Ndërsa ne flasim për zëvendësministra…

...Serbia hap edhe dy kapituj të tjerë për anëtarësim në Bashkimin Europian, bën plane për hapjen e një kanali, i cili do të lidhte Danubin me Mesdheun, ndërton hekurudhë ultramoderne për në Budapest dhe, mes tjerash, shqyrton ofertën e konzorciumit Zurich Airport për aeroportin e Beogradit.



Sa zëvendësministra i ka Kosova tani për tani? Me gjasë këtë nuk e di as vetë shefi i qeverisë, por sinqeriteti i tij është aq i frikshëm, saqë thotë se është i vetëdijshëm se ka shumë zëvendësministra, andaj do të përkujdeset që ata «ta nxjerrin rrogën». Ky formulim «gjenial» tregon se vetë kreu i qeverisë nuk e ka të qartë se çfarë detyra kanë zëvendësministrat dhe shpresa e tij e vetme me gjasë është që ata të nxjerrin rrogën. Bëni diçka, vraponi, ecni vërdallë, vizitoni ndonjë vend, shkruani ndonjë raport, mbani ndonjë takim të shpifur – ky, pak a shumë, duket se është mesazhi. Me apo pa zevendësministra – ky kryeministër e ka gjetur fjalën e tij të preferuar. Ajo është fjala «nuk». «Dialogu nuk ka logjikë nëse s’përfundon me njohje reciproke», «Haradinaj nuk ka përgjigje për heqjen e Kartonit të Gjelbër», «Vërejtja e fundit e Haradinajt për ministrat që nuk vijnë në Kuvend» (tituj të sotëm në portalin e «Kohës Ditore»). «Me duhet të ju them se për ligjin për qeverinë nuk e kam mbështetjen, andaj duhet që atë të sjellim në Kuvend për qeverinë e ardhshme» (një nga margaritarët e dëgjuar sot në Kuvend).

Ndërsa «nuk-qeveria» vazhdon të punojë pandërprerë, por pa rezultate të dukshme, ndërsa vazhdon dalldia kolektive mbi disa grindje në një parti opozitare, ndërsa ish-kryeministri i thotë kryeministrit se nuk ka pasur më shumë se 47 zëvendësministra (thua se edhe këta janë pak), vendet e tjera ecin përpara. Një gjë nuk duhet të harrohet: edhe ministrat dhe zëvendësministrat e qeverisë së kaluar marrin 70 për qind të rrogës 12 muaj pasi të dorëzojnë postin. Pak matematikë: nëse qeveria e kaluar kishte 47 zëvendësministra dhe kjo e tanishmja i ka 70, atëherë nga buxheti paguhen 117 zëvendësministra. Për këtë fenomen neveritës boshnjakët tregojnë një barsoletë: nëse dilni në çarshinë e vjetër të Sarajevës dhe me zë të lartë brohorisni: «Mirëmëngjesi, zoti ministër», atëherë të gjithë do të kthehen nga ju, sepse secili është ministër. Paramendojeni çfarë tollovie bëhet në Sheshin Nëna Terezë nëse dikush në orën 9 të mëngjesit thotë me zë të lartë: «Mirëmëngjesi, zoti zëvendësministër». Çfarë tollovie do të bëhej në kafehanen «Soma» nëse pas orës 11:00 do të dëgjohej një zë: «Mirëmëngjesi, zoti ministër»?

Ndërkohë disa lajme nga fqinjësia. Serbia këto ditë i ka hapur edhe dy kapituj për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në gjymsën e parë të vitit 2018 pritet që Beogradi të hapë edhe tre kapituj të tjerë. Kështu ka gjasa që numri i kapitujve të hapur të mbërrijë në 15. Në anën tjetër: për shkak të paaftësisë së klasës politike Kosova mbetet vend i izoluar, i ndëshkuar me regjim të vizave, një rast i pashembullt në Europën e vitit 2017. Ndërkohë për të marrë me koncesion aeroportin e Beogradit ka shprehur interesim edhe Zurich Airport, një konzorcium zvicerano-francez. Interesim kanë shprehur edhe kompani të tjera. Kryeministrja serbe llogarit që koncesionari do të paguajë deri në 450 milionë euro në buxhetin e Serbisë. Sa kanë paguar koncesionarët turq për aeroportin e Prishtinës? Fakti që për aeroportin e Beogradit interesohet një kompani serioze zvicerane, ndërsa aeroporti i Prishtinës i jepet një kompanie turke, e cila pothuaj të gjitha bizneset brenda aeroportit ua jep firmave turke dhe kështu u ngrit barriera ndërmarrjeve vendore, flet shumë. Nuk duhet humbur këtu shumë fjalë për cilësinë e dobët të ndërtimit të terminalit të ri të aeroportit të Prishtinës, për ndriçimin katastrofal, për nivelin e ulët të pastërtisë dhe të sigurisë.

Ndërkohë që politika në Kosovë ka zbritur në nivelin e përrallave, meseleve dhe anekdotave, Greqia, Maqedonia dhe Serbia po planifikojnë hapjen e një kanali, i cili do të lidhte Danubin me Mesdheun. Për të realizuar këtë megaprojekt duhen së paku 17 miliardë euro. Rruga e re ujore do ta lidhte Danubin përmes lumit të Moravës me lumin e Vardarit, i cili derdhet në Detin Egje në perëndim të Selanikut. Duke pasur parasysh koston e lartë dhe terrenin e vështirë nuk është e sigurt nëse do të hapet ky kanal, por fakti që për këtë po flitet, ndërsa në viset tona (Prishtinë e Tiranë) llomotitet për zëvendësministra dhe për kanabis, tregon se sa shumë e kanë humbur rrugën republikat shqiptare. Ndërkohë për 1,8 miliardë euro po sanohet linja hekurudhore mes Beogradit dhe Budapestit. Në të ardhmen e afërt 350 kilometrat mes dy kryeqyteteve do të kalohen për dy orë e gjysmë (tani trenit i duhen tetë orë për të ecur nga Beogradi në Budapest). Ndërkohë që ne flasim për zëvendësministra…