Ndryshimi i metodologjisë shkaktoi «rritje» të popullsisë më 2016

Një ndryshim në mënyrën se si Instituti i Statistikave vlerëson migrimin dhe emigrimin e shqiptarëve solli konkluzionin se popullsia e Shqipërisë «u rrit me 1 mijë vetë» ose 0,03 për qind gjatë vitit të kaluar.

Foto: Anton Watman / Shutterstock



Popullsia e Shqipërisë shënoi një rritje minimale prej 0,03 për qind gjatë vitit 2016, «për herë të parë që nga viti 2001», njoftoi Instituti i Statistikave, por kjo rritje erdhi si pasojë e ndryshimit të metodologjisë me të cilën INSTAT mat flukset migratore në vend.

Sipas vlerësimeve të INSTAT, popullsia më 1 janar 2017 qe 2’876’591 vetë.

Foto: BIRN

Popullsia e Shqipërisë ka ardhur vazhdimisht në rënie që nga viti 1991, kur pati shënuar kulmin në nivelin 3,2 milionë banorë. Shkaku kryesor i rënies së popullsisë banuese në Shqipëri ka qenë emigrimi masiv drejt vendeve të tjera si dhe rënia drastike e numrit të lindjeve.

Të dhënat e sakta mbi numrin e lindjeve për vitin 2016 nuk janë ende të disponueshme, por INSTAT njoftoi në vlerësimin e djeshëm se gjatë vitit të kaluar kanë lindur «rreth 32 mijë foshnja» shifër që mund të rezultojë më e ulëta që nga Lufta e Dytë Botërore.

Paralelisht me rënien e lindjeve, numri i vdekjeve në vlerë absolute si dhe në përqindje ndaj popullsisë është rritur përgjatë viteve si pasojë e plakjes së popullsisë dhe pakësimit të shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri. Diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve njihet si «rritja natyrore». Pavarësisht rënies së lindjeve dhe rritjes së vdekjeve, rritja natyrore mbetet në nivele pozitive. INSTAT thotë se numri i lindjeve gjatë vitit të kaluar qe «rreth 32 mijë» ndërsa numri i vdekjeve «rreth 11 mijë», me një diferencë neto prej plus 11 mijë vetë.

Popullsia vjetore vlerësohet nga INSTAT si një diferencë e thjeshtë mes numrit të lindjeve dhe atyre të vdekjeve, si dhe me një vlerësim të përafërt të flukseve migratore. Që nga censusi i vitit 2011, INSTAT ka përdorur një studim të asaj kohe për të vlerësuar se sa veta ikin zakonisht gjatë një viti nga Shqipëria dhe se sa emigrantë rikthehen në atdhe. Vlerësimi për periudhën 2011-2015 qe që numri i të ikurve qe më i lartë se sa numri i të kthyerve dhe shtesa natyrore të marra sëbashku.

Por për të dhënat e vitit 2016, INSTAT e ndryshoi metodologjinë duke përdorur të dhëna të nxjerra nga Anketa e Forcave të Punës për të vlerësuar emigrimin dhe migrimin dhe në bazë të këtyre të dhënave, doli në konkluzionin se emigrimi neto i shqiptarëve është pak më i ulët se sa rritja natyrore e popullsisë.

Sipas INSTAT, gjatë vitit 2016 vlerësohet se 33 mijë vetë u larguan në emigrim nga Shqipëria ndërsa 23 mijë të tjerë erdhën ose u rikthyen. Të njëjtat vlerësime për vitin 2015 qenë 41 mijë emigrantë dhe 33 mijë imigrantë.

INSTAT njoftoi gjithashtu se ka rishikuar statistikat demografike për periudhën 2001-2016. Sipas vlerësimeve të reja, popullsia gjatë kësaj periudhe ka rënë nga 3’069 milionë njerëz që qe në censusin e vitit 2001 në 2,876  milionë, me një rënie totale gjatë kësaj periudhe prej 6,1 për qind dhe me rënie mesatare vjetore prej 0,4 për qind.

Në tërësi, këto janë vlerësime të cilat mund të rezultojnë të gabuara.

Popullsia numërohet një herë në dhjetë vjet dhe censusi i fundit u bë në vitin 2011. Censusi i ardhshëm do të zhvillohet në vitin 2021. Në periudhat mes dy censuseve, popullsia mesatare vjetore është më së shumti një hamendësim.

Në vitin 2011, p.sh, projeksionet e INSTAT e vlerësonin popullsinë e Shqipërisë në rreth 3,2 milionë banorë, me supozimin se rritja natyrore qe afërsisht e barabartë me numrin e shqiptarëve të larguar drejt emigrimit si dhe atyre që janë kthyer nga emigrimi. Por censusi gjeti afro 330 mijë njerëz më pak nga sa supozohej.

Komponenti më i vështirë për t’u vlerësuar është numri i shqiptarëve të larguar në emigrim dhe i atyre që janë kthyer nga emigrimi.

(https://www.reporter.al/ndryshimi-i-metodologjise-shkaktoi-rritje-te-popullsise-me-2016/)