Ndotje alarmante të ambientit në zonat malore të Prizrenit




Mbeturinat që hidhen në natyrë nga pushuesit ditorë, përgjatë shiritit të gjelbër nga Lugina e Lumëbardhit e deri në Prevallë, ka shtyrë autoritetet komunale të Prizrenit që të konsiderojnë ndërmarrjen e një aksioni më të gjerë për pastrimin, sikurse edhe realizimin e fushatave për vetëdijesimin e popullatës për domosdonë e ruajtjes së mjedisit.

 

Drejtori i Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Mensur Bytyçi, ka theksuar se në këtë pjesë po ka sasi të mëdha mbeturinash, që hidhen nga persona të papërgjegjshëm, që po u krijojnë tablo të këqija atraksioneve turistike të Prizrenit, shkruan sot Koha Ditore.

«Pamja është e mjerueshme dhe po na e qet faqen e zezë», ka thënë Bytyçi, para anëtarëve të Qeverisë komunale të Prizrenit.

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, është pajtuar që të vendosen tabela paralajmëruese në sa më shumë pika, sikurse të vendosen edhe shporta me qese plastike të zeza në mënyrë që secili që del për piknik t’i shfrytëzojë ato.

Ndërkaq drejtori i Shërbimeve Publike, Hasan Hasani, ka pranuar se kohë më parë gjendja në Prevallë ka qenë e rëndë, por se pak ditë më parë MMPH-ja dhe «Ekorajoni…» kanë nënshkruar një kontratë në bazë të së cilës ndërmarrja publike për mbeturina merr përsipër përgjegjësinë për mirëmbajtjen e kësaj pjese.

Pak muaj më parë pushuesit, që kishin shpresuar të gjenin një mjedis relaksues në Prevallë, janë dëshpëruar teksa kanë parë papastërtinë, në Prevallë, por edhe gjatë rrugës që çon në këtë lokalitet natyror.

Fakti se edhe Prevalla është pjesë integrale e parkut nacional «Malet e Sharrit», nuk u ka lënë përshtypje vendimmarrësve të Komunës së Prizrenit, por edhe të nivelit qendror, të cilët vite më parë kishin miratuar akte me të cilat kishin mundësuar ngritjen e fshatit turistik dhe lejimin e kampimit, pa mekanizma të duhur kontrolli.