Ndërkombëtarizohet skitaria e Kosovës

Federata Skitare e Kosovës (FSK), me shumicën e votave të delegatëve pjesëmarrës, është pranuar në Federatën Ndërkombëtare Skitare (FIS) si anëtare me të drejta të barabarta me të gjithë anëtarët e vendeve të tjera.

Lajmi është bërë i ditur ditë më parë nga vetë FSK, e cila ka thënë se «ky është një lajm shumë i mirë për Republikën e Kosovës e sidomos për sportin e skijimit, sport i cili do të zhvillohet me hapa shumë të shpejtë tani e tutje», raporton Koha.net.

«Kjo është arritje e madhe si pasojë e punës së palodhshme e të gjithë bordit të FSK-së në udhëheqje me kryetarin z.Milaim Kelmendi», thuhet në njoftimin e kësaj federate.

Federata Skitare e Kosovës i uron të gjithë skijatoret/skijatorët, klubet dhe sportdashësit.

Në votimin, që është zhvilluar në Kankun të Meksikës, 61 anëtarë kanë votuar pro ndërsa 42 ishin kundër, në mesin e të cilave edhe Serbia.

Argumenti kryesor në këtë të arritur ishte se Kosovën e ka njohur edhe Komiteti Ndërkombëtar Olimpik.

Ndërkaq, Federata Serbe e Skitarisë ka kërkuar që pika për votimin për pranimin e Kosovës në këtë federatë të hiqet nga rendi i ditës, mirëpo kjo kërkesë është refuzuar.