«Ne e rrejmë BE-në se i marrim seriozisht reformat, ata na rrejnë se e kanë seriozisht anëtarësimin»

Është koha e fundit që BE të largohet nga mbështetja e «stabilokracive» në Ballkan dhe të mbajë qëndrim të qartë kundër liderëve politikë nacionalistë dhe kleptokratikë. Një analizë e «The European Council on Foreign Relations».

Ilustrimi: Shutterstock



Ballkanasit nuk janë më entuziastë si dikur. Dhuna e përmasave masive që e bëri rajonin shqetësim qendror në politikën europiane në vitet nëntëdhjetë, nuk është më element i politikës së Ballkanit.

Dhe afërmendsh se ky ishte përparim. Por mungesa e dhunës nuk do të thotë mungesë e problemeve. Brishtësia e vazhdueshme ekonomike, frustrimi publik në ngritje kundër liderëve dhe tensionet e ringjallura etnike kanë krijuar një përzierje të pakënaqësisë që mund të shpërthejë për ta prishur qetësinë. Me vëmendjen e Europës të përqendruar në çështje më të ndjeshme, faktorët e jashtëm – kryesisht për shkak të Rusisë, por edhe të Kinës dhe Turqisë – kanë nisur të tregojnë muskujt. Nëse Bashkimi Europian dëshiron të ruajë stabilitetin dhe ndikimin në oborrin e saj me telashe, duhet ta kthejë edhe njëherë vëmendjen nga Ballkani.

Anëtarësimi në BE duhet të mbetet pjesë e rëndësishme e angazhimit europian. Por duke marrë parasysh problemet akute në rajon dhe zvarritjen e procesit të zgjerimit, BE-ja duhet të menjëherë hapa urgjentë që mund të bëjnë ndryshimin në politikat lokale dhe të ndryshojnë dinamikat negative në rajon. Kjo duhet të përfshijë edhe ngritjen e investimeve në ekonomitë e Ballkanit, me përmirësimin e ndihmës teknike europiane për qeveritë ballkanase, dhe më e rëndësishmja, të shtrëngohen krerët e Ballkanit që t’i zbatojnë standardet politike.

E keqja e Ballkanit

Paqja ka sjellë rritje të moderuar ekonomike dhe reduktim të varfërisë në Ballkanin Perëndimor. Por korrupsioni dhe papunësia, sidomos shkalla e lartë e papunësisë në radhët e të rinjve, që varion prej 39 për qind në Mal të Zi deri në 54 për qind në Bosnjë-Hercegovinë, mbetet një plagë e madhe. Nuk është rastësi që është e lartë edhe shkalla e pakënaqësisë me politikën dhe politikat publike – 71 për qind e qytetarëve në rajon nuk besojnë në efikasitetin qeverisës, madje vetëm pjesërisht i besojnë edhe drejtësisë. Krejt këto reflektojnë me pritje të ulëta për të ardhmen e tyre në rajon. 43 për qind e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor mendojnë si të emigrojnë jashtë vendit.

Përtej sfidave të ngjashme ekonomike, të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë edhe tensione të ngjashme të ringjallura etnike, megjithëse secili shtet ka specifikat e veta në këtë aspekt.

Shqipëria përballet me ndasi të thella politike në të cilat politika dhe lidhjet klanore rezultojnë me rrjet hakmarrjesh dhe korrupsioni. Trafikimi i drogës dhe shpëlarja e parave e ka vërshuar këtë ambient. Në vend se t’u kundërvihet këtyre dështimeve të qeverisjes, Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, e ka përkeqësuar edhe më shumë gjendjen me ngritjen e spektrit të Shqipërisë së Madhe, duke ushqyer frikën e secesionizmit shqiptar në Maqedoninë fqinje.

Bosnjë-Hercegovina ende vuan nga sherri i stagnimit ekonomik dhe qorrsokakut politik 22 vite pas përfundimit të luftës civile. Ndasitë në Bosnjë-Hercegovinë ndërmjet tri grupeve të ndryshme etnike vetëm sa janë rritur në dekadën e fundit. Pak prej institucioneve shtetërore funksionojnë qysh duhet (sipas një modeli multietnik).

Banka Qendrore, ta zëmë, ka tre krerë konkurrues dhe ushtria me shumë gjasë do të ndahej në vija etnike në rast të një krize. BE-a kishte vënë bastin se ndërtimi i institucioneve do të krijonte një shtet multietnik, por situata po vazhdon të mbetet pezull për shkak të politikave etnike. Besnikëritë etnike janë fuqizuar larg më shumë se ndërtimi i institucioneve me ndihmën e jashtme.

Kosova po përballet me telashe për instalimin e qeverisjes së mirë, njëherësh përballet me tensionet e ringjallura me Serbinë. Kryeministri dhe heroi i luftës i Kosovës, Ramush Haradinaj, i gjykuar dy herë në Tribunalin për krime të luftës në Hagë, madje u kërcënua se do të ngrinte pretendimin për një të tretën e territorit të Serbisë. Prishtina ia ka dalë të rindezë tensionet me Malin e Zi për shkak të demarkacionit të kufirit.

Në Maqedoni, kriza e brendshme politike ka shkaktuar tensione ndëretnike, madje edhe dhunë. Nuk pritet rindezja e menjëhershme e përplasjeve, por një krizë më e madhe nuk do të kalonte me kaq. Liderët, si puna e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, vazhdojnë të luajnë me «kartën etnike» për hesape politike, që rrezikon të rindezë dhunën.

Mali i Zi ia ka dalë të anëtarësohet në NATO dhe t’i shmanget përpjekjes së dukshme ruse për grusht shtet. Por ende është në fazën fillestare të procesit reformues për anëtarësim në BE dhe duhet të stabilizojë politikat e veta të financave publike.

Në fund, edhe zyrtarët nga Serbia mezi presin të provokojnë tensione rajonale. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi së fundi se Serbia kurrë nuk është dashur ta njihte Maqedoninë me emrin aktual. Deklaratat e tjera serbe u japin zjarr deklaratave e akuzave në politikën e brendshme maqedonase, duke portretizuar liderin maqedonas Zoran Zaev dhe koalicionin e tij si një hap më afër shkatërrimit të Maqedonisë dhe krijimit të Shqipërisë së madhe.

Tërheqja në «stabilitetokraci»

E keqja ballkanase kishte efekt të dridhjes kur erdhi puna te legjitimiteti i BE-së. Vetëm 39 për qind e opinionit në rajon vazhdon ta shohë anëtarësimin në BE si punë të mbarë për ekonomitë e tyre. Për më keq, krerët e Ballkanit tani e shohin tërë procesin e anëtarësimit me cinizëm. Dhe ja si e ka përshkruar një politikan lokal: «Ne e rrejmë (BE-në) se i marrim seriozisht reformat, ata na rrejnë se e kanë seriozisht anëtarësimin».

Dhe mund ta merrni me mend cinizmin e tyre. Opinioni europian duket se kundërshton pranimin e anëtarëve të rinj në BE dhe është i gatshëm t’ua thotë troç këtë mendim qeverive europiane. Mund të mjaftojë një kundërshtim i hapur i një grupi politik europian, dhe mjafton që të tërhiqen të gjitha qeveritë.

Në mungesë të një procesi efikas anëtarësimi, kërkimi i stabilitetit në periferinë e Europës ka motivuar krerët e BE-së që t’i mbyllin sytë para shkeljeve dhe prirjeve autoritare të qeverisjes në rajon. Siç kemi shkruar edhe në një shkrim të shkurtë të European Council on Foreign Relations më 2016, «këta <të paprekshëm> bëjnë pazar me drejtësinë e pavarur dhe rivlerësimin e drejtësisë, duke folur me retorikë të fuqishme nacionaliste dhe populliste, njëherësh duke iu fryrë flakëve të polarizimit të këtyre shoqërive».

Raportet dhe renditja e shkallës së demokracisë për shtetet në transicion të kryera nga «Freedom House» më 2016 i nxirrnin pothuajse të gjitha shtetet në rajon si vende me rënie në pikët e tyre për gjendjen e demokracisë. Rënia më e madhe u shënua në Maqedoni, që ishte e zhytur në krizë demokratike dhe politike në pjesën më të madhe të vitit të kaluar. Gjendja e përkeqësuar ishte edhe në Serbi, sidomos për shkak të parregullsive të regjistruara gjatë zgjedhjeve të vjetme parlamentare dhe rënies së përgjithshme të qeverisjes demokratike.

Kjo «stabilitetokraci», siç po njihet në rajon, përshkallëzon problemet ekzistuese të Ballkanit Perëndimor. I jep krahë korrupsionit, nxit largimin e rinisë dhe e largon rajonin nga BE-ja.

Është koha që BE-ja të lëvizë përtej stabilitetokracisë. Kapërcimi i sfidave ekonomike është rrugë e qartë për rezultate konkrete. Integrimet në infrastrukturë, transport, energji dhe teknologji digjitale janë krejt në agjendën e Procesit ekzistues të Berlinit, që kishte për qëllim ringjalljen e procesit të anëtarësimit. Në fakt, ka përkrahje të fuqishme në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor për më shumë bashkëpunim rajonal. Kjo nismë e prirë nga gjermanët duhet të shpjerë drejt krijimit të një fondi infrastrukture, ama asi që do të jetë orvatje e përnjëmendtë ku shteteve anëtare u kërkohet t’i dyfishojnë fondet.

Por sfida e vërtetë do të jetë e karakterit politik. BE-ja nuk duhet të lejojë krerë si Gruevski të mbesin në pushtet kaq gjatë në cilindo shtet kandidat. Me kalimin e kohës, ata nuk e bëjnë hesap kontrollin e pushteteve dhe i shkelin parimet elementare të qeverisjes demokratike.

Kjo nënkupton se BE-ja duhet të jetë më e përfshirë politikisht, por institucionet e BE-së nuk e kanë këtë traditë të linjës së ashpër. U desh ndërhyrja amerikane për zgjidhjen e krizës së fundit në Maqedoni, megjithëse shumë zyrtarë të lartë europianë kishin vizituar Shkupin para delegacionit amerikan. Prandaj, shtetet anëtare të BE-së duhet ta marrin timonin në duar të veta.

Shtetet si Holanda, që kanë një traditë të pasur të sundimit të rendit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, duhet të kenë qëndrim më të vendosur. Madje edhe pas Brexitit, Mbretëria e Bashkuar mund të përfshihet në diskutimet e lidhura me sigurinë. Liria e shtypit dhe legjislacioni i OJQ-ve janë fusha të tjera të ndjeshme, ku shtete të caktuara (si Franca ose Spanja) mund të kenë rol vendimtar. Investimi në konsultime teknike me qeveritë si të ristrukturohen sektorët kyç publikë si shëndetësia dhe arsimi, gjithashtu do të sillnin rezultate të mëdha.

BE-ja nuk mund të supozojë se angazhimi i zakonshëm do të sjellë stabilitet në Ballkan. Kësaj here kërkohet mishërimi i mjeteve të anëtarësimit me ambiciet ekonomike dhe qartësinë politike.

Ndalohet ribotimi nga mediat të tjera.