«Në asnjë mënyrë nuk do ta lë Prishtinën»

Xhemail Mustafa për natën e 24 marsit 1999, kur NATO filloi çlirimin e Kosovës.

Xhemail Mustafa.



Vranësirat e papritura, një erë e ftohtë dhe pluhuri që ngrihej dendur rrugëve të Prishtinës e bënin ditën e 24 marsit krejt të veçantë dhe i jepnin asaj dimensione të paparashikueshme. Sulmet e Aleancës kundër caqeve ushtarake serbe priteshin për në mbrëmje dhe dukej se ajo do të vinte më shpejtë se kurrnjëherë përpara, bashkë me errësirën e natës. Ishin pikërisht këto vranësira dhe ky pluhur, kjo pritje dhe kjo bindje për sulmet e paevitueshme që i bënin njerëzit të ndiheshin disi me ndjenja të përziera. Askush nuk e fshihte gëzimin që Aleanca do të sulmonte nga ajri forcat kriminale serbe dhe do të kryente ndaj tyre hakmarrjen e madhe për gjithë ato krime që serbët tashmë po bënin kundër shqiptarëve dhe pasurisë së tyre, si dhe do t’i detyronte ata që të tërhiqen njëherë e përgjithmonë nga Kosova.

Por, ndjenja e pritjes dhe e gëzimit, ky koktej emocionesh disi të ndrydhura, shoqërohej nga droja se mos regjimi serb pikërisht këto sulme nga ajri do t’i merrte si pretekst për t’i qëlluar pa asnjë mëshirë shqiptarët në tokë, për të bërë krime monstruoze mbi ta dhe për ta spastruar etnikisht Kosovën.

Nuk kishte asnjë dilemë se Aleanca do ta zotëronte qiellin dhe se atje lart ajo do ta fitonte luftën kundër serbëve dhe armatës së tyre kriminale. Por, po ashtu, nuk kishte asnjë mëdyshje se ushtria dhe policia serbe tashmë kishin vendosur pushtetin e dhunës e të tmerreve në tokë dhe ishte ky moment që i tmerronte shqiptarët dhe që e bënte më të frenueshëm dhe disi me emocione të përziera gëzimin për intervenimin tashmë evident të Aleancës.

Frika nga hakmarrja serbe bëri që shumë familje të strehoheshin jashtë Kosovës katër-pesë ditë para se të fillonin sulmet kundër forcave serbe. Veçmas shiheshin familje që me nguti po i strehonin fëmijët në Maqedoni. Tek po ngjitesha shkallëve të pallatit ku banoja, në pjesën qendrore të lagjes «Dardania», pashë njërin nga fqinjët që, bashkë me fëmijët, po zbriste me nguti e me një nervozë shkallët teposhtë. Po shkojnë, i thashë vetes, kurse për të satën herë gjatë ditës një zë i rëndë vinte nga brenda dhe përpiqej t’i bënte sfidë zbrazjes me rrëmujë të Kosovës. Duhet të qëndrojmë, i thashë vetes, pa qenë i sigurt se do t’ia dalim t’i shpëtojmë thikës serbe. Nëse e lëshojmë Kosovën – kjo do të jetë fitorja më e madhe dhe përfundimtare e serbëve, po e ribindja veten.

Forcat e Aleancës po përgatiteshin që ta sulmonin Serbinë dhe, pastaj, të vendoseshin në Kosovë, mbi bazë të Marrëveshjes së Rambujesë, e cila ishte një kontratë politike midis shqiptarëve dhe Aleancës. Avionët evroamerikanë tashmë po bëheshin gati për ta sulmuar Serbinë kurse shqiptarët po e lëshonin Kosovën nga frika e hakmarrjes së përgjakshme serbe! Ky ishte paradoksi dhe nuk kishte si të mos pyetej njeriu me gjithë zë se për kë do ta bëjë luftën Aleanca?

Shqiptarët po vepronin me nguti që t’i iknin hakmarrjes serbe dhe nuk dihej kush do t’i priste forcat e Aleancës në Prishtinë po u zbraz Kosova kështu si ka filluar. Kjo e kishte shtyrë Rexhep Qosjen që dje t’u bënte një thirrje dramatike e me plot patetikë njerëzve për të mos e lëshuar Kosovën.

Atmosferën e luftës dhe të sulmeve po i bënte krejtësisht reale fakti se Beogradi kishte shpallur mbrëmë zyrtarisht gjendjen e rrezikut të drejtpërdrejtë nga lufta dhe kishte koncentruar forca të mëdha ushtarake e policore në Kosovë. Ky përqendrim forcash ishte i madh e sistematik, që prej fillimit të Konferencës së Rambujesë. Hamendjet nëse do të ketë ose jo sulme nga ajri pothuaj ishin evituar krejtësisht. Por, ende nuk dihej nëse, bashkë me goditjet nga ajri, do të ketë edhe intervenim të forcave tokësore dhe si duhej të silleshin shqiptarët në këto rrethana krejtësisht të reja dhe të rrezikshme.

Pikërisht me këto dilema dhe me këto imazhe të ngrysta për atë që po pritej të ndodhte, hyra brenda në apartament. Dija se një pjesë e familjes prej ditësh po endej katundeve të Llapit, por nuk më kishte shkuar mendja se do t’i shoh ashtu të lodhur, të hutuar dhe të frikësuar. Nëna dhe vëllai me fëmijët që prej dhjetë ditësh e kishin lëshuar Gllamnikun dhe ishin strehuar në disa fshatra të Gallapit, ku po bënte dimër i egër dhe një pjesë të udhës e kishin bërë, duke qenë të detyruar të ballafaqohen me borën dhe me fërfëllazën. Në Prishtinë kishin arritur para pak çastesh dhe, tek po interesohesha për shëndetin e tyre, pashë se ishin lodhur dhe se kishin frikë për atë që mund të ndodhte që sonte.

– A do të sulmojnë? – më pyeti Ganiu, kurse fëmijët e prisnin përgjigjen me ndjenjën e gëzimit të fshehtë. Nëna nuk ngurroi të thoshte se kishte frikë për mua, që isha deklaruar hapur pro sulmeve të Aleancës dhe kisha kërkuar publikisht që goditjet nga ajri të shoqëroheshin me intervenimin e trupave tokësore.

– Po, do të sulmojnë që sonte, – thashë. -Mbrëmë Solana ia ka kaluar urdhrin për sulme Klarkut. Ky i fundit e ka për detyrim që brenda 24 orësh të fillojë me sulmet nga ajri kundër caqeve ushtarake e policore serbe – ia shpjegova vëllait, duke qenë krejtësisht i sigurt se vërtet sulmet ajrore do të fillojnë që më 24 mars para mesnatës.

Ata u shikuan mes veti. Por, nuk thanë asgjë. Heshtjen e theu papritur zilja e telefonit. Një mik imi interesohej të dinte se çfarë duhej bërë. Ai po më thoshte se qyteti tashmë po hyn në një gjendje paniku. Duhet të dalë dikush dhe të marre guximin e të thotë se çfarë duhet të bëjë populli. Njerëzit kanë filluar që tash të mendojnë si të largohen nga qyteti, kurse shumë të tjerë presin pa ditur se çfarë duhet bërë në këto momente kur po afrohet nata. Miku im po ngulte këmbë se, jo sall Rexhep Qosja, por dr. Ibrahim Rugova, të cilin populli e zgjodhi kryetar të Republikës së Kosovës është ai që i pari duhet t’i bënte thirrje popullit që të mos e lëshojë Kosovën.

Ne nuk mund të rrimë në këtë banesë – tha Ganiu. – Do të shkojmë tek Fazliu, kurse ti duhet të gjesh ndonjë vend tjetër për disa ditë, – po ngulte këmbë ai.

– Po, – i thashë. – Kjo është banesë që mund të kontrollohet nga policia që sonte, – plotësova veten, pa qenë i sigurt se ku do të shkonim unë, gruaja dhe dy fëmijët.

Kishte disa ditë që po mendoja për mundësinë e largimit të përkohshëm nga banesa. Për veten isha i sigurt se nuk do të dalë jashtë Kosove. Mund të strehohem diku për ndonjë ditë. Jo më shumë. Fëmijët, kisha menduar, se mund t’i nxjerr jashtë, nëse rrezikohemi përfundimisht. Vetë në asnjë mënyrë nuk do ta lë Prishtinën. Fëmijët dhe gruaja – ndoshta. Por, momenti i sulmeve po afronte shpejt, kurse unë nuk kisha ndërmarrë asgjë, as për veten dhe as për fëmijët.

Vëllai me nënën dhe me fëmijët dolën. Nënës ia pashë një lot tek po i lëvizte poshtë faqeve. Ajo u mundua ta fshehë lotin nga unë, që po përpiqesha ta ngushëlloja se do të bëhet mirë, se më në fund gjërat do lë vendosen në vendin e vet. Ishte ora 17. Në banesë mbetëm unë, gruaja dhe dy fëmijët.

Ata më shikonin mua, ndërsa unë po hamendesha, pa ditur çfarë duhej të bëja.

– Sonte nuk do të jemi bashkë, – u thashë.

Këtë zgjidhje e kisha menduar që nga mesdita, pa qenë i sigurt nëse kjo ndarje e shpejtë dhe e papritur do të zgjaste vetëm një natë. Ata më vështruan ftohtë. Sikur e kishin pritur që moti këtë propozim. Bahria dhe Besiani do të shkonin në shtëpinë e vjehrrës, të cilën e konsideronim pak më te sigurt, ndërsa unë me Berianën do të qëndronim në banesë. E kishim të qartë se kjo nuk ishte një zgjidhje që ofronte farë sigurie.

Por, të paktën, nuk deshëm që të jemi të gjithë bashkë. Nëse do të ndodhte më e keqja, nëse serbët do të vendosnin të na vrisnin, atëherë të paktën kjo të mos na gjente të gjithëve përnjëherë dhe jo në një vend. Këtë parandjenjë nuk ua thashë të tjerëve – as gruas, as djalit dhe as vajzës. Por jam i sigurt se ata e dinin arsyen pse nuk do të duhej të qëndronim bashkë.

Sulmet e para na gjetën duke biseduar për mundësitë që, bashkë me vajzën, të gjejmë një zgjidhje tjetër, që të mos e bënim natën në banesë. Kishte dy orë që Bahria me Besianin kishin shkuar te Selushi, kurse unë me Berianën po hamendeshim. Por, tashmë ishim vonuar me hamendjet tona. Ishte ora 20.04 minuta. Makineria e sulmeve ajrore të Aleancës po vihej në lëvizje kundër caqeve serbe dhe po fillonte ndëshkimi kundër forcave kriminale ushtarake e policore serbe. Bashkë me sulmet e para të avionëve dhe raketave të Aleancës në aeroportin ushtarak në Sllatinë dhe në qendrën e stërvitjes së policisë speciale serbe në Ajvali, Prishtina ngeli pa korrent. Momenti ishte tepër i veçantë.

Aleanca po hynte në luftë kundër Serbisë dhe sulmet e saj, objektivisht, ishin në anën e shqiptarëve. Rrugët e Prishtinës, përfundimisht, po bëheshin të shkreta e krejtësisht të pasigurta dhe, tashmë, ishte e qartë se unë dhe vajza ishim të detyruar që natën ta bëjmë në banesën tonë.

– Po digjet ndërtesa e Presidencës, – po më thoshte me telefon një zë i panjohur. – Objekti i Qendrës për Informim të Kosovës tash për tash ka shpëtuar. Por, Presidenca është vjedhur, është thyer dera kryesore në fillim dhe pastaj i është dhënë flaka, – më fliste një nga rojet e natës në objektin e «Unikosprojektit», që gjendej vetëm disa metra larg Presidencës. Ai po shpjegonte se vetëm një orë pas sulmeve të para kishte dëgjuar disa njerëz që me nguti po i afroheshin objektit. E kishin thyer derën, kishin nxjerrë jashtë dokumentacionin dhe më pas ia kishin dhënë flakën objektit. Zëri po i dridhej tek po e përshkruante atë që kishte parë. Derisa po pyeste çfarë do të mund të bënte ai për objektin e Presidencës që po përfshihej nga flakët, u përpoqa ta qetësoj dhe i thashë që të ketë kujdes për veten.

Ishte vonë pas mesnate. Tek po përpiqesha të dëgjoja të gjitha lajmet e informacionet e mundshme, si nëpër fanitje vërejta se po afronte mëngjesi.

(Nga libri «Një lutje për Prishtinën», botoi Faik Konica, Prishtinë)

Xhemail Mustafa, kritik letrar, publicist dhe politikan u vra gjatë një atenatati politik të kryer para banesës së tij në Prishtinë më 23 nëntor 2000 nga kriminelë ende të panjohur.