Ndeshja finale për fatin e Europës

Rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Francë mund të ketë pasoja për Bashkimin Europian dhe Ballkanin nëse fitojnë kandidatët prorusë. Qëndrimi i së paku tre kandidatëve ndaj pavarësisë së Kosovës është tejet shqetësues.

Ilustrimi: Shutterstock



Kudo në Europën perëndimore vërehet një nervozizëm para zgjedhjeve presidenciale në Francë. I vetmi kandidat që premton se nuk do të bëjë ndryshime radikale në raport me Bashkimin Europian është Emmanuel Macron. Kandidatët e tjerë që kanë shanse për të fituar premtojnë kthesa të mëdha në politikën franceze. François Fillon, kandidati konservator i diskredituar nga akuzat për korrupsion, njihet si mik i Vladimir Putinit. Fillon ka deklaruar se do të largojë nga puna gjysmë milioni zyrtarë nga shërbimet publike. Marine Le Pen, kandidatja e Frontit Nacional ultranacionalist, ka premtuar se sapo të marrë postin e presidentes do të iniciojë daljen e Francës nga Bashkimi Europian. Pas Brexitit, ikjes së Britanisë, ajo kërkon një Frexit, largimin e Francës nga BE, përfshirë edhe heqjen dorë nga valuta e përbashkët europian, euro.

Jean-Luc Mélenchon, një komunist utopik, është përbetuar se do të marrë masa radikale ndaj shtresës së pasur për të përkrahur klasën punëtore. Për këtë qëllim ai dëshiron të investojë 100 miliardë euro dhe të krijojë 300 mijë vende të punës. Se ku do t’i marrë këto miliarda Mélenchon nuk e ka thënë ende. Emmanuel Macron ka qenë ministër i ekonomisë në qeverinë socialiste të presidentit të deritanishëm François Hollande. Pas shkëputjes nga socialistët Macron ka themeluar një lëvizje politike, e cila nuk është as e majtë, as e djathtë. Së paku kështu thotë Macron. Qëllimi i tij është të tejkalojë ndarjen skematike në politikën franceze mes të majtës dhe të djathtës dhe të reformojë Francën.

Është e paqartë se kush do të fitojë këto zgjedhje presidenciale, ndër më të rëndësishmet në historinë bashkëkohore të Francës. Një gjë është e sigurt: në raundin e parë, i cili do të zhvillohet nesër, nuk do të fitojë asnjë kandidat. Anketat tregojnë se në raundin e dytë më 7 maj mund të shkojnë Macron dhe Le Pen. Për të penguar Le Pen edhe konservatorët do të votojnë për Macron dhe kështu ai do të jetë president. Ky është parashikimi i një pjese të politologëve në Paris. Por mund të ndodhë e kundërta: Macron, i cili përpiqet ta prezantojë veten si Obama francez, nuk do të arrijë të mobilizojë votuesit përtej qendrës dhe nuk do të marrë sa duhet vota nga e majta e përçarë në mënyrë kronike, andaj presidente do të bëhet Marine Le Pen. Një skenar i tillë nuk duhet të përjashtohet.

Nëse fiton njëri nga kandidatët prorusë – Le Pen, Mélenchon apo Fillon -, atëherë Bashkimin Europian e presin ditë të vështira. Vetëm Fillon mund të jetë pak më i moderuar ndaj BE-së, por që të tre mbajnë qëndrime të diskutueshme ose ekstreme sa i përket çështjes së Kosovës. Fillon e ka krahasuar Kosovën me Krimenë: nëse, sipas tij, Vladimir Putini e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me aneksimin e Krimesë, një gjë të tillë e ka bërë edhe Perëndimi duke intervenuar në Kosovë më 1999. Me këtë mendim absurd është pajtuar edhe komunisti Mélenchon.

Marine Le Pen, ndërkaq, është e afërt me Kremlinin dhe nga mediat serbe citohet të ketë thënë se sapo të vijë në pushtet do ta anulojë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Se ku e ka thënë dhe kujt ia ka thënë këtë Le Pen mediat serbe nuk tregojnë, andaj ka gjasa të jetë një gënjeshtër e radhës e portaleve dhe gazetave të nëntokës së Beogradit. Sidoqoftë, nga Le Pen nuk mund të priten qëndrime pozitive ndaj Kosovës.

Politologu britanik Timothy Garton Ash i ka deklaruar gazetës zvicerane «Tages Anzeiger» se zgjedhjet presidenciale franceze janë një ndeshje finale për fatin e Europës. «Sepse në Gjermani do të ketë një koalicion të qendrës, pa marrë parasysh a e formon qeverinë Angela Merkel apo Martin Schulz. Në Francë, ndërkaq, është shumë e mundshme të fitojë Marine Le Pen, gjë që do të ishte një shok. Bashkimi Europian do të futej në krizën më të madhe të historisë së tij. Por ky nuk do të ishte fundi i BE-së, sepse Le Pen nuk do të mund të siguronte shumicën për dalje nga BE. Megjithatë, do të kishim një BE krejt tjetër».

Filozofi gjerman dhe njohësi i Francës Peter Sloterdijk i ka quajtur zgjedhjet presidenciale franceze një karnaval të egomanive. Sipas tij cinizmi nuk është më privilegj i elitave, por ka përfshirë pjesë të gjera të popullsisë. «Après nous le déluge», pas nesh u bëftë kiameti, ky është qëndrimi i shumë francezëve. «Popullizmi është konstantë e politikës franceze që nga viti 1793. Robespierre ka qenë i sigurt se ishte vetë populli. Edhe Napoleoni i III ka qenë i bindur se e ka inkarnuar popullin dhe kësisoj disponon me të drejtën për të pasur popullaritet të gjerë. Popullistët e sotëm i referohen këtyre skematizmave. Algoritmi elementar i çdo popullizmi qëmoti është ky: pjesa është tërësia dhe pakica në realitet janë të gjithë», tha Sloterdijk për gazetën zvicerane «Neue Zürcher Zeitung».

Zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen nën hijen e terrorit. Të enjten një terrorist me gjasë islamik ka vrarë një polic dhe ka plagosur disa të tjerë në Avenue des Champs-Elysée, në zemër të Parisit. Debati publik po dominohet nga pyetja nëse sulmi do t’i ndihmojë ultrancionalistes Le Pen. Tashmë dy vite Franca është në shënjestër të terroristëve islamikë.