Në 14 vjetorin e Marëveshjes së Ohrit kërkohet marëveshje e re

Opozita dhe analistët e kanë shpallur të dështuar, madje të vdekur Marrëveshjen e Ohrit. Sipas tyre, shqiptarët nuk fituan të drejtat për të cilat luftuan, ndërsa kërkojnë marrëveshje të re që do të avanconte statusin politik dhe juridik të shqiptarëve në Maqedoni. Vetëm BDI feshton përvjetorin e MO-së dhe «sukseset» e saj. Gjatë homazheve të varresat e dëshmorëve, ministrat e BDI-së nuk u pritën nga banorët e Sllupçanit dhe Likovës.




Shkup, 13 gusht

Në Maqedoni shtohen gjithnjë e më shumë zërat që kërkojnë një marrëveshje të re që do të avanconte pozitën juridiko-kushtetuese të shqiptarëve. Ndërkohë, pjesa dërmuese e subjekteve politike dhe e anaistëve e vlerësojnë si të dështuar Marrëveshjen e Ohrit. Duke shkuar edhe deri aty sa në 14 vjetorin e saj atë e shpallin edhe të vdekur. Ajo u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 me çka edhe ju dha fund konfliktit të armatosur mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave të armatosura të Maqedonisë.

Atmosferë e zymtë në 14-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit

Përveç partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim, të gjitha forcat e tjera politike thonë se MO nuk dha efektet që ishin pritur, ndërsa rikujtojnë se janë shkelur tanimë disa herë afatet për implementimin e këtij dokumenti. «Sot, pas 14 vitesh nga nënshkrimi, më shumë se kurdoherë, qëndron konstatimi i PDSH-së se Marrëveshja e Ohrit jo që nuk i avansoi të drejtat e shqiptareve, por përkundrazi është shndërruar në pengesë kryesore për realizimin e tyre!», konstaton PDSH. «Të gjithë ata që edhe pas 14 vitesh përmendin nevojën e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, në fakt konstatojnë një të vërtetë të madhe, faktin që deri tani kjo Marrëveshje nuk është implementuar dhe nxjerrin në pah nevojën imediate për një marrëveshje të re, me të cilën do të realizohen kërkesat e drejta të shqiptareve për barazi në këtë shtet», vazhdon reagimi i PDSH-së. Dhe kjo Marrëveshje e re është pjesë e platformës politike të Partisë Demokratike Shqiptare.

Marrëveshje të re ka kërkuar edhe kreu i lëvizjes për reforma në PDSH, Ziadin Sela: «Duhet të ketë marrëveshje të re, sepse nuk duhet më, një marrëveshje e cila nuk respektohet, dhe për të cilën, institucionet nuk kanë as dokumentin origjinal që t’i përmbahen. Duhet një marrëveshje e re, me të cilën Maqedonia të shpallej shtet binacional ose bilingual, pra e shqiptarëve dhe maqedonasve, dhe ndarje buxheti në nivel lokal, e jo si tani, i centralizuar», deklaroi Sela. Ai tha se gjuha shqipe është zyrtarizuar vetëm në nivel local, nuk është arritur përfaqësimi i dëshiruar në administratë, ndërsa shqiptarët burgosen padrejtësisht edhe më shumë se para vitit 2001.

Rilindja Demokratike Kombëtare vlerëson se kësaj marrëveshjeje afati i ka skaduar që para 11 viteve. «Ajo tani më vendin e ka në sirtarët e bibliotekave të universiteteve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Ky dokument duhet patjetër të bëhet pjesë përbërëse e konferencave, seminareve dhe debateve të ndryshme akademike dhe assesi nuk duhet të jetë pjesë përbërëse e jetës së përditshme shoqërore në krijimin e një pengu të vazhdueshëm të një popullate të tërë», thuhet në prononcimin e kësaj partie. Për të është absurde dhe ironi në vete të vazhdohet të flitet për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit që i ka skaduar afati para 11 vitesh.

Lëvizja Besa, një subjekt i posaformuar në skenën politike në Maqedoni përvjetorin e MO-së e ka shënuar përmes një performance ku ka ironizuar me «vdekjen» e Marrëveshjes. Të rinjtë e kësaj partie, në hyrje të selisë kishin vendosur edhe karrike me peshqir, ndërsa brenda kishin improvizuar pritje dhe «të pame» për vdekjen e MO-së. «Sot në mëngjes me keqardhje morëm lajmin e hidhur se është gjuajtur për vdekje Marrëveshja e Ohrit, ndërsa rrugës për spital ka ndërruar jetë. Në fakt, dhuna ndaj saj ka vijuar sistematikisht që nga viti 2001, porse sot përfundimisht mjekët e konstatuan vdekjen. Ndonëse prindërit e saj kishin menduar se pjekuria e saj do të arrihej qysh në vitin 2004, ajo edhe 11 vjet më vonë mbeti jo vetëm e parealizuar, por edhe e paralizuar. Personat që dyshohet se e kanë kryer këtë vrasje janë me iniciale A.A. dhe M.Th.», ka ironizuar në konferencën për media e Lëvizjes Besa.

Edhe analistët politik kanë dalë me teori për nevojën e arritjes së një marrëveshjeje të re politike që do të përmirësonte pozitën e shqiptarëve në Maqedoni. «Konstatoj se pas 14 vitesh, Marrëveshja e Ohrit është zhvlerësuar, nuk është zbatuar. Andaj sot duhet të mendohet seriozisht se si më tutje. Ose të realizohet me një dinamikë të shpejtë, ose të bisedohet për ndonjë marrëveshje që është më efikase», vlerëson analisti Ismet Ramadani. Analistët dhe gazetarët vendorë kanë akuzuar edhe partitë shqiptare si fajtorë për dështimin dhe devalvimin e Marëveshjes së Ohrit. Disa akuzojnë BDI-në dhe PDSH-në se nuk e kanë vënë si kusht implementimin e MO-së gjatë formimit të koalicioneve qeverisëse. Ndërsa disa analistë thonë se partitë shqiptare kanë përdorur dispozitën e përfaqësimit të drejtë, vetëm për punësime partiake.

BDI feston «sukseset» e Marëveshjes së Ohrit, nuk publikon raportin

Bashkimi Demokratik për Integrim është partia e vetme e cila festoi edhe këtë përvjetor të Marëveshjes së Ohrit, duke e vlerësuar si të suksesshëm implementimin e saj. Zërat e pakënaqur i quajnë si kërkesa të reja të kohës. Të enjten BDI organizoi edhe një ribunë për shënimin e 14 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, por nuk publikoi raportin e analizës për implementimin e deritanishëm. «Dinamika e jetës kërkon për herë e më shumë, standarde të reja, por pikënisja dhe korniza e Marëveshjes së Ohrit, është një model evropian për pajtimin e brendshëm, kështu që ne mundësisht të integrohemi sa më shpejtë në familjen evropiane», deklaroi zëvendëskryeministri për implementimin e Marëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi. Ai këto komente i bëri pas vizitës që bashkë me tre ministra të tjerë të BDI-së iu bënë varrezave të dëshmorëve në fshatin Sllupçan. Por ata atje nuk u pritën as edhe nga një banor i vetëm i Sllupçanit. I vetmi që i priti ishte përgjegjësi i kompleksit të varrezave të dëshmorëve.

Tërbohet Ahmeti nga akuzat për dështimin e MO-së, kritikuesit i quan «infantil»

Kabineti i Kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar ashpër ndaj vlerësimeve që opozita dhe analistët i bënë dështimit të Marrëveshjes së Ohrit. Në reagimin me shkrim këto kritika vlerësohen si nihilizëm esktrem dhe mosnjohje elementare në lidhje me Marrëveshjen Paqësore të Ohrit.

«Për fat të keq, këto subjekte infantile sot e shpallën të vdekur flamurin kombëtar shqiptar bashkë me gjuhën shqipe, universitetin shqiptar, komunat e udhëhequra nga shqiptarët, kulturën shqiptare, por edhe mbi 20’000 administratorë shqiptar, mbi 4’000 policë e ushtarë shqiptar dhe çdo të arritur tjetër si rezultat i luftës dhe Marrëveshjes së Ohrit», theksohet në deklaratën e kabinetit të kryetarit të BDI-së. Sipas zyrës së kryetrait, këto subjekte dhe individë infantilë shpallën të vdekur edhe garancën, përpjekjet dhe investimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, të cilat janë bashkëautorë dhe nënshkrues të Marrëveshjes së Ohrit.

Për BDI-në, këto subjekte i shërbejnë ideologjive të huaja për shqiptarët, andaj nuk habiten nga mohimi i vazhdueshëm i çdo të arriture shqiptare në këto vite. «Pikërisht më të zëshmit sot, kanë patur rastin ta dëshmojnë patriotizmin e tyre, por sikur atëherë, edhe sot, ata s’kanë as guximin e as dijen, sepse veprimtaria dhe patriotizmi i tyre i vonuar janë të prodhuara në laboratore të huaja dhe të papranueshme për shqiptarët», përfundon deklarata nga kabineti i Ali Ahmetit.