Në detin e shqiponjave




«Mirë që këta të huajt që po vijnë gjithnjë e më shumë për pushime, nuk po i lexojnë këto gazetat tona se do të kishin ikur me natë kur të kishin mësuar për këto kronika të zeza», më thotë pronari i pallatit ku banoj, i bindur se këtë shqetësim duhej ta kisha dhe unë.

 

Nga Bardh FRANGU

– Grue, a e di kodin e telefonit tem? Merre bama nji fotografi!, e urdhëron me zë të lartë burri të shoqen, ndërsa vetë është shtrirë në një dyshek uji mbi valët e qeta, i ekzaltuar i tëri. Gruaja e merr telefonin, del nga çadra dhe drejtohet nga i shoqi. Ia bën disa fotografi nga pozita të ndryshme dhe provon të kthehet nën çadër, për t’i ikur diellit përcëllues.

– Ku po shkon idiote, a po të dhimet telefoni, a? Hajde bami edhe do, kështu në krah!

Gruaja nuk guxon ta kundërshtojë. Ashtu pa fjalë kthehet dhe pret derisa i shoqi me vështirësi vendoset në pozitën me kokën e mbështetur në pëllëmbë dore, ndërsa nuk mund ta gjejë ekuilibrin në dyshekun me frymë që i ikën nga trupi.

– E kur t’i qes këto në Facebook, do të plasin ata t’mitë nga inati. Prit mos shko, se edhe me ty do t’i baj disa. Del tipi nga deti dhe provon të bëjë selfie. Gruaja, si një pulë e lagur, qëndron pranë burrit të saj të ekzaltuar, ndërsa në fytyrën e saj vërehet një hije e lehtë turpi mes asaj mase gjysmë të lakuriqur. Të duket se çmimi i pushimeve është pak i rëndësishëm karshi një pamjeje të cilën mund ta hedhësh në Facebook dhe t’u tregosh njerëzve se edhe t’i je lagur dhe je nxirë e je bërë pis!

Tek vështroj tipin nga Kosova, ashtu të ekzaltuar nën brekë sportive, të gjata deri në gjunjë, dhe me syzet e diellit që i mban mbi ballë, nuk ke si të mos reflektosh për realitetin sa futurist po aq edhe primitiv në detin e shqiponjave. Ka kohë që bregdeti i veriut të Shqipërisë, përkatësisht Shëngjini dhe Velipoja verës janë të kosovarëve. Për tre muaj verë mund të thuhet se natyrshëm ndodh bashkimi kombëtar, përkatësisht natyrshëm rritet Veriu i Shqipërisë. Kështu natyrshëm shtohet edhe numri i shqiponjave, të cilat i sheh të shumëzuara nëpër tatuazhe, nëpër peshqirë, nëpër brekë, nëpër bluza, nëpër kapela, nëpër…

Vendësit na i plaçkitin xhepat, ndërsa ne ua plaçkitim bukuritë dhe shijen e detit nëpërmjet celularëve të mençur. Në këtë mënyrë, të gjithë dalim fitues dhe të gjithë ndahemi të kënaqur. Si zakonisht, pak janë ata që këtë jetë gjysmë të zhveshur e shohin në një dimension tjetër, përkatësisht përtej këtij pusi të madh, të quajtur det.

Dhe nuk mund të jetë ndryshe, ndërsa shitësi i librave ankohet se ka gjithnjë e më pak punë. «Si të shiten librat!? Shikoni njerëzit, të gjithë me celularë ndër duar. Shihni ju ndonjë njeri me libër në dorë!? Duhet të ecësh gjatë nëpër plazh për ta gjetur ndonjë të tillë», shprehet i dëshpëruar librashitësi, që si gomar i ngarkuar, me çantën e madhe mbushur libra ecën nëpër zallin prush, që ta kujton këngën për nizamët, kur edhe xhezvja në zall kishte vluar. (Temperaturat kanë arritur gradën dyzet dhe po flitet për një valë afrikane të të nxehtit).

Midis këtij komuniteti të bashkuar pushuesish vëren një kontrast më të theksuar se ai që bën kombinimi i ngjyrave bardhë e zi. Sheh gra e vasha që provojnë të duken sa më të lakuriquara, në njërën anë, në anën tjetër të kapë syri edhe atë tilla, që me vështirësi mund t’ua shohësh edhe sytë. Ashtu të mbështjella këmbë e kokë qëndrojnë gjatë të zhytura në ujë, sikur për ta reklamuar mënyrën e pushimit të tyre, mënyrën e besimit! Sheh tipa me zinxhirë ari të trashë në qafë e në duar. Sheh të tillë me kapela, syze të shtrenjta, me kufje në vesh dhe me celularë në dorë, që më shumë ngjajnë në astronautë. Por, sheh edhe të tillë me dyqane mbi supe që lëvizin si kërmij për ta fituar bukën e gojës. Vërtet vendi i shqipeve të ofron një kontrast tepër të fortë, madje gati të pashpjegueshëm.

Tek i vështron nga bregu, të bëhet se njerëzit tanë sikur e plaçkitin jetën e tyre Zotit. Të bëhet sikur në këtë botë janë sall plaçkitës kalimtarë. Mbase dihet se plaçkitja është një fenomen etnopsikologjik. Ndryshe, edhe nuk do t’i zgjidhnin për prijës të tyre plaçkitësit dhe kriminelët ordinerë, të cilët jetët ua bëjnë më të njelmët se vetë uji i detit. «Është pak nxehtë këtu se është hedhur shumë beton. Këta hajna dhe plaçkitës kanë derdhur shumë beton nëpër këto pallate të mëdha. Ia kanë zënë frymën detit», më thotë pronari i pallatit katërkatësh, i cili fare nuk është i kënaqur me pasurinë që ka, ndërsa thotë se krejt këtë e ka bërë nga djersa e derdhur e fëmijëve në Itali, për të cilët malli e djeg verë e dimër. Mësuesi i pensionuar më nxjerr nga këto pamje pushimi dhe më shpie në politikë, i bindur se çdo gjë që shihja dhe ndieja përreth ishte prekur nga dora e pistë e politikës.

«As te ju nuk është më mirë se këtu. Gjatë luftës në Kosovë pata të strehuar një familje nga Peja në shtëpinë time. U lidhëm me ta dhe u bëmë miq. Shkoj në Pejë dhe i vizitoj shpesh. Edhe ata më flasin për liderët plaçkitës që keni atje. Kur i dëgjoj si flasin, më ngjajnë shumë në këta liderët tanë. Po, më në fund, vëllezër jemi ore, s’kemi si të mos jemi njësoj», më flet mësuesi, ndërsa unë sytë i kisha ngulur te disa mbledhës të shisheve plastike që kishin mbushur thasë të mëdhenj konopi për t’i shitur si lëndë për riciklim.

«Mos e lexo shtypin, të lutem!», më këshilloi mësuesi tek e kishte vërejtur se kafenë e mëngjesit e pija me një grumbull gazetash. «Mirë që këta të huajt që po vijnë gjithnjë e më shumë për pushime nuk po i lexojnë këto gazetat tona se do të kishin ikur me natë kur të kishin mësuar për këto kronika të zeza», më thotë pronari i pallatit ku banoja, i bindur se këtë shqetësim duhej ta kisha dhe unë. Dhe e kisha, mbase më shumë se ai.

E përkundër të gjithave, shumica absolute dukej të ishin të kënaqur në detin e shqiponjave të një gjaku, i cili më shumë se çdo gjë tjetër po i bashkon dhe po u mundëson që sa më mirë ta njohin njëri-tjetrin; ata të na i plaçkitin xhepat, ne t’ua plaçkitim bukuritë dhe shijen e detit.