«Ne bëjmë shumë shaka»: Kadri Veseli në veten e parë

I dyshuar për krimet më të mëdha në Kosovën e pasluftës, Kadri Veseli përpiqet të shfaqet si i moderuar. Dhe s’arrin më shumë se të jetë qesharak. Tragjedia e këtij vendi është se kjo figurë cirku mban postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës – me vota të LDK-së.

Foto: Shutterstock



«Ne bëjmë shumë shaka». Me këtë grumbull llafesh Kadri Veseli, i ashtuquajturi (takozvani) «Luli», shef i Shërbimit Sekret të PDK-së, është përpjekur të arsyetojë e banalizojë aferën «Pronto 2». Pronto broj dva! Duke dëgjuar muhabetet e përgjuara të krerëve të PDK-së, të publikuara nga portali i lajmeve «Insajderi», opinioni ka pasur rastin të kuptojë se si sundohet Kosova, si ndahen prona, privilegje dhe poste, si punësohen teze e kushërinj, si tallen «kumanirat» e «Ushtrisë Çlrimtare të Kosovës» me popullin e Kosovës. Dhe si pasurohen nga resurset shtetërore.

«Ne bëjmë shumë shaka», tha Veseli. Sonte. Nuk kishte nevojë të thoshte: «Ne bëjmë shumë shaka me ju». Sepse kjo po dihet: «Ne bëjmë shumë shaka me ju, shqiptarë të varfër që besoni në përrallat tona». 200 mijë vende të punës. Fondi i Punësimit (1,5 miliardë euro). Heqja e vizave për 15 muaj. E kështu me radhë. Pa marrë parasysh se në çfarë media flet Kadri Veseli, pa marrë parasysh se me kë del në fotografi, pa marrë parasysh se kujt i jep urdhër për të lansuar storie e përralla kundër atyre që në luftë i konsideronte «shokë të çmuar», e vërteta s’mund të rrëzohet, as varroset. As në vitin 2016.

Në raportin e Këshillit të Europës për krimet e luftës dhe pasluftës në Kosovë, Kadri Veseli përmendet si figurë prominente e krimit të organizuar dhe krimeve të luftës. Në pikën 72 të raportit thuhet se Veseli dhe të tjerët, sipas burimeve të drejtpërdrejta, «do të kenë urdhëruar, e ndonjëherë do të kenë ndjekur edhe personalisht, realizimin e një numri vrasjesh, burgosjesh, agresionesh dhe marrjesh në pyetje, në rajone të ndryshme të Kosovës dhe konkretisht, çka na intereson në mënyrë më të veçantë, gjatë operacioneve të kryera nga UÇK-ja në territorin shqiptar, në vitet 1998-2000».

«Ne bëjmë shumë shaka» – kështu tha Veseli në emisionin «Rubikon». Një përgjigje, një konstatim i saktë: «Ne bëjmë shumë shaka». Por kjo shaka e bërë nga PDK dhe SHIK-u që nga vitet ’90 po i kushton Kosovës shumë. Kosova është ndër vendet më të varfra në Europë. Është ndër vendet më të korruptuara në Europë. Është ndër vendet me papunësinë më të madhe në Europë. Është vendi më i izoluar në Europë. Është vendi më i ndotur në Europë. Është vendi me nivelin mbase më të lartë të korrupsionit në Europë. Është vendi me më së paku investime të huaja në Europë. Është vendi me sistemin shëndetësor më të keq, më kriminal në Europë. Është vendi me pensionet më të ulëta në Europë.

«Ne bëjmë shumë shaka», thotë Veseli. Pse jo! Çmimin e shakave të Kadri Veselit e paguajnë qytetarët e Kosovës. Që Kadri Veseli merret me politikë është meritë edhe e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Isa Mustafa e ka mashtruar elektoratin e LDK-së me premtimin se do të luftojë krimin (dhe kriminelët e SHIK-ut). Pasi lidhi aleancë me ata që zgjedhësit e LDK-së i konsiderojnë «kriminelë të regjur», Mustafa rrudhi supet, ua tregoi gishtin e mesëm militantëve të sinqertë të LDK-së dhe nisi të shkruajë dhe shlyejë statuse në Facebook. «Ne bëjmë shumë shaka». Nuk dihet a po e thotë këtë Kadri Veseli apo Isa Mustafa në fund të dhjetorit 2016. (Ibrahim Rugova dhe Fehmi Agani do të rrotulloheshin në varr po të shihnin si ka degraduar partia e tyre, LDK e themeluar më 23 dhjetor 1989).

Në pikën 82 të raportit të Këshillit të Europës thuhet se Veseli dhe të tjerët «do të kenë kërkuar konkretisht mjete novatore për të përdorur e investuar milionat e dollarëve të <fondit të luftës> krijuar nëpërmjet dhurimeve të derdhura jashtë shtetit për kauzën e UÇK-së». Në lidhje me burgosjet ilegale të civilëve në raport thuhet se «frymëzuesi kryesor i kësaj politike duhet të ketë qenë Kadri Veseli (alias Luli)».

Të gjitha këto nuk janë të rëndësishme në vitin 2016. Në «primetime» Veseli thotë: «Ne bëjmë shumë shaka». Qe besa më shumë as që e meriton ky milet.