Në afatin e gushtit kaluan 56. 7 për qind e maturantëve




Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQShM), ka bërë publikimin e rezultateve të Provimit të Maturës Shtetërore 2015 në afatin e gushtit, ku provimit në këtë afat i janë nënshtruar 14.691 maturantë, ndërsa kalueshmëria është 8.296, apo 56.7 për qind.

 

Kryetari i KQShM-së, Azem Guri, ka vlerësuar se procesi i Provimit të Maturës këtë vit ka qenë i suksesshëm dhe në përputhje me kriteret, të cilat i ka përcaktuar KQShM, transmeton Koha.net.

«KQShM ka qenë mjaft e fokusuar në administrimin e mirë të Provimit të Maturës, prandaj vlerësojmë se administrimi edhe në afatin e parë, por edhe në afatin e gushtit ka qenë mbi bazën e kritereve të përcaktuara nga Komisioni. Kjo është Matura e fundit që organizhet me Ligjin në fuqi, për arsye se gjatë këtyre muajve Ligji i ri i Maturës pritet që të miratohet në Kuvendin e Kosovës dhe mbi bazën e tij të organizojmë Maturën e radhës», ka theksuar ai.

Guri, po ashtu, ka vlerësuar rolin e mediave në prezantimin që i kanë bërë procesit të maturës, në të dy afatet.

Ndryshe, kalueshmëria në gjimnaze është 73.5 për qind, ndërsa në shkollat e mesme profesionale 51.8 për qind. Numri i përgjithshëm i maturantëve, të cilët kanë kaluar provimin, përfshirë edhe afatin e qershorit është 25.551 maturantë apo 79.9 për qind, ndërsa numri i maturantëve, të cilët nuk e kanë kaluar është 6. 463 maturantë.