Në anën e popujve të shtypur

Me rastin e vdekjes së Alois Mock, ministër shumëvjeçar i punëve të Jashtme të Austrisë, i cili përkrahu me vendosmëri popujt e Ballkanit të goditur nga agresioni i Beogradit. Mock ishte i pari diplomat europian që hapi dyert për politikanët e Kosovës.




Një skenë mes shumë të tjerave shquhet në biografinë politike të Alois Mockut: më 27 qershor 1989 ministri i Jashtëm austriak dhe kolegu i tij hungarez Gyula Horn këputën me dara telat gjemborë që ndanin jo vetëm Austrinë dhe Hungarinë, por botën lindore dhe atë perëndimore. Ky akt ishte një heqje simbolike e Perdes së Hekurt, që më vonë pasoi me rrëzimin e Murit të Berlinit, me triumfin e lëvizjeve demokratike të Europën Lindore, me fitoren në zgjedhjet parlamentare të disidentëve si Vaclav Havel në Çekosllovakinë e atëhershme dhe të lëvizjeve demokratike si Solidarność në Poloni.

Alois Mock ishte një europian i madh, një politikan konservator që u angazhua përherë kundër izolimit. Për të ishte me rëndësi që Austria të jetë një urë lidhëse mes vendeve të Danubit dhe Ballkanit me Europën Perëndimore. Mock konsiderohet si babai i anëtarësimit të Austrisë në Bashkimin Europian. Përkundër sëmundjes së rëndë të Parkinsonit, Mock punoi si Sizif që Austria të jetë pjesë e BE-së, shkruan gazeta e Vjenës, Der Standard.

Për shqiptarët e Jugosllavisë së dikurshme, për kroatët dhe sllovenët Mock ishte një zë i rëndësishëm në parketin e politikës botërore. Ai kundërshtoi me vendosmëri agresionin e Beogradit kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës. Në forumet ndërkombëtare Mock mbante qëndrim të qartë kundër politikës së Slobodan Millosheviqit, e cila synonte krijimin e një Jugosllavie centraliste, të dominuar nga serbët. «Mock ishte politikani i parë i punëve të jashtme, i cili në maj të vitit 1991 i propozoi OKB-së dhe Bashkësisë (së atëhershme) Europiane dërgimin e trupave paqësore në Jugosllavi për të penguar një luftë civile. Dhe ai ishte i pari ministër i punëve të Jashtme në Europë, i cili i priti liderët politikë të Kosovës në Ministrinë e Jashtme në Vjenë. Pas Mockut edhe kancelari të tjera perëndimore filluan t’i hapin dyert për përfaqësuesit politikë të Kosovës. Kësisoj, Vjena ishte një ndër stacionet e para dhe më të rëndësishme për Kosovën në botën e jashtme», ka shkruar diplomati kosovar Faruk Ajeti në një përkujtim për Alois Mockun në gazetën austriake «Die Presse».

Ndërsa Mock më 27 qershor 1989 po i hiqte telat me gjemba mes kufirit austriako-hungarez, një ditë më vonë, më 28 qershor 1989, Slobodan Millosheviqi do të mbante një fjalim nacionalist në Gazimestan afër Prishtinës në kujtim të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës. Fjalimi ishte një goditje serioze ndaj frymës së kohës: integrimeve të sapofilluara europiane, rënies së kufijve, lënien anash të nacionalizmit. Dy ditë para se Millosheviqi të kërcënonte popujt e tjerë të Jugosllavisë me luftëra, kritiku letrar kosovar Ibrahim Rugova, në atë kohë vetëm kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, i kishte thënë revistës gjermane «Der Spiegel» se serbët po ktheheshin në Kosovë sërish si hakmarrës. Rugova paralajmëronte mbi rrezikun e shpërthimit të konfliktit në Kosovë, alarmonte mbi represionin serb, e quante mitingun e Gazimestanit një provokim shovinist serb dhe tregonte se «nëse Serbia përpiqet edhe më tutje ta shtyp identitetin tonë kombëtar, atëherë do të ketë kryengritje. Unë vetëm mund t’i paralajmëroj serbët: edhe ata janë popull i vogël. Në të kaluarën kur një popull i vogël është përpjekur të sillet si hegjemon në Ballkan, kjo përherë ka përfunduar me tragjedinë e këtij populli». Kjo intervistë kishte pasur ndikim të jashtëzakonshëm jo vetëm në qarqet diplomatike sidomos në Bonn dhe në Vjenë, por edhe në opinionin ndërkombëtar. Më vonë Alois Mock do të ishte një bashkëbisedues i rregullt i Rugovës në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga qorrsokaku i rrezikshëm politik i Kosovës.

Në Slloveni dhe Kroaci Mock lajmi për vdekjen e Alois Mockut në moshën 83-vjeçare u prit me pikëllim. Nga mediat dhe nga politikanët ai u quajt mik i madh, i cili ndihmoi këto dy republika ish-jugosllave në momentet më të vështira. Ish-ministri i Jashtëm slloven Dimitrij Rupel tha se Mock ishte politikani i parë europian me të cilin kishte telefonuar pas sulmit të armatës jugosllave kundër Sllovenisë më 1991. Rupel tregoi se Mock kishte siguruar dokumentet që avioni qeveritar slloven të fluturonte nga aeroporti i Klagenfurtit dhe kishte pranuar pasaportat sllovene. Mediat kroate e shoqëruan lajmin për vdekjen e Alois Mock me falënderime të thella mbi rolin e tij në përkrahjen e pavarësisë së Kroacisë. Agjencia e lajmeve HINA rikujtoi se Mock është shpallur qytetar nderi i Zagrebit dhe Osijekut, në ishullin Braç është ngritur një përmendore për nder të tij dhe qyteti bregdetar i Zarës i ka vënë emrin Mock bibliotekës së qytetit.