Në botën e kulluar të Beqir Musliut

I lindur në Gjilan, poeti Beqir Musliu është një udhëtar që një jetë njeriu kthehet prapa për të qarë fatkobin e qenies dhe kolektivitetit të tij, që na shfaqet si imazh i Majës së Zezë, që vuajtjen e ka të përsosur, madje si emblemë e mësymjeve jo vetëm të idealit estetik, por përsosmërisë antropologjike (përsosjes së njeriut në botë), që ka me i plakë shekujt, i bukur dhe i plotë.

Beqir Musliu.



Poezia e Beqir Musliut është shfaqje – ngjarje siç ishte edhe vetë autori i saj, e cila shënjon veprën e mbyllur, përfundimtare dhe e nemitur (e pagojë), sepse është sakrale. Të mbash vesh dhe të dëgjosh me orë të tëra të gjithë zërat në natyrë, të vëzhgosh me ditë të tëra sendet e pagoja, rrjedhën e prronit, piklat e shiut, të vështrosh yjet dhe të dëgjosh shkëputjet e tyre nga qielli, të përpiqesh t’u japësh gjuhë gjërave (objekteve) e fenomeneve që për nga natyra janë të nemituna, ja kjo është ajo punë që e ka bërë një jetë njeriu Beqir Musliu.

Gjërat e nemitura janë të mundshme dhe bëhen të njëmendta. Ato përfshijnë atë që quhet «zeigen» në kuptimnin heideggerian, që d.m.th. jo me tregue, por me e thanë qenësoren – e kjo ndodh vetëm gjatë zbulesës beqiriane, në art.

Sipas filozofit francez Gilles Delezue dhe psikiatrit po ështëu francez Félix Guattari pasoja e natyrshme e këtij përshkrimi është se arti jo vetëm që nuk është shprehje e njerëzores, por madje s’ka të bajë fare me njerëzoren, është gjaja ma e huej ndaj njerëzores. Alain Badiouja tue folë në seminar për librin e Deleuzes dhe Guattarit spikat se krijimi nga njeriu i jonjerëzores nëpërmjet artit përban shenjën e qartë të epërsisë së artit, në raport me krijimtaritë tjera (Alain Badiou).

Këta dy autorë mbrojnë qëndrimin se arti ruen, madje në botë arti është e vetmja gja që ruhet. «Ai ruan dhe ruhet në vetvete, edhe pse nuk jeton ma gjatë se suportet dhe materialet e veta, gur, telajo, ngjyrë kimike etj. Sipas tyne, ajo çka ruhet, sendi ose vepra e artit, është një bllok ndijimesh, domethanë një kompozim perceptesh dhe afektesh.

Gianni Vattimo tue iu referue Heideggerit – «ajo që mbetet e krijojnë poetët» sipas Hölderlinit – thotë: «Ajo që mbetet e krijojnë poetët: jo gjithaq si ajo që stërzgjatet  në kohë (<ruhet>), jo ajo që ruen dhe ruhet sipas Deleuzes  dhe Guattarit, por mbetet, si «ajo që mbetet»: gjurmë, kujtesë, monument.

Vattimo kur flet për krijimin (ardhjen, në kuptimin e ardhjes së bukës) e fjalës poetike mendon se me operacionin poetik mëtohet të mbërrihet ajo gjyserrësina, «Lichtung», nocion heideggerian që lidh zdritjen me terratisjen, në të cilën e vërteta shfaqet jo ma në formë të qartësisë metafizike, e cila me veprimin eroziv që koha ushtron mbi veprën, atë e shndërron në monument.

Për Norman O. Brown-in krijimi i monumenteve madhështore si piramidat dhe rrokaqiejt tregon se sa është edhe veprimtaria «ekonomike» po ështëu ikje nga vdekja. Monumentalen në poezinë «Nana i bani rangët e shpisë e ra me fjetë» e kam krijue pas vdekjes së nanës si tip psikosocial, në një mërzi të thellë, e cila sipas Giacomo Leopardit që e citon Giorgio Agamben, është «dëshira për lumtuni, e lanun, në njëfarë mënyre, në gjendje të kullueme», sepse nana është aty, tu-bamja e saj është fërkem (gjurmë), kujtesë (jo thjesht si akt dhe aktrim i shfaqun, por ështëu qysh më kujtohet, e shpejtë si drugëz, si drita e vetimës, pra ngjarje, si personazh konceptual, monument; dhe kjo është një lumtuni së cilës i është eliminue llumi, lumtuni e kullueme.

Alain Badiou për konceptin e Deleuzes dhe Guattarit mbi artin shkruen se këta dy autorë artin e cilësojnë si krijimtari monumentesh. «Çdo vepër arti është një monument», thonë ata. Sipas Badiou-së një pozicion i tillë sjell më veti një varg të tanë metaforik, i cili shërben për me e shprehë idenë se arti ka të bajë me visoret dhe me personazhet (d.m.th. percepte dhe afekte.) Por sipas tij, metafora e vërtetë dhe ma e përgjithshme ka me qenë  ajo e monumentit.

I lindur në Gjilan, Musliu është një udhëtar që një jetë njeriu kthehet prapa për të qarë fatkobin e qenies dhe kolektivitetit të tij, që na shfaqet si imazh i Majës së Zezë, që vuajtjen e ka të përsosur, madje si emblemë e mësymjeve jo vetëm të idealit estetik, por përsosmërisë antropologjike (përsosjes së njeriut në botë), që ka me i plakë shekujt, i bukur dhe i plotë.

«Poezia nuk është art, por qëllimi ynë antropologjik!», shkruante Josif Brodski. «Poezia nuk është art, madje nuk është as degëzim i artit. Ajo është diçka më tepër. Nëse fjala është ajo që na dallon nga speciet e tjera, atëherë poezia – ose veprimi gjuhësor më i arrirë – është qëllim antropologjik. Kushdo që e konsideron poezinë vetëm në qerthullin e kënaqësisë së zakonshme të të lexuarit, kryen një krim antropologjik, dhe pikë së pari kundër vetes së vet».

Madhështia e kësaj poezie është Maja e Zezë si ideal estetik dhe si monument fizik – kontrapunkti ose masa (etaloni) tjetër i të maturit të së bukurës, duke arritur deri në fund të së bukures së asaj Maje: ambëlsia e mbijetesës së një kohe tragjike dhe dalja në breg – në lirinë e një toke stërgjyshërish.

Ka ndonëse kritikë që Musliun – krijuesin e figurës së bukurisë së zezë – të cilën për nga funksioni poetik e krahasojnë me «Lulet e së keqes (ligësisë)» të Charles Baudelaire. Ndër ta është Sabri Hamiti, për të cilin imagjinimet e Musliut shkojnë në thellësinë e kohës së kujtesës dhe në paskajësitë e hapësirës, sepse ai e strukturon të shkuarën në sfondin emotiv të së sotmes. Tek poezia e Musliut lexuesi zbulon të bukurën sipërane, të kulluar nga teprimet, ndajshtesat e epitetet, në fund të një shpirti të trazuar (që kohës si kategori filozofike ia ndajshton dimensionin estetik) që kapërcen korridorin kohor dhe me të bëmat nga e shkuara na jep emocione të forta sot e këtu, që në rrafshin estetik – siç lamentonte vetë poeti në preludiumin e librit «Bukuria e zezë» – se çdo bukuri e ka edhe të zezën e vet, pra kobin, që në fund ia ha kryet krijuesit të saj!

Krijuesi i cili një jetë njeriu rropatet të ngjitet përmbi Gllamë! Aty është topika që e mban në këmbë strukturën poetike të Musliut. Pastërtia dhe e bukura e këtyre vargjeve, shpalos para lexuesit tërë tragjiken dhe klithmën e njerëzve gjatë qeniesimit të tyre nëpër mileniume, saqë të duket se ti sapo dëgjon klithmat e shqiptarit të munduar e të poshtëruar – të zënë peng në darët e kohë-hapësirës – vetëm pse ka mësyrë atë Majë artistike dhe antropologjike.

Vëllimi poetik «Orfeiana» i këndon jetës së shkruar keqas, për qenien kolektive të autorit, për ne, për mua dhe ty, për secilën qenie të shkelur e të munduar përgjatë golgotës së udhëtimit drejt Majës – drejt secilës Majë dhe kudo në rruzullim – sepse klithma e poetit, po aq sa verbi i tij, është klithmë universalë, si një «Shoah» e hebrenjve, apo një vajmedet i shqiptarëve!

Maja e Zezë e shquan jo vetëm të bardhën, por të purpurtën që është rroba më e bukur e poezisë së Musliut, ku ai e dëshiron prehjen pas vdekjes, sikur që pati thënë ikona e filmit meksikanoamerikani Anthony Quinn, fitues i dy Oskarëve, piktor dhe shkrimtar, para se të vdiste më 2001, se dëshironte që trupi i tij të ngjitej në Pico de Orizaba – Citlaltépetl ose në «Majën e Bardhë», që aty të tretej ngadalë i rreshkur në diellin e atdheut, i rrahur nga erërat dhe shirat, i ngrënë nga shpendët.

Nga Maja që shikohen të gjitha gjërat mes vete
Zbriti një i verbër dhe qau për një lule Tha
Orvatuni o të munduar të arrini atë lartësi

(«Orfeiana», «Faik Konica», 2004; («Maja e Zezë»)

Mësymja e Majës prej ku arti sheh botën e gjërave – ndërsa njeriu është qenie e verbër që tashmë e di se për çfarë duhet përpjekur për të gjallë – thjeshtë për ta arritur atë lartësi arti: Majën e Poezisë, për ta shpreh botën njerëzore (antroposin) si majë e qeniesimit në botë e jo vetëm të bukurën (estetikën e Majës).

Klithma e Musliut përmbi fatkobin historik të qenies së tij individuale dhe artistike (njeriun Musliu e koncepton si artist) të shfaqet si një ciklon emotiv, që ik së bashku me poetin nga ky realitet i shpifur tokësor.

Mund t’i kisha thënë poetit tek pinim kafe te «Elida»: «Beqë, këtë nuk e ke shkruar ti, por dora e Zotit!») Musliu në heshtjen e të shkuarës e gjen një këngë, për më tepër një mallkim, i cili nuk i shqitet racës njerëzore si fatumi nietzschean i rikthimit të përhershëm të së njëjtës, e që dhemb kumbueshëm siç bie kambana në një kishë në një vend pa besimtar. E që lind heshtjen, të bukur e të paqortueshme të njeriut të munduar. Heshtja nuk thuhet me fjalë, sepse s’ka fjalë.

Duhet thanë në fund se ky poet e rikthen të shkuarën jo për ta qortuar e për të nxjerr mësim nga ajo, porse për ta parë e medituar rreth mallkimit, që akullt na rri përballë, i balsamosur, e na flet, që të mos lejojë kurrë më tjetrin ta cenojë të sotmen, që qysh tani është e shkuara.

E shkuara na duhet jo për të na mësuar hakmarrjen – që kalon nëpër damarët e gjakut – por për një hakmarrje estetike! Nëse për bashkëkohanikun e tij dhe kritikun Ibrahim Rugova refuzimi duhej të ishte estetik, për Beqir Musliun ky ideal poetik ishte hakmarrja estetike.

Dua të them se Musliu atyre që deshën t’ia vjedhin purpurin majës së Gllamës ua ka nxjerr hakun përmes estetikës së tij, duke ua dhuruar «statujën» e të gjitha mallkimeve njerëzore, që janë edhe të tyre – pra universal – përgjatë historisë, kohën e mishërueme (trupëzueme) në artin poetik!