Ndryshim!

Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit duhet të vazhdojë revolucioni për çlirimin e Kosovës nga krimi e korrupsioni.



Më 23 tetor Prizreni duhet të zgjohet me një kryetar të ri. Qyteti i Lidhjes së Prizrenit duhet të qeveriset nga një njeri i papërlyer nga njollat e krimit e korrupsionit. Qyteti më i bukur i Kosovës duhet të administrohet nga një politikan lokal që i njeh problemet dhe është i gatshëm t’i zgjidh ato. Gjatë viteve të fundit Prizreni ka qenë një qytet i poshtëruar, i lënduar, i përbuzur. Në krye të qytetit qëndroi një kryetar i dënuar i një partie që e ka dënuar jo vetëm Prizrenin, por mbarë Kosovën.

Qytetarët e Prizrenit, shqiptarë dhe pjesëtarë të pakicave, duhet t’i japin fund keqmenaxhimit dhe t’i japin shans një kandidati të paharxhuar. Fatmirësisht, dy partitë kryesore në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pra partia e Ibrahim Rugovës, para zgjedhësve të komunës së Prizrenit dalin me kandidatë që e kanë dëshmuar veten si qytetarë seriozë dhe të ndershëm. «Dokufesti» tjetër duhet ta gjejë Prizrenin me një kryetar të denjë për të qenë kryetar.

Më 23 tetor edhe Gjakova duhet të zgjohet me një kryetar të ri. Driton Çaushi i Vetëvendosjes, i ati i të cilit dikur e themeloi Lidhjen Demokratike të Kosovës, është kandidati më i denjë, i cili kërkon besimin e qytetarëve të Gjakovës. Ky qytet me traditë e me shpirt të ndritur kulturor, ky qytet i shkatërruar dhe i terrorizuar nga bandat e shtetit serb, që nga viti 1999 ka qenë, kryesisht, në duar të hajdutëve. Kur ndonjëri nga hajdutët që terrorizonte qytetin, vritej, atëherë qytetarët e Gjakovës dilnin në rrugë për të festuar. Veçanërisht festonin vajzat, sepse në qytet tani e tutje do të bënte kërdi një bandit më pak.

Më 23 tetor Prishtina mund të zgjohet me kryetarin e deritanishëm, i cili mund të kishte punuar më shumë, por merita e tij kryesore është kjo: forcimi i besimit se ndryshimi është i mundshëm kudo në Kosovë. A ka merita të tjera Shpend Ahmeti? Pafund. Nuk janë merita spektakulare. Janë rezultate të prekshme. Në pothuaj çdo sportel të komunës qytetari sot nuk trajtohet si armik, si leckë, si kundërshtar, si lypës. Gjatë katër viteve të fundit nuk ka pasur politikan tjetër të Kosovës që është njollosur më shumë nga «mediat» e regjimit se Shpend Ahmeti. Edhe kjo është arsye për t’ia dhuruar besimin për katër vitet e ardhshme. Kur një politikan goditet aq egërsisht nën brez, kjo është dëshmi se angazhimi i tij në politikë shihet si rrezik për bandat.

Më 23 tetor Prishtina mund të zgjohet edhe me një kryetar tjetër: Arban Abrashin e LDK-së. Një politikan i ri i LDK-së, i cili s’ka njolla në biografinë e tij politike. Por, do ta ketë vështirë për shkak të imazhit jo aq të mirë të LDK-së në Prishtinë. Në kryeqytetin e Kosovës elektorati mund ta ndëshkojë LDK-në për shkak të aleancave të saj në nivel qendror. Sidoqoftë, Arban Abrashi mund të jetë fitues moral – edhe kundër atyre hajvanëve të Vetëvendosjes që e përlyen me vezë.

Në Gjilan gara do të zhvillohet mes kandidatit të LDK-së dhe atij të Vetëvendosjes. PDK me javë të tëra kërkoi një kandidat dhe pasi nuk gjeti – pataten e nxehtë ia lanë në duar të dëgjueshmit Zenun Pajaziti, një kandidat kundër vullnetit të tij. Në Mitrovicë kryetari i tanishëm do të shkojë në shtëpi. Aty ku e ka vendin. Gara në qytetin e minatorëve do të jetë e ngushtë mes PDK-së, e cila ka arritur ta joshë një aktiviste të shoqërisë civile të kandidojnë për kryetare të komunës, dhe aspirantëve të LDK-së dhe VV-së. Por, problemi i PDK-së është imazhi i saj i keq, andaj edhe po ta kandidonte Barack Obamën në Mitrovicë, fitoren do ta kishte të vështirë.

Në Ferizaj beteja për të parin e komunës ka gjasa të zhvillohet mes LDK-së dhe VV-së. Për PDK-në Ferizaj nuk është më bastion, por vetëm një komunë që s’mund të mashtrohet (më) me premtime gjigante. Peja, qyteti më i rëndësishëm i Kosovës në pjesën kufitare me Malin e Zi, gjendet para kësaj alternative: të vazhdojë me kryetarin e deritanishëm nga LDK apo të eksperimentojë me kandidatë pa pothuaj asnjë përvojë në qeverisjen lokale.

Një muaj para zgjedhjeve lokale në Kosovë një gjë mund të thuhet me siguri të plotë: PDK është në rënie të lirë. Dhe ky është lajmi më i mirë për Kosovën që nga viti 1999. PDK ndoshta do të vazhdojë të qeverisë me Rahovecin. Pse jo. VV po e kërkon besimin e qytetarëve me një kandidat që do të duhej të përjashtohej nga partia. Krerët e VV-së e kanë një talent shembullor: kur të tjerët ia fusin vetes gjilpërën, VV e kap qysqinë. Kuptohet në dëm të vetes. – Në këtë shkrim është e pamundur të numërohen të gjitha komunat, por me rëndësi është që të ndëshkohen partitë që e kanë dërrmuar Kosovën në nivel qendror. Përse, për shembull, Suhareka të mos ketë një kryetar të paharxhuar? Apo Kamenica? Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit duhet të vazhdojë revolucioni për çlirimin e Kosovës nga krimi e korrupsioni. Ai revolucion ka filluar më 11 qershor.