Ndotja totale

Uji, ajri e toka në Kosovë janë në nivel ndotjeje të papranueshëm për shekullin në të cilin jetojmë. Lumenj e liqene po mbushen me plehra e po zbrazen nga gjallesat ujore, oksigjeni gjithnjë e më shumë po shoqërohet nga pluhuri dhe grimca metalesh të rënda, e dheu po zëvendësohet me beton dhe po zhytet në materie toksike.

Kosova është ende larg krijimit të rrjeteve të ujësjellësit e të kanalizimit në nivel vendi, problem që shumë kombe e kanë zgjidhur shekuj më herët. Lumenjtë janë kthyer në kolektorë të ujërave të zeza, e fushat në deponi bërlloku. Dhe, derisa është kështu, shumë qytetarë të saj furnizohen për pije me ujë pusesh, shumica e të cilëve të kontaminuar edhe nga fekalet, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në anën tjetër, toka po tkurret nga ndërtime ilegale që bëhen pa u penguar nga autoritetet. Malet po zhvishen nga prerjet ilegale. Ato edhe po shemben nga ekskavatorë të njerëzve të lidhur me pushtetin, të cilët mbajnë rrjetet e gurëthyesve.

Industria identifikohet si ndotësi kryesor i ujit, ajrit e tokës. E, si katër ndotësit më të mëdhenj janë listuar: Termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës, NewCo “Ferronikeli”, “Trepça” dhe “Sharr Cemi”. Midis ndotësve kryesorë janë edhe rreth 250 mijë veturat, pjesë e madhe e të cilave nuk përmbushin kushtet e Bashkimi Evropian për t’u lejuar së qarkulluari.

Qeveria nuk ka bërë një analizë të efekteve të kësaj ndotjeje, por janë të frikshme të dhënat që hasen në raporte kredibile ndërkombëtare. Sipas një analize të Bankës Botërore, e publikuar rreth dy vjet më parë, ndotja e ajrit në Kosovë llogaritet se shkakton 852 vdekje të parakohshme. Ndërkaq, kostoja vjetore e degradimit mjedisor llogaritet prej 223 milionë eurosh.

Zonat më të ekspozuara ndaj këtij ambienti janë Prishtina, Obiliqi, Drenasi dhe Mitrovica.

Kryeqyteti është tri herë më i ndotur se Londra për nga prania e grimcave të vogla në ajër, të rrezikshme për sistemin e frymëmarrjes. Edhe sa u takon grimcave të ngurta PM2.5 është më i ndotur për tri herë më shumë sesa shumica e qyteteve evropiane. Me ndotje ia kalon edhe “luginës evropiane të silikonit” që ndodhet në Krakovë të Polonisë.

Kësisoj, shëndeti i secilit qytetar mbetet i cenuar nga indiferenca e shtetit përballë ndotjes totale që shënon përkeqësim. Në institucione thonë se ligjet dhe strategjitë janë në nivel me ligjet për mjedisin të Bashkimit Evropian, por ligjet që kufizojnë ndotjen e ajrit, të ujit e të tokës nuk respektohen në Kosovë. Tregues më i mirë për rëndësinë që Qeveria i kushton mjedisit është buxheti që për të ndan – ai nuk tejkalon lartësinë e një milioni euro për 2015-n.