Në Bari, aty ku u vra Luigj Gurakuqi

Ditari i Adriatikut (8): Bari është kryeqyteti i shqiptarëve në anën tjetër të Adriatikut.

Teatri Margherita në Bari. Foto: Shutterstock

«Deti është i bukur në sytë e Zotit, sepse lag ishujt, të cilët njëkohësisht i stolis dhe i mbron. Ai i bën bashkë kontinentet më të largëta dhe marinarëve u mundëson qarkullim të papenguar. Përmes tyre na sjell njohuri për atë që deri më tani ishte e panjohur. Përcakton fatin e tregtarëve në botën e jashtme. Lehtë i përmirëson gjërat e jetës, sepse të pasurit eksportojnë tepricën, të varfrit mund të furnizohen me gjërat më të domosdoshme». – Shën Bazili i Madh

Në një ditë vere ky mendim i Shën Bazilit të Madh, kësaj figure të rëndësishme të Kishës Katolike, mu kujtua në Bari. Ishte pasdite kur arrita, dhe dielli përvëlonte çdo cep të këtij qyteti italian, i cili është pak edhe qytet shqiptar dhe oriental, mesdhetar, po se po. Po gërmuam në histori Bari mund të quhet edhe qytet bizantin, norman, gjerman – fundja Bari ka një shesh me emrin Piazza Federico Secondo di Sveva, në gjermanisht Platz Friedrichs II. von Schwaben, sipas perandorit romako-gjerman dhe Mbretit të Sicilisë.

Për dijetarin britanik, gazetarin, oficerin e shërbimit sekret, ekspertin e madh të Ballkanit dhe përkrahësin e paepur të shqiptarëve Harry Hodgkinson «Bari u themelua nga ilirët nga ana tjetër e ujit – dhe deri kohëve të fundit me humor quhej kryeqyteti i Shqipërisë». Në librin e tij «The Adriatic Sea» (botuar më 1956) Hodgkinson shkruan se për shqiptarët Bari ishte «qyteti më i afërt me Shtëpi Opere dhe Universitet, në Bari kishte edhe gazeta shqiptare».

Gjatë korrikut mijëra shqiptarë nga mbarë Europa vijnë në Bari. Këtu ata bien në sy menjëherë: nguten të zënë trajektet që lundrojnë drejt Durrësit, Vlorës apo Igumenicës (Greqi). Një javë pushim në Shqipëri, një javë në Kosovë apo Maqedoni. Ky është plani i tyre, zakonisht. Kur kosovarët nuk dinë ta gjejnë portin në Bari, ndalen të pyesin dikë, «porto, porto», dhe shpesh përgjigjen e marrin në shqip. Sepse Bari është qytet edhe shqiptar, stacioni i parë ose i fundit i tyre, varësisht nga perspektiva.

Kjo bëhet e qartë sidomos në Corso Vittorio Emmanuele, ku një pllakë përkujtimore njofton se këtu më 2 mars 1925 u vra Luigj Gurakuqi. Shkodrani Luigj Gurakuqi ishte një urë lidhëse mes botës shqiptare dhe asaj italiane dhe arbëreshe. Pasi kreu shkollimin fillor në Shkodër, ndoqi mësimet në Kolegjin e Shën Adrianit në fshatin arbëresh Shën Mitër, pastaj studioi për mjekësi e biologji në Universitetin e Napolit. Por, mjekësia e biologjia nuk i interesuan aq Gurakuqit. Ai ishte veprimtar i lëvizjes kombëtare, atëherë kur këto fjalë kishin kuptim. Shkroi abetare, poezi, prozë, mori pjesë në Kongresin e Manastirit, më 1909 u caktua drejtor i Normales së Elbasanit, mori pjesë në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, ishte ministër i Arsimit, ishte një nga themeluesit e Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër, në qeverinë e Fan S. Nolit drejtoi ministrinë e Financave.

Duke qenë kundërshtar i Ahmet Zogut, kryeministrit të Shqipërisë dhe mbretit të mëvonshëm, Gurakuqi iku në Itali pas shtypjes së Revolucionit të Qershorit të vitit 1924. Sipas të gjitha gjasave vrasjen e tij në Bari e porositi vetë Zogu. Plumbat kundër Luigj Gurakuqit i shkrepi Balto Stambolla, djali i tezës së tij. Para gjyqit italian Stambolla deklaroi se e kishte vrarë Gurakuqin nga urrejtja personale. Drejtësia italiane e shpalli të pafajshëm, me gjasë me qëllimin për të ruajtur raportet e mira mes Italisë fashiste dhe qeverisë së Zogut në Tiranë.

Atëbotë konsull i Shqipërisë në Bari ishte Çatin Saraçi, piktor dhe politikan shqiptar. Në kujtimet e tij ai tregon se vrasësi një ditë më parë «kishte ardhur në zyrën time dhe buzagaz më kish thënë se kishte ardhur në Bari për të kryer një vepër të madhe patriotike. Unë e njihja fort mirë qysh nga koha e shkollës (…) ishte thjesht një aventurier e burracak i pashoq. Prandaj dhe nuk e mora mundimin ta paralajmëroja udhëheqësin e opozitës (Luigj Gurakuqin, v.j.) me të cilin vijoja të mbaja ende marrëdhënie të mira personale. Një vit para se të ngjante ajo që ngjau, kisha mundur t’i shpëtoja jetën viktimës, po në Bari, ndaj për këtë arsye ai vetë si dhe familja e tij kishin shprehur mirënjohjen e tyre, si mua ashtu edhe njerëzve të farefisit tim. (…) Asokohe mendoja se vetë Zogu nuk ishte i lidhur, të paktën drejtpërdrejti, me asi gjëmash».

Më vonë Saraçi shkroi një traktat të shkurtër mallkues kundër Zogut: «Unë, Çatin Saraçi, të akuzoj ty Ahmet Zogu si tradhtar të atdheut tënd, si vrasës e hajdut. Shqipëria ka parë pushtues edhe më të fuqishëm se këta të sotmit. Do të ikin edhe këta, por emri yt s’ka për të figuruar gjëkundi. Synimi i kësaj letre është të të paralajmëroj për herë të fundit të mos ngatërrohesh më me Shqipërinë, ndryshe do të detyrohem t’u tregoj diçka më shumë francezëve dhe anglezëve. Bankënotat false që më dhe si dhe letrat e tua të fundit, po i ruaj si dokument i pandershmërisë sate.» – Në vitet ’30 Çatin Saraçi punoi në Ambasadën Shqiptare në Londër, ku më 1939 u njoftua dhe miqësua me piktorin e madh ekspresionist Oskar Kokoschka, i cili më 1959 i bëri një portret Çatin Saraçit, por kjo është një histori tjetër…

Gazetari italian Michele Argentiero e ka quajtur Luigj Gurakuqin përfaqësues të kozmopolitizmit adriatik, poet që shkroi në shqip e italisht, themelues i një reviste dygjuhësore. Pllaka përkujtimore në Corso Vittorio Emmanuele është dëshmi për një krim ndaj një patrioti shqiptar, i cili ishte simbol edhe i vëllazërisë italo-shqiptare.