Ndërsa ne çajmë kokën për një vjedhje në Bruksel – shikoni pak çfarë investimesh kanë bërë tre krerët e shtetit në vitin 2017

Për vjedhësen e dyzetë eurove dhe pasurinë e (pa)kontestuar të politikanëve kosovarë.

Foto: Shutterstock



Prej disa ditësh, temë debati në opinionin publik është vjedhja që një zyrtare e lartë të Qeverisë së Kosovës ka bërë në një dyqan tekstili në Bruksel. Siç raporton KTV, vlera e gjërave të vjedhura është 40 euro. Kjo lloj vjedhjeje jo aq spektakulare, ka zgjuar instinktin e shumicës, madje edhe të atyre zërave publikë që heshtin para krimeve të mëdha mizore, që nuk bëjnë asgjë që t’i mbrojnë institucionet, të rrënuara tashmë nga zyrtarë që jo thjeshtë vjedhin dyqaneve në Europë, por i kanë hyrë arkës së shtetit sikur të ishte qyp me florinj i gjendur diku në oborret e tyre.

Nuk mund ta di me siguri të plotë se çfare ka vjedhur zonja në atë vlerë, por mund ta imagjinoj se në çantën e saj nuk mund të jenë futur më shumë se një bluzë dhe një palë pantallona ose në një variant tjetër një bizhuteri qafe dhe një unazë me gurë shumë ngjyrësh. Sikur kjo të ishte ndër vjedhjet dhe keqpërdorimet e rralla të zyrtarëve publikë, ndoshta edhe do të doja ta shihja zonjën duke e turpëruar në shesh e cila në radhë të parë ka keqpërdorur institucionin ku punon e më pas i ka vënë në një pozitë të palakmueshme qytetarët e saj të cilët dëshpërimisht presin liberalizim vizash nga Europa. Ndonëse gjërat duhet parë me qetësi: vizat nuk rrezikohen nga një vjedhje në një dyqan të Brukselit. Vizat i rrezikon prej vitesh qeverisja e keqe dhe fakti se para tri vitesh nga Kosova u larguan 100 mijë vetë, refugjatë ekonomikë në kërkim të një jete me dinjitet, larg varfërisë e depresionit kosovar.

Por si do të ishte nëse debatojmë për disa tema të tjera, ato që në formë shifrash, blerjesh e pronash, na shiten si të vërteta zyrtare të pakontestueshme dhe që s’kanë nevojë as për debat?

Për shembull, çdo vit zyrtarët publikë të Kosovës, përfshirë ndoshta edhe të dyshuarën për vjedhje në Bruksel, kanë para vetes një formular të cilin e plotësojnë me të dhëna personale dhe të dhëna për pasurinë e tyre. Bëhet fjalë për një detyrim ligjor që vjen nga Ligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë. Ata natyrisht tregojnë edhe për numrin e banesave në pronësi të tyre, veturave dhe llojin e tyre, lokaleve dhe pronave të tjera të luajtshme e të paluajtshme. Në çfarë viti janë blerë ato, cila është vlera dhe nëse diçka u takon anëtarëve të familjes. Meqë buron nga ligji, formulari detyron zyrtarët publikë, në veçanti politikanët, të tregojnë edhe për paratë e gatshme apo kursimet që i kanë po kështu edhe angazhimet e bashkëshortëve si dhe të hyrat vjetore të tyre.

Në fund të formularit që lehtë mund të merret në faqen online të Agjencisë Kundër Korrupsionit, ndodhet hapësira për të dhëna shtesë. Këtu, ndonjë zyrtar vullnetmirë, sqaron prejardhjen e ndonjë investimi të madh që ka realizuar në vitin për të cilin po e deklaron pasurinë. Formulari nuk ka hapësirë ku deklaruesit do t’i vinin firmat; një detaj i vogël ky, por që tregon për rëndësinë dhe  funksionin që kryen deklarimi i pasurisë.

Viti 2017 duket se ka qenë i suksesshëm në aspektin e investimeve në pasurinë e paluajtshme dhe të luajtshme për tre liderët kryesorë në Kosovë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka blerë një lokal me sipërfaqe prej 270 metra katrorë, por ai nuk ka treguar vlerën e lokalit, lokacionin apo llojin e veprimtarisë që kryen. Ai ka dhënë një sqarim gjysmak në fund të formularit se lokali është blerë nga kursimet dhe shitja e banesës në sipërfaqe 207 metra katrorë në vlerë prej 140 mijë euro. A është 140 mijë euro vlera e lokalit apo e banesës që e ka shitur, apo lokalin e ka blerë me ndërrim – këtu thjeshtë mund të hamendësojmë sikurse që hamendësuam më sipër për gjërat që mund t’i ketë vjedhur zonja në Bruksel. Veseli e ka lënë me vlerë zero edhe shtëpinë 350 metra katrorë për të cilën ka thënë se është e trashëguar.

Ndryshe nga kryeparlamentari, kryeministri Ramush Haradinaj në vitin 2017 ka investuar në një banesë me sipërfaqe jo më të vogël se 213 metra katrorë, por e cila ka kushtuar vetëm 70 mijë euro. Kush nuk do të donte të debatonte për këso lloj blerjesh? Kujt nuk do t’i interesonte se në çfarë zone shiten objekte banimi me çmim kaq të lirë? Duke qenë se formulari nuk i detyron zyrtarët publikë të tregojnë ndonjë detaj shtesë për investimet në prona, qytetarët e Kosovës duhet thjeshtë dhe vetëm t’i marrin lakmi kryeministrit të tyre që ka arritur të bëjë një blerje kaq të favorshme. Agjencia kundër korrupsionit e publikoi formularin e Haradinajt pas presionit të mediave me arsyetimin se janë në fazën finale të evidentimit të regjistrave që nuk janë publikuar.

Më modest në vitin 2017, por jo për të mos u përmendur duket se ka qenë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Në vitin 2017 ai ka blerë një veturë Audi A4 në vlerë prej 23 mijë euro, për të cilën ka shpjeguar se është e «përbashkët». Me këtë mund të nënkuptohet, ndonëse nuk është shkruar në formular, se kjo veturë i takon ndonjë anëtari tjetër të familjes së presidentit. Në formular nuk shkruan lloji i Audisë A4, presidenti ka shkruar se për ta blerë këtë veturë ka hyrë në kredi në njërën nga bankat komerciale në Prishtinë. Numri një i shtetit ka hyrë në kredi për ta blerë veturën pavarësisht faktit se ka mjaftueshëm para të gatshme në bankë. Presidenti ka deklaruar se ka blerë veturë Audi për vete në vlerë prej 15 mijë euro edhe në vitin 2016.

Mungon konsistenca në deklarimet e Thaçit edhe sa i përket vlerës së pasurisë së luajtshme, për shembull nëse në vitin 2013 vlerën e një veture të bashkëshortes e deklaron 13 mijë euro, ndërsa në vitin 2015 e zbret për 3 mijë, duke e bërë 10 mijë. Ligji për deklarimin e pasurisë thotë se Agjencia Anti Korrupsion, kontrollon gjendjen e pasurisë së zyrtarëve publikë, por vetëm më 29 qershor ky institucion ka njoftuar se 950 zyrtarë të lartë do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë nga ana e agjencisë. Përzgjedhja e këtyre zyrtarëve është bërë me short publik ndonëse nuk janë dhënë sqarime për këtë proces. Në mesin e zyrtarëve që do t’u kontrollohet pasuria është edhe presidenti i republikës, por jo edhe kryeministri apo kryeparlamentari. Dy të fundit thjesht i shpëtuan shortit publik, siç mund t’i ketë shpëtuar ose jo edhe zyrtarja e lartë e ministrisë së arsimit, e cila mbushi çantën me gjësende në vlerë 40 euro dhe tentoi të ikte pa paguar.