dyshuar), në fund duhet të kenë pak respekt për votën e elektoratit. Dhe elektorati i LDK-së në këto zgjedhje ka dhënë disa përgjigjigje interesante: vota kanë marrë ata që gëzojnë kredibilitet publik – Vjosa Osmani (rreth 60 mijë vota), Lumir Abdixhiku (rreth 30 mijë vota), Driton Selmanaj (mbi 20 mijë vota).

Mesazhi tjetër i elektoratit ka qenë ky: janë ndëshkuar ata që ia dhanë votën Hashim Thaçit për t’u bërë president, janë ndëshkuar ata që ia dhanë votën për t’u bërë kryetar i Kuvendit Kadri Veseli, janë ndëshkuar ata që këtë legjislaturë e kanë shfrytëzuar për të pushuar në karrigen e Kuvendit dhe për të marrë rrogën e majme.

Çfarë llogarish dhe llogari të kujt po prish Driton Selmanaj, kur po thotë se është kundër qeverisjes me PDK-në? Secili votues i ndershëm i LDK-së më shumë i beson sot Driton Selmanajt, Vjosa Osmanit, Lumir Abdixhikut, Dardan Velijajt, Anton Qunit se sa fosilëve që krejt karrierën politike e kanë ndërtuar jo duke afruar njerëz, por duke i përzënë ata ose duke i mbajtur larg, ose duke i trajtuar si dekor. Nëse ndonjëri nga nënkryetarët e LDK-së sot thotë nuk ka koalicion me PDK-në, njerëzit këtë e marrin me shumë rezervë. Nëse këtë e thotë një deputet si Driton Selmanaj apo Vjosa Osmani, atëherë qytetarët janë të prirur t’u besojnë. Në qoftë se krerët e LDK-së kanë problem me këtë fakt, në qoftë se ata të rinjtë duan t’i shfrytëzojnë vetëm si sjellës të votave, por pa pasur të drejtë të flasin, atëherë padronët e vetëshpallur të LDK-së le të anëtarësohen më mirë në PDK – dhe mos ta mashtrojnë votuesin.

Në shumë nekrologji me rastin e vdekjes së Helmut Kohlit këto ditë në mediat gjermane u përmendën para së gjithash dy cilësi të tij si politikan: afërsia me njerëz dhe aftësia për të peshkuar kuadro. Kohli nuk ishte intelektual i përmasave mbirajonale, por ai kishte një shqisë të ndjeshme politike dhe kësisoj ai i solli në politikë Richard von Weizsäckerin (njërin prej presidentëve më të mirë të Gjermanisë), Roman Herzogun (po ashtu president dhe jurist brilant), Angela Merkelin, fizikanen e lindur në Gjermaninë Lindore, të cilën mediat ende e quajnë «çupëza e Kohlit». Liderët e vërtetë kujdesen që pasardhësit politikë të jenë më të mirë se ç’ishin ata vetë. Nga kjo shkollë LDK duket se nuk po mëson asgjë, ndonëse po i bën gati 30 vjet në skenën politike të Kosovës. Ka ardhur koha që krerët e LDK-së të kuptojnë se logjika përjashtuese, toni agresiv dhe poshtërues ndaj çdokujt që nuk merr leje nga Isa Mustafa për të folur, LDK-në e shndërron në parti totalitare. Porosia e votuesve të LDK-së në zgjedhjet e 11 qershorit ishte krejt ndryshe: ishte thirrje për reforma dhe për një gjeneratë të re udhëheqëse. Kjo gjeneratë nuk pranon rolin e shërbyesit të PDK-së.