Ne dhe Demokracia

Unë personalisht kisha pas kureshtjen të shkoj dhe ta vizitoj bufenë e Parlamentit, ku kohën më të madhe e çojnë të zgjedhurit tanë, të cilët në këtë mënyrë ndërtojnë edhe shembullin më të keq të parlamentarizmit, duke bërë që Parlamenti në të shumtën e herëve të mos ketë kuorum për të votuar edhe ligjet kaq të nevojshme për shtetin e ri të Kosovës.



Në ditën botërore të Demokracisë, i pari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shpërndarë fletushka për t’i njoftuar qytetarët e Republikës se nesër shtëpia e Demokracisë në Kosovës do të jetë e hapur për të gjithë. Aty do t’i pres vetë kryeparlamentari të gjithë ata që kanë kureshtjen të shohin se ku ulen dhe ku «kuvendojnë» të zgjedhurit e popullit.

Unë personalisht kisha pas kureshtjen të shkoj dhe ta vizitoj bufenë e Parlamentit, ku kohën më të madhe e çojnë të zgjedhurit tanë, të cilët në këtë mënyrë ndërtojnë edhe shembullin më të keq të parlamentarizmit, duke bërë që Parlamenti në të shumtën e herëve të mos ketë kuorum për të votuar edhe ligjet kaq të nevojshme për shtetin e ri të Kosovës.

Po sipas traditës këtë ditë në parlament do të jenë fëmijët, përkatësisht filloristët, madje kryesisht ata që trajnohen për ambasadorë të ardhshëm(!) Ato do t’i pres Kadri Veseli dhe do t’ju flas për parlamentarizmin, përkatësisht Demokracinë! Megjithatë dhe përkundër të gjithave, ky është një rast i mirë që të gjithë t’ia shtrojmë pyetjen vetes se ku jemi ne dhe Demokracia.

Para se të japim një shpjegim shkollor për Demokracinë, mirë është të dihet se ajo nuk mund të instalohet në kuptimin e njëmendët të saj në një vend ku nuk ka sovranitet të plotë, ku nuk ka një valutë të vetme dhe ku nuk aplikohen standarde të njëjta për të gjithë qytetarët. Që të tria këto mungojnë në Republikën tonë, madje për më keq mungon edhe kultura demokratike e qytetarëve, gjë që bën një kusht të domosdoshëm për instalim të demokracisë.

Në Demokraci është menduar edhe ndarja e pushteteve, përkatësisht pavarësia e tyre, në mënyrë që pushteti i një vendi të mos futet në grushtin e një individi apo grupi. Formalisht pushtetet vërtet janë të ndara tek ne, por praktikisht ato janë në duart e një grupi të njerëzve dhe kontrollohen deri në nivelet më të ulëta nga ta. Dhe në fakt si mund të funksionojë demokracia në një vend, ku nuk ka barabarësi në drejtësi? Barabarësia në drejtësi jo vetëm që nënkupton Demokracinë, por ajo nënkupton edhe Lirinë. Sistemi i drejtësisë në tek ne funksionon vetëm në kurriz të njerëzve të pafuqishëm, sepse ata që janë të fuqishëm vazhdojnë të ecin mbi ligjin pa i penguar kush.

Në anën tjetër, shoqëria civile do të duhej të ishte mbështetëse e madhe e Demokracisë, gjë që në këtë vend nuk është, përkundrazi, sa më shumë po zvogëlohen donacionet nga jashtë, ajo aq më shumë po bëhet mbështetëse e grupeve të strukturuara nëpër parti, me projeksionin e vetëm për t’u bërë pjesë e pushtetit, i cili në Republikën tonë nuk konceptohet si përgjegjësi, por vetëm si privilegj. Prandaj kjo ka bërë që shoqëria civile në Kosovë të identifikohet me shoqërinë servile.

Sigurisht që Demokracia, e cila për herë të parë u ushtrua në Greqinë Antike, në esencë ishte mbështetur në debat dhe votë. Ne në Kosovë votën e kemi, por nuk e kemi debatin. Në fakt kemi një votë të papërgjegjshme, sepse ende jemi në nivelin e votimit familjar. Logjika e bartur fisnore ka bërë që edhe organizimi i përgjithshëm politik t’i bartë këto pasoja. Ne vazhdojmë të kemi parti lideriste, ku i pari i partisë sillet si i pari i fisit. Vazhdojmë të jemi një shoqëri e mbyllur, brenda së cilës individi identifikohet me të drejtën e vet ekskluzive.

Në fakt, partitë tona janë të organizuara në principet e bandave politike, të cilat të vetmin qëllim kanë marrjen e pushtetit për të zhvatur të mirat që ofron ai. Në zhvatje e sipër edhe kanë rrënuar çdo gjë e cila do të mund të identifikohej me shpresën për një të ardhme më të mirë në këtë vend. Kështu, partitë politike, pa demokraci të brendshme, edhe janë shndërruar në ndërmarrjet më profitabile në vend. Madje edhe për punësim në ndërmarrje tjera libreza e partisë vlen më shumë se çfarëdo diplome fakulteti, e cila mund të jetë si dëshmi e një cilësie. Karshi librezave të partisë, kjo klasë e papërgjegjshme politike, ka shpikur edhe mënyrën e trafikimit me dijen, duke hapur kështu universitete publike dhe private në çdo cep të vendit.

Sigurisht që nesër fëmijët do të shohin shumë xhipa të zi para Parlamentit dhe do t’i lakmojnë ata. Do të shohin sigurisht edhe shumë tipa me krevate dhe të parfumosur fort, për t’ua pasur lakmi edhe atyre, por për demokracinë nuk do të mësojnë gjë, përkundrazi.