Në dorë të çengive

Viti 2016 shënon 80-vjetorin e lindjes së Mahmut Bakallit, Adem Demaçit, Ismail Kadaresë, Bekim Fehmiut, Rexhep Qosjes, Gazmend Zajmit, Fahredin Gungës, ndoshta edhe ndonjë tjetri që nuk e dimë. Të gjitha këto figura të shquara që me veprën e tyre të jetuar dhe të shkruar, nganjëherë hidhërueshëm kontraverse, i kanë shërbyer përparimit të kulturës shqiptare dhe njohjes së saj, si dhe avancimit të pozitës politike të shqiptarëve. Të gjithë këta janë të lindur në vitin 1936.

Opinionit të gjerë shqiptar ky vit mbase ia kujton filmin «Koncert në vitin 1936», një krijim sipas motiveve të një proze të Dhimitër Shuteriqit, me regji të Saimir Kumbaros dhe interpretimin e mrekullueshëm të disa prej aktorëve të mirë shqiptarë. Një kanal i paketës satelitore Digjitalb e shfaq atë vazhdimisht, së paku një herë në javë, por nuk të bëhet kurrë i mërzitshëm. Pavarësisht se është një histori e moçme dhe një realizim në kuptimin e doktrinës së realizmit socialist, filmi ngërthen edhe vlera të pakontestueshme artistike. Mjerisht, ka edhe një raport me kohën e sotme.

Një ndër temat qendrore të filmit, sado i stolisur edhe me motive të tjera patriotike dhe ideologjike, është përpjekja për afirmimin e vlerave të mirëfillta artistike muzikore. Ai paraqet kalvarin e dy artisteve të bukura e të kultivuara, të ardhura nga auditorët e Perëndimit, për ta shfaqur një koncert me këngë të mirëfillta popullore shqiptare në një ambient ku tonin e japin mushkonjat, burokracia, dhuna, meskiniteti. Dhe, shija e formuar nga çengitë. Yjet e dyzeneve popullore.

Këngët e tipit «Jarëm, jarëm… gusha me flori, qyqja më shkoi burri lalo n’Itali» u zënë pritë këngëve të mirëfillta, si «Kur më vjen burri nga stani…», «Zare dil te shpia…» etj. Ky film kaq i lezetshëm të trishton duke të përkujtuar që së paku prej 80 vjetësh po konfrontohemi me të njëjtat probleme. Ato dyzene nuk i dallon nga dasmat, por edhe top-listat e shumicës së kanaleve të radiove e të televizioneve të sotme shqiptare. Ndonëse njohës të muzikës këto këngë i shohin si një shfaqje të periudhës së anarkisë së tranzicionit, të cilat fillimisht kualifikoheshin si shund e kiç, kurse tani së fundmi si tallava.

Sipas njohësve të muzikës, ky repertor do të shuhej vetvetiu me kalimin e kohës. Ndërkohë janë rreth pesë kanale, disa prej tyre të platformës Digjitalb, të cilat gjithë ditën e lume, 24 orë, transmetojnë dyzene çengish. Ndonjëri madje mban edhe simbole dhe cilësime «shqiptare»! Në anën tjetër, një keqardhje të pafund të ndjellë përkushtimi i disa interpretëve të njohur dhe të nderuar të muzikës së mirëfilltë shqiptare për tingujt hedonistë e sentimentalë. Zbulimi i ri po e mohon krijimtarinë e tyre të parë. Ata po e ngrysin karrierën e tyre si çengi.

Në sektorin privat nuk ndërhyn. Ai e ka fituar njëfarë shenjtërie. Mjafton që ta lajë tatimin. Tani nuk po shkrehemi në sharje ndaj këtyre platformave, edhe pse nuk mund të ketë ndonjë subjekt ekonomik a juridik që funksionon pa asnjë kriter; në këtë rast estetik a etik dhe pa asnjë përgjegjshmëri, qoftë morale para publikut. Megjithatë, ato mund ta dinë që po i bëjnë një shërbim jashtëzakonisht të keq shoqërisë. Pa platformën që ofrojnë këto mediume, çengitë do të dridheshin e përdridheshin vetëm përpara pasqyrës së tyre dhe nuk do të mund të kapardiseshin si të ishin ajka e shoqërisë.

Nga ky mëkat nuk mund të amnistohen transmetuesit publikë, të cilët quhen të tillë, sepse financohen nga taksat e qytetarëve dhe kontrollohen nga institucionet e zgjedhura me votën e tyre. Por, turiri i çengive ku s’është futur. Revistat e tyre në të shumtën e rasteve janë emisionet muzikore. Zemërimi për ndalimin e kanalit të televizionit të Maqedonisë në gjuhën shqipe në Diasporë të kalon kur kujton se sa çengitë parakalonin në emisionet e tij. Drejtori i këtij resori, i cili i furnizon me tekste shumë këngëtarë në Kosovë dhe në Maqedoni, në një edicion ankohej se gjuha shqipe nuk ishte e aftë për krijime më të mira!

Sivjet është 170-vjetori i lindjes së Naim Frashërit, «bilbilit të gjuhës shqipe», i cili ligjëroi aq bukur në shqip për Perëndinë, për Shqipërinë dhe për Dashurinë. Këtë mot është edhe 130-vjetori i lindjes së Andon Zako Çajupit, i cili në gjuhën shqipe e ka shkruar elegjinë më të bukur të letërsisë sonë që ta këputë shpirtin. Për një zvicerane! Është edhe 85-vjetori i Dritëro Agollit, i cili «për gruan dhe tokën e lë kokën». Por, çengitë janë më të pranishme në platformat publike shqiptare sesa Naimi, Çajupi, Lasgushi, Agolli, Demaçi, Kadareja, Qosja, Fehmiu, Zajmi dhe të tjerë. Dhe, çengitë nuk janë vetëm gra. Ato nuk i gjen vetëm në muzikën popullore dhe nuk janë vetëm këngëtarë e këngëtare. Mjerisht: sikur shundi e kiçi, a tallavaja, ato mund të kenë edhe të zanate të tjera.