Ndjekja e kriminelëve politikë: Maqedonia gjen një mënyrë për të zgjatur punën e Prokurorisë Speciale

Prokuroria Speciale e Maqedonisë do ta zgjasë mandatin e saj për të hetuar krime të nivelit të lartë duke u bërë pjesë e prokurorisë së rregullt, thotë zëvendësministri i drejtësisë i vendit. Prokuroria Speciale arriti të ngrejë akuza në rreth 20 raste deri në afatin e saj në qershor. Pothuajse të gjitha paditë kishin të bënin me zyrtarë nga ish-partia qeverisëse VMRO DPMNE.

Nikolla Gruevski, kryeministër shumëvjeçar i Maqedonisë,, i dyshuar për krime të ndryshme politike dhe korrupsion.



Maqedonia ka në plan të inkorporojë Prokurorinë Speciale (SJO) në një departament të veçantë të Prokurorisë Publike, e cila do ta lejonte atë të përfundojë hetimet e saj në vazhdim, tha zëvendësministri i drejtësisë, Oliver Ristovski. Në një intervistë për të përditshmen «Nezavisne», të botuar të premten, Ristovski tha se projekt-ndryshimet do t’i jepnin gjithashtu Prokurorisë Speciale një mandat shtesë për të hetuar çështje të tjera të korrupsionit në nivel të lartë në të ardhmen, të cilat nuk dalin nga përgjimet e paligjshme të qeverisë së fundit – arsyeja për themelimin e saj.

«Prokuroria Speciale do të vazhdojë hetimet e saj për çështje që rrjedhin nga bisedat e përgjuara, sepse ne shohim se ka ende materiale për punën e prokurorëve, por gjithashtu do të punojë edhe në raste të tjera të korrupsionit të zyrtarëve të nivelit të lartë», zbuloi Ristovski. Ai tha se projekt-ndryshimet në Ligjin mbi Prokurorinë, të projektuara për të rritur efikasitetin dhe pavarësinë e saj, po bëhen në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë dhe me ndihmën e ambasadës amerikane. «Ne duhet t’i përfundojmë plotësisht këto ndryshime deri në fund të vitit 2018», shtoi ministri.

Prokuroria Speciale u krijua në vitin 2015 si pjesë e një marrëveshjeje krizash politike e sponsorizuar nga BE. Ajo duhet të hetonte krime të dyshuara të nivelit të lartë që dolën në dritë nga bisedat e përgjuara të publikuara nga Partia Socialdemokrate (SDSM), e cila në atë kohë ishte në opozitë. Edhe pse Prokurorisë Speciale iu dhanë pesë vjet kohë për të hetuar përgjimet, asaj iu dha një afat i shkurtër për të ngritur akuza lidhur me ato çështje, mandat i cili skadoi më 30 qershor të vitit të kaluar. Prokuroria Speciale arriti të ngrejë akuza në rreth 20 raste deri në afatin e saj në qershor. Pothuajse të gjitha paditë kishin të bënin me zyrtarë nga ish-partia qeverisëse VMRO DPMNE, e cila ishte në pushtet nga viti 2006 deri në prill të vitit të kaluar.

Por skadimi i afatit përfundimtar nënkupton që Prokuroria Speciale nuk ka më të drejtë të ngrejë akuza të reja në 120 raste të reja, në fazë para-hetimi apo hetimi, që janë ende në vazhdim. Në intervistën e tij, Ristovski tha se qeveria kishte vendosur ta përfshinte Prokurorinë Speciale në prokurorinë e rregullt, e cila gjithashtu po pëson reforma të kërkuara nga BE-ja, sepse zgjatja e mandatit të saj për të ngritur akuza nuk ishte një rrugë e zbatueshme. «Është e çuditshme të zgjasësh një afat kohor që ka përfunduar shumë kohë më parë», tha ai. (BIRN)