«Ndjej respekt për luftëtarët e vërtetë që sot i vret paqja»

INTERVISTË - 40 pyetje - 40 përgjigje: Salajdin Salihu, studiues i letërsisë dhe poet nga Tetova.

Salajdin Salihu, studiues i letërsisë dhe poet nga Tetova.



Në kapërcyell të shekujve XIX/XX në sallonet e Parisit ishte modë që gjatë pritjeve mysafirët të plotësonin një «Questionnaire», një pyetësor. Një të tillë e kishte plotësuar edhe 13-vjeçari Marcel Proust në një festë për nder të ditëlindjes së Antoinette Faure, të bijës së presidentit të mëvonshëm francez Félix Faure.

Në moshën 20-vjeçare Proust ishte përgjigjur edhe njëherë në këtë pyetësor, të cilit ia kishte dhënë titullin: «Marcel Proust par lui-même» («Marcel Proust mbi vetveten»). Që nga atëherë «Questionnaire» u bë i famshëm bashkë me shkrimtarin Marcel Proust (1871-1922).

Traditën e pyetësorit e vazhduan gazetat e revistat deri në ditën e sotme, mes tyre edhe e përditshmja gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» dhe «Vanitiy Fair». Duke e marrë si model dhe inspirim pyetësorin e Proustit dialogplus.ch fillon me botimin e intervistave me 40 pyetje, në të cilat do të përgjigjen personalitete të ndryshme.

  1. Në cilin vend dëshironi të jetoni në hapësirën e banuar me shqiptarë?

Ndonjëherë dëshiroj të jetoj diku në zonat bregdetare, pranë një limani ose ndonjë fari të harruar e ndonjëherë diku në alpet shqiptare, pa telefon dhe pa internet. Thjesht, në paqe me vetveten dhe natyrën. Si një Robinson Kruzo.

  1. Cilin personalitet të historisë shqiptare do të dëshironit ta takonit sikur të ishe e mundshme?

Marin Barletin.

  1. Çka do ta pyetnit së pari?

Si quhej zoti i Pollogut?

  1. Cili është personaliteti më i rëndësishëm historik për ju?

Ata që nuk i njeh historia, që i shpikën shkronjat dhe numrat…

  1. A ekziston Zoti?

Po, ekziston. Zoti e krijoi Tokën, këtë perlë në gjirin e Gjithësisë. E krijoi Njeriun, «pluhurin e dashuruar në hije», siç thotë Sjorani. Nuk mund t’i krijonte rastësia, por përsosmëria… Nuk i honeps ata që Zotit, siç thotë një autor antik, ja mveshin mendimin e turmës. Mendjet e korruptuara nuk i lidh asgjë me Zotin, i cili, siç thuhet, të diturit i pret me buzëqeshje.

  1. Cilin libër po e lexoni aktualisht?

Në «Mbretërinë e re të Shqipërisë» nga Gabriel Louis – Jaray, ku flet për tokat shqiptare në vitin 1914.

  1. Cilin qytet të ish-Jugosllavisë keni dëshirë ta vizitoni?

Dubrovnikun, për shkak të detit, historisë, arkivave…

  1. Kur keni udhëtuar për herë të parë jashtë shtetit dhe në cilin vend keni qenë?

Në fund të viteve 70-ve të shekullit të kaluar (jemi brez që kemi jetuar ndërmjet dy shekujve). E kam vizituar Selanikun, pa dijeninë e prindërve…

  1. Kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri?

Në vitin 1992, kur përjetova zhgënjim të madh. Nuk kisha iluzione se do të shihja «parajsë tokësore», por nuk e mendoja se kjo «terra incognito» do më shfaqej si shkretëtirë…

  1. Çfarë do të ishte për ju fatkeqësia më e madhe?

Të jetosh me ndërgjegje të njollosur…

  1. Cilin shkrimtar të huaj e pëlqeni më së shumti?

Shekspirin.

  1. Kultura e cilit vend perëndimor ju pëlqen më së shumti?

Kultura antike greke dhe romake…

  1. Cili emër ju pëlqen më së shumti?

Progoni.

  1. A do të merrnit pjesë në dasmën e një çifti homoseksual?

Kam tjetër kuptim për martesën…

  1. A do të ishit i gatshëm të luftoni në rast se rrezikohet liria e vendit?

Shqiptarët kanë bërë tri luftëra në dekadat e fundit dhe në asnjërën nuk kam qenë pjesëmarrës si ushtar. Është hipokrizi nëse do thosha se do të luftoja, kur këtë s’e bëra kur mund ta bëja. Ndjej respekt, deri në përkulje, për ata që luftuan apo u vranë për lirinë. Ndjej respekt për luftëtarët e vërtetë që sot i vret paqja. Dhe neveri për ata që u pasuruan në emër të luftës…

  1. Cilin person s’do të kishit dëshiruar ta takoni kurrë?

Nuk dua t’i takoj «mbretërit e luftës». Janë disa bisha që nuk dua t’ua përmend as emrat, disa kriminelë që shkaktuan gjenocide, si në Kosovë apo Bosnjë, edhe pse institucionet ndërkombëtare të drejtësisë ngurrojnë ta përmendin fjalën «gjenocid». Në mesin e bishave ka edhe shkrimtarë…

  1. A duhet të bashkohen Kosova dhe Shqipëria?

Po, sepse do të bëhej shtet më konkurrues. Por sot nënshtetasit e Kosovës duhet që ta duan Kosovën, t’i respektojnë institucionet dhe simbolet e saj. Është shteti i tyre. Shteti nuk është vetëm ndjenjë, por edhe siguri. Ai e kthen kaosin në harmoni. Nuk shoh se e duan… Pa ndjenjë të theksuar për jetën e përbashkët, për pronën publike, nuk bëhet shteti. Ata që i përligjin vjedhjet e pronës publike (në stilin: «pse të merakosem kur nuk i ka vjedhur paratë e mia, por të shtetit»), janë armiqtë më të mëdhenj të shtetit. Janë të ngjashëm me ata që vjedhin pronën publike, veçse nuk u është dhënë mundësia.

  1. A është dëmtuar dialekti gegë me standardin gjuhësor të vitit 1972 dhe a duhet të ndryshohet ky standard?

Më shumë se sa dialekti është dëmtuar gjuha. Dialektet trajtohen si tmerr i gjuhës edhe pse janë pasuri gjuhësore. Dialektet janë lumenjtë, kurse gjuha është deti. Gjuha pasurohet nëpërmjet shkrimtarëve, këtyre gjuhëpasuruesve, që marrin «fjalë plaka dhe të harrueme» nga dialektet. Shkrimtarit nuk i mjafton gjuha e administratës. Nëpërmjet gjuhës ai ngjall një kohë dhe kjo nuk bëhet vetëm nëpërmjet gjuhës së administratës. Shkrimtari edhe shpik fjalë. Për Tolstoin thuhej se «e maltretonte» gjuhën standarde ngase shtonte vazhdimisht fjalë të reja… Sot kemi dy ekstreme: njëri që e mbron me fanatizëm standardin dhe e barazon me «gjuhërenë» dhe ekstremi tjetër që mohon gjithçka. Këto çështje nuk i zgjidh vetëdija revolucionare…

  1. Cilit komb dhe cilës kulturë do t’i kishit takuar me qejf?

I takoj kombit dhe kulturës shqiptare dhe e dua këtë kulturë të lashtë e shumështresore. Shqiptarët, si çdo komb i botës, i kanë virtytet dhe veset e tyre. Dua që të huazojmë nga kulturat që i japin rëndësi përkushtimit, disiplinës, metodës dhe ndjenjës për jetë të përbashkët, sikurse gjermanët…

  1. Sikur të kishit pushtetin politik çfarë do të ndryshonit së pari?

Do ndryshoja sistemin arsimor, duke filluar nga çerdhet dhe do të punoja për një autonomi totale të institucioneve…

  1. Cili është personi më i rëndësishëm për ju?

Njerëzit e familjes, që qëndrojnë pranë nesh edhe kur na braktisin të gjithë.

  1. Cilat media preferoni t’i lexoni?

Mediat e shkruara. Mendoj se libri i bën dijet e qëndrueshme. I takoj Galaktikës Gutenberg, por nuk i paragjykoj mediat e reja. Lexoj edhe libra në formate digjitale, por leximi i një libri të shtypur për mua është si njëfarë rituali…

  1. Cila ngjyrë ju pëlqen më së shumti?

E bardha, sepse nuk i fsheh njollat…

  1. Cila lule ju pëlqen më së shumti?

Lulebora, që sikur paralajmëron një cikël të ri kohe.

  1. Cilin virtyt tuajin e çmoni më së shumti?

Pamundësinë për të urryer, për t’u hakmarrë. I fal edhe ata që nuk e meritojnë. Ka që e quajnë ves ose dobësi…

  1. Cilat virtyte i çmoni te një grua?

Të qenit grua…

  1. Cilat virtyte i çmoni te një burrë?

E kemi një fjalë shqipe: Burrni…

  1. Cilin politikan të kohës së Jugosllavisë e vlerësoni më shumë?

Mbase Stipe Mesiq, sepse nuk u korit…

  1. Cilin politikan të Kosovës pas vitit 1989 e vlerësoni më shumë?

Ibrahim Rugovën, sepse idenë e hodhi në veprim. Ai kishte vizion për krijimin e shtetit të Kosovës, që tani është realitet. Sot hyhet në politikë pa ide. Njeriu pa synim është i çoroditur, thotë shkrimtarja Ayn Rand.

  1. Cilin politikan të Republikës së Shqipërisë në këto 25 vitet e fundit e vlerësoni më shumë?

«Mos shkruaj për princa se do të pendohesh», thotë Danillo Kish. Ndoshta kjo është mënyrë për t’i ikur pyetjes…

  1. A ka Enver Hoxha ndonjë meritë për Kosovën?

Ende mendoj për ndonjë meritë të tij… Mbase pse nuk i pengoi disa profesorë, për shembull si Eqrem Çabej, të vinin në Kosovë dhe të mbanin ligjërata.

  1. A ka Josip Broz Tito ndonjë meritë për zhvillimin politik, arsimor, ekonomik dhe kulturor të Kosovës?

Edhe pse e bëri për të tjera interesa, ai nuk doli kundër Kushtetutës së vitit 1974. Megjithatë për mua Tito ishte një diktator…

  1. Cili është për ju personaliteti më i urryer historik?

Hitleri, Stalini, Millosheviqi… e të mendermethënshmit e tjerë si ata.

  1. Sikur të kishit jetuar në Luftën e Dytë Botërore a do t’iu kishit bashkuar lëvizjes partizane në luftë kundër pushtimit nazist?

Fashizmi ishte kërcënim botëror. Ata që iu kundërvunë e luftuan të keqen. Më pas do të isha kundër idhujve të ri. Revolucionarët nuk shquhen për kapacitete intelektuale, as nuk kanë shpirt krijues… Shumë shqiptarë nuk ju bashkëngjiten kësaj lufte, sepse panë se po lindte një regjim po aq i keq…

  1. Cili është intelektuali më i madh i Kosovës?

Pjetër Bogdani dhe Hasan Prishtina.

  1. Cili është shkrimtari më i madh shqiptar?

Ismail Kadare.

  1. Cili është aktori/aktorja më e madhe shqiptare?

Bekim Fehmiu.

  1. A keni marrë pjesë në ndonjë demonstratë?

Si student në Prishtinë, në fillim të viteve 90-të dhe në një demonstratë në Tetovë, para se të shpërbëhej Jugosllavia…

  1. A është toleranca fetare mes shqiptarëve mit apo realitet?

Harmonia fetare është vlerë e madhe, është pjesë e ADN-së sonë, një dëshmi se si komb jemi të hapur ndaj diversiteteve. Kjo vlerë sot goditet me të madhe, por konstitucioni mendor shqiptar nuk do ta lejojë triumfin e mendjeve të errëta.

  1. Cila është ëndrra juaj më e madhe?

Që ëndrra ime të bëhet zhgjëndërr: shqiptarët t’i shoh si pjesë e Europës si mendësi…