Ndërmjet dy zjarreve

Festim Shala* e ka fituar shtetësinë zvicerane. Ai vjen nga vendi i dëgjuar i Lekës së Madh…, Musa Xhaferrit dhe Ermira Mehmetit. Shala është 35 vjeç dhe gjysmën e jetës e ka kaluar në Zvicër. Ai ka ardhur këtu bashkë me të ëmën në kuadër të një bashkimi familjar. Kurse vajza e tij ka lindur në Zvicër. Festim Shala jeton ndërmjet Mëmëdheut dhe «Bijëdheut». Ai gjithë kohën kishte qenë as mish, as peshk. Në Zvicër i thonë as peshk, as shpend. Ndonëse ai kishte qenë më shumë shpend sesa peshk. Së paku katër herë në vit ngjitej në avion për pushime në vendlindje dhe rrallë për në det.

Festim Shala u bë zviceran, por mallkimi i vendit të Lekës… Musa Xhaferrit dhe Ermira Mehmetit, e ndjek ende. Ai nuk është bërë akoma tamam ai që është: shqiptar. Prej mbi 15 vjetësh, në Zvicër atë e thërrasin «Sala». Gjithandej. Sepse emrat në vendin e Lekës… shkruheshin në alfabetin cirilik, pavarësisht i çfarë gjuhe është personi! Dhe, kur duhej që në pasaporta ata të transferoheshin në alfabetin latin, prapë u ngelte ndonjë gjurmë e të parit. Nga «Ш» cirilike bëhej «Š», vetëm «Sh» nuk bëhej. Tani i kishte ardhur dakiki kësaj pune të zgjidhej njëherë e mirë. Zvicra do ta bëjë atë edhe shqiptar.

Dhe, nuk vonoi gjatë: Atij i erdhi certifikata e re e shtetësisë me emrin e ri, Festim Shala. Në fakt, është i njëjti emër, me dallimin e një germe që atij ia jep identitetin e saktë. Bashkë me të nuk harron të vijë edhe fatura e kripur prej 500 frangave zvicerane. Zvicra nuk vuan nga meskinitete, si vendi i Lekës…, Xhaferrit dhe Ermirës. Por, ajo nuk të falë, kërkon 500 franga për një germë që vetëm e korrigjon një shtrembërim të administratës së djallëzuar të vendit të Lekës… Asnjë mirëkuptim për qytetarët e rinj, a thua se po e licencon një emër të rrallë artistik.

Me 500 franga, Festim Shala do të kishte blerë e pakta dhjetë libra nga filozofia, letërsia, historia, politika… Prozë, poezi, monografi, ese… Me 500 franga do ta kishte lumturuar Terres des Hommes, Unicefin, Krebsligan, Glücksketten. Do të ishin organizuar proteza për fëmijët e gjymtuar nga minat e luftërave, ushqim, ngrohje, shpresë… për refugjatët dhe për të prekurit nga sëmundje të rënda. Vetëm për shkak të një kapriçioje shoviniste. Për një shërbim të saktë.

Festim Shala nuk është i vetmi. Këtë e kanë kaluar të gjithë ata që në emrin a në mbiemrin e tyre ka ndonjë «sh». Por, edhe ata me «l». Emrave të këtyre të fundit, pas «l»-së, automatikisht u shtohet një «j». Kështu, kushëriri i tij Lavdrimi është bërë Ljavdrim. Kjo është logjika e sllavishtes, të cilën ia kanë dhënë edhe sintaksës së kompjuterëve kur transferohen emrat nga alfabeti cirilik në atë latin. Fenomeni është aq i përhapur sa e njeh edhe administrata zvicerane. Të gjithë nëpunësit të cilëve Festim Shala ua kishte shpjeguar ngatërresën me emrin kishin qeshur, duke thënë: «E dimë, e dimë!».

Përveç që nuk është i vetmi, të tjerët e kanë pësuar më keq se Festim Shala. Në vise të caktuara në vendin e Lekës së Madh, Musa Xhaferrit dhe Ermira Mehmetit, shqiptarët një ditë në vitet e ‘80-ta u gdhinë me një «ovski» në mbiemrin e tyre! Kjo masë i kapi ata në Prilep, Manastir, Kërçovë, Kumanovë… Hovin e kësaj fushate që po përhapej me të madhe e ndaloi ndërrimi i sistemit. Më pas, ai nuk kishte më forcë ta vazhdonte atë, madje u detyrua ta pranojë kthimin e emrave siç kishin qenë më parë.

Për ta ndrequr një vepër thellësisht kundërnjerëzore, sa nuk thuhet me fjalë, duhet paguar taksa. Gjobë për shërbimin e kthimit së shtrembërimit të imponuar! Çfarë ironie! Emigrantët, që taksën e kanë problemin më të vogël, duhej ta duronin sufiksin «ovski» në mbiemrat e tyre, sepse ndryshe nuk futeshin në vendin e emigrimit me një emër tjetër. Ndonjëri edhe ka mundur ta menaxhojë heqjen e tingullit të montuar sllav në emër pa peripeci të mëdha.

Pasi t’i kenë kaluar pushimet e tyre nëpër sportele, pasi t’i kenë paguar të gjitha taksat, me siguri edhe ryshfet për ta ndrequr emrin e tyre, nuk është kryer e tëra. Vjen administrata zvicerane me taksën prej 500 frangave për një korrigjim formal që e kualifikon si «ndërrim i emrit». Të prekurit nuk presin më shumë mirëkuptim nga vendi i Lekës…, Xhaferrit dhe Mehmetit, sepse ai ka për t’i zgjidhur gjithë ato çështje më të rëndësishme, aferat seksuale, e të tjera. Ka për të rregulluar emrin e vet. Por, Festim Shala nuk është shumë i bindur me legjitimitetin e kësaj fature zvicerane.

Ironia vazhdon. Vendi i Lekës së Madh, Musa Xhaferrit dhe Ermira Mehmetit, ka gjithmonë kohë për kurthe. Kurse Festim Shala është i gatshëm për sakrifica të tjera. Sistemi vërtet është tërhequr nga ndryshimi i emrave, por në pasaportat e emigrantëve, të cilët quhen persona me qëndrim të përkohshëm jashtë, e shënon adresën e tyre në mërgim. Për më tepër, për ata nuk lëshon letërnjoftime. Jep dokumente udhëtimi me adresën e qëndrimit të përkohshëm jashtë, por nuk lëshon dokumente bazë identifikimi! Festim Shala është krenar për shtetësinë e tij zvicerane. Por, ai e do edhe emrin e tij të trashëguar, me të gjitha germat, pranë adresës së shtëpisë së parë. Shala nuk është një qyqe pa atdhe, por ka dy të tillë. Ai jeton ndërmjet dy zjarreve.

*Identiteti i vërtetë është kamufluar.