Ndihma e huaj: Vendet që janë më bujare

Ndërsa krizat humanitare në botë përhapen gjithnjë e më tepër, nevoja për ndihma nga jashtë është më e rëndësishme se kurrë. Matja e dhuruesit më të madh varet nga këndvështrimi i vlerës ose përqindjes.

Foto: Chinnapong / Shutterstock

Ndihma është një mjet i rëndësishëm për promovimin e zhvillimit dhe mirëqenies, dhe është një pjesë e rëndësishme e strategjisë së jashtme për shumë qeveri.

Por cilat shtete janë më bujare? Kjo varet nga mënyra se si e shohim.

Duke parë Ndihmën Zyrtare të Zhvillimit (ODA), OSBE llogariti shpenzimet e anëtarëve të saj për vitin 2015 – si në total edhe në përqindje të të ardhurave kombëtare bruto.

Ndihma e huaj matur me miliona dollarë për vitin 2015.
Ndihma e huaj matur me miliona dollarë për vitin 2015.

SHBA-ja, jo befasisht, renditet e para kur shohim shpenzimin total. Vitin e shkuar, SHBA dha 30 miliardë dollarë ose për ndihmë bilaterale ose përmes organizatave ndërkombëtare si Banka Botërore ose OKB.

Gjermania është e dyta, me mbi 20 miliardë dollarë ODA vitin e shkuar. Kjo përbën një rritje prej mbi 4 miliardë krahasuar me vitin 2014.

Lista kryesohet nga vendet europiane, por Emiratet e Bashkuara Arabe, Kanadaja dhe Japonia shfaqen gjithashtu.

Një panoramë tjetër shfaqet megjithatë, nëse marrim në konsideratë përqindjen për të ardhurat kombëtare bruto.

Ndihma e huaj matur në bazë të të ardhurave kombëtare bruto për vitin 2015.
Ndihma e huaj matur në bazë të të ardhurave kombëtare bruto për vitin 2015.

Ashtu si SHBA në shpenzimet totale, Suedia shfaqet përpara vendeve të tjera në këtë lloj matjeje. Vitin e shkuar, ndihmat e Suedisë ishin 1,41 për qind të të ardhurave kombëtare bruto, dhe vendi është zotuar ta mbajë shifrën mbi 1 për qind.

Emiratet e Bashkuara Arabe renditen në vendin e dytë, ndërsa Norvegjia në të tretin – por të dyja me shifra mbi 1 për qind.

OKB i ka bërë thirrje vendeve të përparuara ekonomikisht të shpenzojnë të paktën 0,7 për qind të të ardhurave kombëtare bruto për ndihma të huaja. OSBE argumenton se ndoshta kjo është “shënjestra më e mirë për ndihmën ndërkombëtare”. Megjithatë, siç e tregon grafiku më lart, disa vende e kanë përmbushur kërkesën.

Teksa krizat humanitare vazhdojnë nëpër botë, ndihma mbetet po aq e rëndësishme sa kurrë. Por ndërsa disa vende i kanë përmbushur synimet e OKB, ka shumë të tjera që janë nën nivelin 0,7 për qind.

(reporter.al: http://www.reporter.al/ndihma-e-huaj-vendet-qe-jane-me-bujare-grafik/)