Ndërtesat historike të Bukureshtit përpara një të ardhmeje të pasigurt

Ndërsa shumë nga ndërtesat e mëdha të vjetra të kryeqytetit rumun janë vlerësuar dhe vazhdojnë të kërkohen në tregun e pronave, të tjera po shkojnë drejt rrënimit.

Pallati Spayer në qendër të Bukureshtit, ndërtuar në 1915-1923. Foto: Ana Maria Touma/BIRN



Një nga ndërtesat më simbolike të Bukureshtit dhe ish-selia e bankës më të fortë të Rumanisë ndërmjet dy luftërave botërore ka dalë në shitje për 3.8 milionë euro.

Pallati Spayer, i ndodhur në afërsi të sheshit qendror në rrugën Victoriei, doli në shitje në fillim të prillit pas një gjyqi gjashtë-vjeçar me Bankën Qendrore të Rumanisë, BNR dhe disa institucioneve të tjera shtetërore dhe bankave private.

Pallati, një nga më të mëdhenjtë në kryeqytetin e Rumanisë, i ndërtuar në 1915-1923 nga Herman Spayer, pronar i Marmorosch, Blank & Co, banka më e fuqishme private në vend në atë kohë.

Ndërtesa u shpëtua nga një padi: në vitin 2010, një ndërtues kërkoi të ngrinte një kullë xhami mbi të, edhe pse ndërtesa është një monument historik.

Tani objekti në pritje të një blerësi të gatshëm të investojë edhe 2 milionë euro të tjera për ta rinovuar dhe sipas shpresës së arkitektëve, të jetë dikush që e vlerëson.

Shumë ndërtesa historike dhe kryevepra arkitekturore si Pallati Spayer në Bukuresht përfundojnë në tregun e pasurive të patundshme dhe janë kthyer në zyra, restorante dhe madje edhe banesa për rumunët e pasur apo ata të kthyer në atdhe.

Por shumë të tjera janë të zbrazëta, të lëna në harresë ose të shkatërruara nga blerësit e pakujdesshëm. Pjesërisht, kjo ndodh për shkak se Bukureshti nuk ka asnjë strategji afatgjatë për ruajtjen apo restaurimin e projekteve private, thonë arkitektët dhe ekspertët e urbanizmit.

Ndërtesa ikonë tani përdoret si tualet nga frekuentuesit e jetës së natës:Pallati Rosenthal në qendër të Bukureshtit. Foto: Ana Maria Touma/BIRN

Pallati Rosenthal në qendër të Bukureshtit. Foto: Ana Maria Touma/BIRN

Një tjetër monument simbolik historik në rrugën Victoriei, vetëm disa metra larg pallatit Spayer, është ndërtesa Rosenthal, e cila është braktisur për vite me radhë.

Vitin e kaluar, Bashkia e Bukureshtit njoftoi se po krijonte një projekt rehabilitimi për Bankën Qendrore, e inauguruar në vitin 1938. Por, kjo nuk ka ndodhur ende.

Që prej rënies së komunizmit i janë ndryshuar pronarët disa herë derisa shteti e mori përsëri në pronësi. Pjesa më e madhe e ndërtesës i përket tani bashkisë, por rreth 21 metra katrorë administrohen nga agjencia shtetërore e pronës shtetërore, RAAPPS, dhe institucionet nuk bien dakord për fatin e saj.

Blloku Rosenthal mbetet i rrënuar në qendër të Bukureshtit, duke shërbyer shpesh si tualet publik për klientët e një klubi nate aty pranë. Të martën, ndërtesës iu bë një ndryshim nga një grup punonjësish të bashkisë të cilët pikturuan shtyllat e saj me të bardhë. Pasi ky veprim tërhoqi ankesa të shumta në mediat sociale, bashkia njoftoi se do të ndëshkojë punëtorët. Një ditë më pas, punonjësit e bashkisë i pikturuan shtyllat me gri, me pretendimin e heqjes së grafiteve dhe posterave.

Ndërtesa është një nga shumë shtëpitë shekullore të braktisur dhe të lëna në harresë në qendër të Bukureshtit. Në vitin 2016, një ekip vullnetar profesorësh dhe studentësh të arkitekturës në universitetin Mincu Ion krijuan një hartë interaktive të nxjerrë në pah të gjitha ndërtesat e braktisura në Bukuresht të cilat mund të bëhen qendra kulturore.

Projekti u zhvillua si pjesë e dëshirës së Bukureshtit për t’u bërë kryeqyteti kulturor i Europës deri në vitin 2021. Qyteti e humbi përballjen me Timishoarën. Por vullnetarët pikasën 400 ndërtesa të braktisura në Bukuresht, ku sipas tyre 56 syresh mund të konvertohen në qendra kulturore.

Në tregun e pasurive të patundshme, shtëpitë e vjetra në Bukuresht konsiderohen si prona luksoze dhe shiten për miliona euro, sipas agjentëve të pasurive të patundshme me të cilët BIRN bisedoi. I ashtuquajturi treg i pasurive të patundshme luksoze përbën 5 për qind të tregut dhe është në rritje.

Një studim i publikuar nga agjencia e pronave të patundshme Regatta thotë se pronat e vjetra dhe ndërtesat historike blihen zakonisht nga rumunët e pasur ose nga menaxherët e nivelit të lartë që shërbejnë për kompanitë shumëkombëshe. Shumica e këtyre klientëve, sipas studimit, duan pronat që janë të rinovuara dhe kanë ruajtur dizajnin origjinal.

Megjithatë, ekziston edhe një treg për ndërtesat e vjetra të paruajtura mirë. «Ka investitorë, të cilët e blejnë një shtëpi për 600.000 euro, investojnë edhe 500,000 euro të tjera për të, dhe pastaj e shesin për 2 milionë», shpjegoi drejtori i agjencisë Regatta, Eduard Uzunov.

Sipas një studimi nga një agjenci konsulence për pasuritë e patundshme, ESOP, numri i investitorëve të interesuar në blerjen e ndërtesave të vjetra në Bukuresht është rritur. Shumë klientë i rinovojnë këto ndërtesa sipas standardeve ndërkombëtare dhe i kthejnë në vende komerciale.

«Gjatë tre viteve të fundit, investitorët rumunë dhe të huaj blenë prona të vjetra në qendër të Bukureshtit me vlerë 100 milionë euro», pretendon raporti. Shumë investitorë janë të specializuar në pronat e paluajtshme, por ka edhe investitorë privatë dhe individë. Kompanitë shumëkombëshe, ambasadat ose firmat ligjore zgjodhën të rinovojnë ndërtesa të tilla dhe t’i kthejnë në seli.

Megjithatë, studimi thekson se vetëm një e treta e 2058 ndërtesave historike të Bukureshtit janë rinovuar ose janë në proces rinovimi.

Strategjia kërkon respekt për të shkuarën: Foto: Ana Maria Touma/BIRNFoto: Ana Maria Touma/BIRN

Arkitektja Maria Duda thotë se ndërtesa si Pallati Spayer ose blloku Rosenthal duhet të trajtohen me kujdes nëse qyteti do të ruajë trashëgiminë. Për fat të keq, sipas saj, Bukureshti vetëm tani po fillon të hedhë shikimin nga rehabilitimi i mençur, gjë që bëhet kryesisht nga kompanitë private.

«Duhet gjetur një zgjidhje e mirë për të dyja palët, por edhe e përshtatshme me kushtet ekonomike aktuale», tha ajo.

«Këtu ka një problem me të kuptuarit se këto projekte nuk mund të jenë të lira apo sipërfaqësore. Duhet një studim i përgjithshëm i qytetit», shtoi Duda.

Ajo tha se nuk njeh askënd që vepron kështu në Rumani, përveç kompanive ndërkombëtare që kërkojnë për filiale në vend.

Ajo shpjegoi më tej se bashkia e Bukureshtit duhet të rregullojë planet e zhvillimit urban dhe t’i bëjë dokumentacionet e qasshme nga ndërtuesit. Që kjo të ndodhë, duhet një ligj i ri urban nga parlamenti.

Arkitektja tha se Praga është shembulli më i mirë i një qyteti që ka ruajtur trashëgiminë e saj urbane: në kryeqytetin çek, zyra e kryetarit të bashkisë doli me një manual të urbanizmit dhe zhvillimit.

«Duhet një strategji afatgjatë – jo për katër vjet, por për të paktën 25. Nuk duhen vetëm studime nga urbanistët dhe arkitektët, por edhe nga studiuesit social, ekonomist dhe antropolog».

«Duhet kuptuar mirë dhe nuk duhet përcaktuar nga politika. Dhe kushdo që është në pushtet duhet t’i përmbahet planit», përfundoi Duda, duke u bërë thirrje autoriteteve vendore dhe institucioneve publike që të bashkëpunojnë më shumë me iniciativat që vijnë nga shoqëria civile.

(https://www.reporter.al/ndertesat-historike-te-bukureshtit-perpara-nje-te-ardhmeje-te-pasigurt/)