Në Çikago shërbehet kafe për të zhdukurit e Srebrenicës

Artistja boshnjake Aida Shehoviq vendosi mijëra filxhanë me kafe në një shesh në Çikago për të shënuar përvjetorin e gjenocidit të Srebrenicës në vitin 1995, duke krijuar një memorial unik që i tregon publikut si vdiqën viktimat.

Srebrenica përkujtohet në Çikago. Foto: Manka Arifi



Çdo vit më 11 korrik, Aida Shehoviq dhe ekipi i saj i vullnetarëve mbushin me kafe me mijëra filxhanë të vegjël qeramike dhe i vendosin ato në ndonjë shesh të ndonjë qyteti kudo nëpër botë.

Por njerëzit për të cilët është bërë kafeja nuk vijnë kurrë që ta pinë atë.

Disa prej tyre po varrosen atë ditë në qendrën përkujtimore në Srebrenicë pasi eshtrat e tyre janë zhvarrosur nga varre masive dhe janë identifikuar nga ekspertë të mjekësisë ligjore.

Shumica e tyre tashmë janë varrosur në vitet e mëparshme. Mendohet se rreth 1,000 mungojnë ende.

Monumenti i përkohshëm i Shehoviqit, i titulluar «ŠTO TE NEMA» («Pse nuk je këtu»), synon të rrisë ndëgjegjshmërinë mbi masakrimin e mijëra burrave dhe djemve boshnjakë nga Srebrenica 22 vjet më parë, gjë të cilën gjykatat ndërkombëtare e kanë cilësuar si një akt gjenocidi. Deri më tani, janë identifikuar gjithsej 8,372 viktima.

Këtë vit kafeja u shërbye në Daley Plaza në Çikago.

«Ne qëllimisht nuk kemi ndonjë tabelë, flamuj apo banderola për monumentin në vend, në mënyrë që njerëzit që kalojnë pranë fillimisht të mos kenë ndonjë ide se çfarë po bëjmë ne dhe përse», tha Shehoviq për BIRN.

«Zhdukja e çdo lloj simboli që mund të na veçojë neve i lejon njerëzit të afrohen dhe thjesht të bëjnë pyetje», tha ajo.

Pirja e kafesë në filxhanë të vegjël është një event shoqëror në Bosnje, një ritual që mbledh bashkë familje, fqinjë dhe miq.

Filxhanët e Shehoviqit të mbushur me pijen e zezë janë për të tërhequr njerëzit që të ndalojnë aty dhe të pyesin se për çfarë bëhet fjalë. Më pas ata informohen për gjenocidin dhe për arsyen pse është e rëndësishme të mos i harrojmë dhe të flasim për mijëra viktimat e Srebrenicës.

«Kur punoj me komunitetet që organizojnë përkujtimoren në çdo qytet dhe sidomos me ekipin vullnetar që është i pranishëm më 11 korrik, ne flasim shumë mbi mënyrën për të krijuar një hapësirë gjithëpërfshirëse dhe mikpritëse ku të gjithë ta ndiejnë veten pjesë të saj dhe të mund të jenë pjesë e kësaj përkujtimoreje pavarësisht nga lidhja e tyre personale apo historia e Srebrenicës apo Bosnjës», shpjegoi ajo.

Pasi jetoi në Gjermani dhe Turqi si refugjate e luftës në Bosnjë në vitet 1992-1995, Shehoviq emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1997, ku përfundoi studimet e saj për art.

Ajo tha se ideja fillestare për projektin i lindi nga frustrimi – ajo mendoi se nuk mund të bënte asgjë për këtë kauzë. Donte të krijonte një hapësirë për veten dhe të tjerët për të bërë diçka, «pavarësisht se sa i vogël apo simbolik mund të ishte ky gjest».

«S’ma merrte kurrë mendja se diçka që nisi si një performancë e vetme 12 vjet më parë do të shndërrohej në një monument nomad pjesëmarrës që udhëton në të gjithë botën, duke krijuar ndërgjegjësim, empati dhe solidaritet për gjenocidin e Srebrenicës», tha ajo.

Shehoviqi tashmë e ka shfaqur monumentin e saj të përkohshëm në qytetet boshnjake të Sarajevës dhe Tuzllës, në disa qytete në SHBA, përfshirë në selinë e OKB-së në Nju Jork, si dhe në Gjenevë (Zvicër), Toronto (Kanada), Stamboll (Turqi) , Stokholm (Suedi) dhe Hagë (Holandë).

Asaj dhe ekipit të vullnetarëve u duhen një ditë e plotë që të përgatisin kafe tradicionale boshnjake dhe të vendosin filxhanët e vegjël në vend. Numri i filxhanëve rritet çdo vit, të dhuruar nga boshnjakët në të gjithë botën.

Ndihma nuk mungon kurrë.

«Habitem çdo vit se sa shumë nga komunitetet tona në diasporë dhe kushdo tjetër që has «ŠTO TE NEMA» dëshiron të jetë pjesë e tij pasi shohin se çfarë është dhe se ka vend që të marrin pjesë edhe ata», tha Shehoviq.

Një sërë organizatash që përfaqësojnë diasporën boshnjake në Shtetet e Bashkuara u përfshinë në projektin e këtij viti – i udhëhequr nga koordinatorja e projektit Asja Dizdareviq, u organizua dhe u mbështet nga Klubi i Bosnjës dhe Hercegovinës i Çikagos, Instituti dhe Qendra Arsimore Amerikano-Boshnjake e Gjenocidit, Shoqata Amerikano Jugore – Boshnjake e Grave, Qendra Kulturore Islamike Boshnjake, Qendra Kulturore Islamike e Çikagos së Madhe, Shoqata e Boshnjakëve dhe Hercegovinasve Amerikanë, Komuniteti Kulturor Boshnjak Preporos i Amerikës së Veriut dhe Shoqata e të Mbijetuarve të Srebrenicës.

«Duke bashkuar të mbijetuarit dhe këdo tjetër të prekur në mënyrë direkte ose jo nga gjenocidi në Srebrenicë, «ŠTO TE NEMA» thekson se çdo gjenocid është një krim kundër njerëzimit dhe prandaj është një krim kundër të gjithë neve», tha Shehoviq.

(https://www.reporter.al/ne-cikago-sherbehet-kafe-per-te-zhdukurit-e-srebrenices/)