Ndërhyrja në Kosovë – një ngjarje e papërsëritshme

Në 16-vjetorin e çlirimit të Kosovës: disa mendime rreth librit të gazetarit Matthias Rüb: «Kosovo – Ursachen und Folgen eines Krieges in Europa» («Kosova – Shkaqet dhe pasojat e një lufte në Europë»).




Intervenimi i Aleancës Veriatlantike në Kosovë paraqet një situatë të pakrahasueshme historike: për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore u sulmuan forcat ushtarake dhe policore të një shteti me qëllim të pengimit të fushatës së tyre shfarosëse ndaj shumicës së një treve. Njëkohësisht përzënia masive e banorëve, kalimi i tyre në shtetet përreth, të kujton vetëm pak raste të tilla aq gjithëpërfshirëse në përvojën njerëzore. Pas kapitullimit të trupave shtypëse, kontinenti i vjetër përjeton kthimin më masiv të një popullsie në vendlindje gjatë shekullit 20-të. E zhvilluar në rrethana shumë të veçanta, lufta e Kosovës në mbarë Europën ka qenë temë diskutimi nga katedrat universitare deri te tavolinat e restoraneve provinciale. Kanë mbetur mijëra faqe të gazetave të mbushura me diskurs për ndërhyrjen e NATO-s, janë botuar me dhjetëra vepra.

Me librin e tij  «Kosovo – Ursachen und Folgen eines Krieges in Europa» («Kosova – Shkaqet dhe pasojat e një lufte në Europë»), ish-korrespondenti nga Ballkani i gazetës gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung», Matthias Rüb, ka dëshmuar se është një ndër njohësit më të mirë të zhvillimeve të bujshme në Ballkanin perëndimor.

Në rastin e Kosovës ka nevojë për disa shpjegime themelore, të cilat Rüb i bën që në fillim: se konflikti serbo-shqiptar nuk është luftë religjionesh, as luftë kulturash. Si në territoret e tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ) edhe lufta në Kosovë është ndezur nga një rrejt i komplikuar i shkaqeve «politike, ekonomike, sociale, etnike dhe religjioze». Për ndezjen e gjakrave kanë shërbyer edhe pamflete të historianëve, politikanëve dhe dijetarëve serbë nga periudhat e ndryshme historike. Si shembull të veçantë të racizmit të hapur ndaj shqiptarëve Rüb përmend trajtesën e Vladan Gjorgjeviqit «Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha», të botuar në Leipzig më 1913: aty shqiptarët degradohen në nivelin e njerëzve me bisht. Një kontribut makabër ka dhënë edhe Vaso Çubrilloviqi me elaboratin «Përndjekja e shqiptarëve» të vitit 1937. Pjesë të tij regjimi serb u përpoq t’i jetësojë më 1999 me planin «Patkoi», mbi (jo)ekzistencën e të cilit në Gjermani është debatuar me tone të zjarrta.

Po ashtu në fillim, për të mos lënë asnjë shenjë dyshimi, Rüb me shkathtësi të madhe retorike bindshëm sqaron pse NATO qe e detyruar të ndërhyjë edhe pa mandatin e Këshillit te Sigurimit (KS) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB): «KS u themelua pas Luftës së Dytë Botërore dhe iu përshtat nevojave të fitimtarëve. Ai është një forum jashtëzakonisht jodemokratik, anëtarët e të cilit kanë mandat të pakufizueshëm kohor dhe nuk janë të obliguar t’i japin llogari asnjë institucioni të OKB-së». Problemi më i pakuptueshëm në KS të OKB-së është çështja e vetos: çdo anëtar i përhershëm përmes vetos interesat e veta politike mund t’i interpretojnë si pjesë të së drejtës ndërkombëtare. Prandaj, shkruan Rüb, ky institucion duhet të reformohet në një lloj politike të brendshme botërore të të drejtave të njeriut.

Në një shikim të shpejtë retrospektiv në rrjedhat historike, Rüb nxjerr një përfundim të mençur: lufta qindravjeçare e shqiptarëve dhe serbëve për atë se «kush ka lindur i pari» në Kosovë është absurde, sepse mosmarrëveshjet aktuale duhet të zgjidhen me standarde të kohës moderne, jo me kacafytje mesjetare. Lidhur me përbërjen etnike të Kosovës gjatë historisë Rüb mbështetet në veprën standarde të Neol Maclom-it, «Kosova një histori e shkurtër», i cili procesin e ndryshimeve demografike e quan «osmozë etnike». Sidoqoftë të grindesh për të kaluarën dhe t’i mbyllësh sytë para ardhmërisë është mjerim mendor.

Natyrisht politikanët e paskrupullt janë imun ndaj këtyre mendimeve. Këtë më së miri e dëshmon karriera e Slobodan Milosheviqit. Ngjitja e tij në pushtet filloi në Kosovë me ndezjen e urrejtjes dhe atje është edhe «fundi i tij politik». Prej një burokrati të zbehtë me veshë të mëdhenj ai brenda 15 viteve do të arrijë të bëhet kryetari i parë i një vendi, i cili akuzohet për krime lufte nga një gjyq ndërkombëtar.

Në rrotullimin e fjalisë së njohur të Clausewitz-it, shkruan Rüb, Milosheviqi bëri politikë si vazhdim të luftës me mjete të tjera: «Intuita në çastin e duhur dhe aftësia që të ndiej atmosferët në popullsi dhe t’i kanalizojë ato për interesa të veta, janë shkathtësia më e madhe politike e Milosheviqit».

Dhe kjo, të themi kushtimisht shkathtësi, pandërprerë funksionoi që nga viti 1986 deri në vitin 2000, kur u rrëzua regjimi i Milosheviqit. Rüb e përshkruan  ngjitjen e Milosheviqit në majat e pushtetit me një kronologji informative, duke filluar nga Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, Plenumi i VIII-të i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë, mitingjet e organizuara anekënd në Serbi, Vojvodinë, Kosovë dhe Mal të Zi, ku gjoja artikulohej zemërimi kundër shtresës burokratike e deri te fjalimi në Fushë Kosovë më 28 qershor 1989.

«Nëse jemi të detyruar, do të luftojmë. Shpresoj se ata nuk do të jenë aq të çmendur të zbresin në fushë të mejdanit kundër nesh. Sepse nëse nuk dimë se si punohet dhe bëhet ekonomia, atëherë dimë se si luftohet» – kështu iu kishte deklaruar Milosheviq 200 kryetarëve të qyteteve të Serbisë në mars 1991. Një mesazh i qartë dhe, siç mendon Rüb, ndoshta fyerja më e rëndë që vozhdi ia bën popullit serb: «T’i quash bashkëvendasit e tu dembela dhe të paaftë, por të etur për luftë, është një përzierje e çuditshme nga vetëurrejtja dhe vetëpërbuzja.» Me këtë qasje Milosheviqi ndezi katër luftëra – dhe i humbi të gjitha.

Konflikti i hapur, ndërkaq, nuk nisi atje ku ishte parashikuar prej kohësh, në Kosovë, por larg në pjesën perëndimore, në Slloveni. Nga atje gjurmët e gjakut do të përshkojnë pothuaj mbarë territorin e ish-RSFJ-së.

Me një shembull konkret nga viti 1996, Matthias Rüb e përshkruan botën paralele, e cila mbretëroi për gati një dekadë në Kosovë: shkolla fillore «Dardania», ku mësojnë nxënësit shqiptarë dhe ajo «Millosh Crnjanski» për fëmijët serbë. Që të dyja ndodhen në një ndërtesë. Mbi 2400 shkollarë shqiptarë duhet të mjaftohen me gjysmën e ndërtesës, arsimtarët janë të shtyrë të punojnë në disa ndërrime deri në orët e vona të pasdites; ndërsa për 600 nxënës serbë regjimi vë në dispozicion më shumë se gjysmën e objektit. Kjo ishte bota kosovare, ku pakica me arrogancë, mendjemadhësi dhe me inat ekspozon fuqinë. Dhe kjo, kuptohet, ngjallë urrejtje. Shqiptarët tërhiqen në botën e tyre. Pason mandej ndërtimi i disa strukturave paralele, të cilat kanë pasur efektin e tyre shpresëdhënës. Por do të ishte gabim sikur ato të mbivlerësoheshin. E vërtetë është se shkollat dhe universiteti punonin, përkujdesja mjekësore funksiononte deri diku, zhvillohej edhe një ekonomi tregtare, por të gjitha këto së bashku nuk kanë mundur të sfidojnë sistemin represiv të Serbisë. Më tepër kanë qenë struktura mbijetese dhe si të tilla duhet të merren parasysh.

Është absurde që gjithçka që u krijua nga shqiptarët gjatë pranisë së trupave serbe në Kosovë sot të hidhet poshtë me agresivitet. Mund të diskutohet se a ka pasur gjasa të punohet më mirë, por është e padrejtë që a priori të shqelmohet çdo strukturë paralele me pseudoargumentin se ato qenkan krijuar me miratimin e Serbisë. Sepse për dështimin e mirëfilltë të politikës së Kosovës mund të flitet pas Daytonit e këndej. Më parë ka pasur arsyetime, të cilat i kanë hyrë në kokë çdo njeriu që mendon në mënyrë racionale. Në fillim, dhe kjo nuk duhet harruar, megjithatë lëvizte diçka: shpallja e Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik 1990 dhe referendumi për pavarësi në shtator 1991 janë dy zhvillime shumë të rëndësishme. Ato dukshëm kishin përforcuar ndjenjën e vetëbesimit te kosovarët. Pse nuk u shfrytëzua më mirë ky vetëbesim nga politikanët, është problem që duhet të shtrohet. Sidomos pas vitit 1996, kur aparteidi i stabilizuar filloi të dridhej.

Pasi që kërkesave të Ibrahim Rugovës nuk iu kishte vënë fare veshi në kryeqytetet perëndimore, konstaton Rüb, udhëheqësi i kosovarëve në shtator 1996 u përpoq të zbusë presionin e brendshëm politik, duke prezantuar «një sukses gjoja të dukshëm». Fjala është për nënshkrimin e marrëveshjes së arsimit, e cila nuk u realizua kurrë: «Dokumentin e nënshkruan Rugova dhe Milosheviqi pas bisedimeve të gjata sekrete dhe ndaras në Prishtinë dhe Beograd. Nga fundi i bisedimeve ishte zhvilluar së paku një bisedë telefonike mes këtyre dyve». Në vend të një hapi të parë për shtendosjen e gjendjes, siç e kishte menduar ndoshta Rugova, nënshkrimi i marrëveshjes së arsimit «do të jetë disfata e tij e parë në rendin e një sërë disfatash të ardhshme politike.» Gabim tjetër me pasoja të rënda për lëvizjen e kosovarëve për çlirim, sipas Rüb, është refuzimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës që t’i përkrah protestat publike të studentëve.

Kështu, më së voni në fund të vitit 1997, u panë kufijtë e politikës së Rugovës. Rüb sheh tri shtylla dhe bindje themelore të politikës së udhëheqësit të shqiptarëve: së pari pengimi i kryengritjes së kosovarëve, sepse Rugova kishte frikën nga një gjakderdhje e tmerrshme. Së dyti rëndësi parësore i kushtohej «internacionalizimit» të çështjes së Kosovës, me shpresën se kështu bashkësia ndërkombëtare do ta vinte atë në rend dite. Së treti institucioneve të shtetit serb t’u mohohej çdo legjitimitet demokratik përfshirë edhe bojkotimin e zgjedhjeve për strukturat serbe.

Rüb nuk bën gabim të përgjigjet në pyetjen se a është dashur që shqiptarët të përkrahin koalicionin opozitar serb «Zajedno», siç bënte thirrje disidenti Adem Demaçi, por edhe Sali Berisha. Madje presidenti i atëhershëm i Shqipërisë kishte filluar një fushatë të pazakonshme për t’i bindur kosovarët se ia vlen që kundër regjimit në Beograd të politizohet bashkë me opozitën serbe. Nga këndvështrimi i sotëm si groteske duhet të konsiderohen sidomos komentet e Reis Çiços në Televizionin Shqiptar (TVSH) për studentët trima serbë «që do të fitojnë patjetër».

Edhe shtylla e dytë e Rugovës, «internacionalizimi» i konfliktit të Kosovës, dështoi për shkak se Perëndimi nuk e shpërbleu rezistencën paqësore të shqiptarëve: «Në kryeqytetet e Perëndimit problemi i Kosovës mund të shmangej shumë lehtë, sepse stacionet televizive ndërkombëtare nga atje hëpërhë nuk transmetonin zhurmë betejash as imazhe nga demonstratat e mëdha».

Në fund, shkruan Rüb, dukej se edhe parimi i parë dhe më i lartë i Rugovës ishte i tejkaluar. Durimi i gjatë i rinisë, por edhe bujqve të disa regjioneve të Kosovës, të cilët ishin të njohur për shpirtin kryengritës, kishte arritur në fund. Ata dëshironin të bënin një kthesë nga e mira për popullin shqiptar – në rast nevoje edhe me forcën e armës. Kështu filloi lufta.

Po si filloi? Rüb niset nga rasti i vrasjes së mësuesit Halit Gecaj në Laushë. Derisa jo pak gazetarë perëndimorë nuk mund të fshehin tonin e lehtë përqeshës ndaj fshatarëve kosovarë, Matthias Rüb botën e bujqve nga Drenica e përshkruan me ngrohtësi dhe përzemërsi. Oda e familjes Gecaj, në mur një fotografi e babait të uniformuar të Halitit, i cili ishte vrarë në vitin 1945 nga dora serbe, bubullima e stufës së mbushur me dru. Lajmi se te familja Gecaj ka ardhur një gazetar shpërndahet shpejt, vijnë pastaj gjithnjë e më shumë të afërm të të vrarit, të cilët ulen përreth dhe heshtin. Dy vëllezërit më të vjetër të Halit Gecajt, në fytyrat e të cilëve puna në ara ka lënë rrudha të thella. Vajzat e Halitit që sjellin kafe. Dy djem të tij punojnë në Bavari dhe i dërgojnë të holla familjes, e cila s’ka asnjë mjet. Djali më i ri është në shtëpi. Gruaja e Halitit zë vend për një çast në odë, ia shtrëngon dorën mysafirit dhe pastaj shkon në kuzhinë. Sa herë që dikush hyn në dhomën e pritjes, të gjithë ngrihen në këmbë, vendosin dorën e djathtë në gjoks dhe pëshpëritin një formulë përshëndetjeje.

Këtu, në zemër të Kosovës, shkruan Rüb, nuk ka konflikt gjeneratash në familjet e mëdha shqiptare. Të rinjtë dëgjojnë pleqtë, edhe format e shprehjes së respektit janë të njëjta si para disa shekujve. Muhabetin në dhomë gjithnjë e udhëheq më i moshuari. Vetëm kur ai pi cigaren dhe humb në mendime, të rinjtë thonë diçka. Pjesë si këto, që nuk janë të rralla në librin e gazetarit gjerman, lirisht mund të vlerësohen si prozë brilante. Gecajt janë krenar që Ushtria Çlirimtare e Kosovës është shfaqur për herë të parë publikisht para varrit të hapur të Halitit. Kjo ngjarje në sytë e Matthias Rüb është miti i zanafillës së UÇK-së, për ekzistencën e së cilës spekulohej me të madhe. Edhe në kryeqytet gjërat po ndryshonin. Që në prill 1996 në Prishtinë ishte zhvilluar një marsh heshtjeje në përkujtim të një studenti shqiptar të vrarë nga një serb. Por politika nuk po lëvizte: «Rugova dhe besnikët e tij në LDK tepër gjatë, deri në pranverë 1998, përfaqësonin pikëpamjen e gabuar se UÇK-ja ishte një shpikje e shërbimit sekret serb. (…) Mohimi i UÇK-së ishte një nga shenjat e shumta se Rugova kishte filluar të humb kontaktin me realitetin në Kosovë. Ai pothuaj kurrë nuk e braktisi kryeqytetin e krahinës, Prishtinën. Intelektuali në karrigen e presidentit nuk e takonte popullin e tij në fshatra.» Kështu, sipas bindjes së Rüb, situata doli jashtë kontrollit: institucionet paralele «praktikisht ishin joekzistente», legjitimiteti demokratik i presidentit Rugova dhe i qeverisë së emëruar prej LDK-së po bëhej «gjithnjë e më i dyshimtë».

Përballë këtyre zhvillimeve UÇK e kishte lehtë të përfitonte simpatinë e popullsisë. Për krijimin e Ushtrisë Çlirimtare ka shumë informata kundërthënëse. Debatet në stilin «kush e nisi luftën i pari» vazhdojnë edhe sot në Kosovë. Rüb mendon se thelbi i komandës së UÇK-së kishte dalë nga njësitë ushtarake dhe policore, të cilat «Republika e Kosovës» deri në fund të vitit 1992 u përpoq t’i ndërtonte si polici të re të institucioneve të saj kushtetuese. Por këto përpjekje dështuan. Më 1993 policia serbe shkatërroi ushtrinë dhe policinë e «Republikës së Kosovës» para se ajo të ndërtohej realisht. Një damar tjetër i zanafillës së UÇK-së janë grupet e rezistencës lokale, si në regjionin e Drenicës, në Dukagjin e gjetiu. Pastaj, si pjesë të lëvizjes së armatosur, Rüb e konsideron edhe Lëvizjen Popullore të Kosovës, e cila ishte aktive nga bota e jashtme. Por, shkruan ai, sado i rëndësishëm të ketë qenë ndikimi i diasporës së Kosovës në themelimin dhe zhvillimin e UÇK-së, impulsi i vërtetë kishte ardhur nga Kosova. Këtu dallohen pjesëtarë të familjeve të caktuara, si ajo e Jasharajve në Prekaz.

Me disa aksione të armatosura kundër stacioneve policore serbe, me një atentat spektakular në qendër të Prishtinës kundër Radivoje Papoviqit të tmerrshëm, me paraqitjen gjithnjë e më të dukshme nëpër regjionet rurale, UÇK ndikoi që «peshorja e frikës tashti të anonte nga policia deri atëherë arbitrare dhe e gjithëpushtetshme serbe». Në këtë gjendje frike forcat serbe filluan me atë që pritej: masakra. Më 28 shkurt dhe 1 mars 1998 u vranë 28 njerëz, pleq, gra dhe fëmijë. Nga data 6 deri 8 mars në Prekaz ndodhi masakra e dytë. U vranë 58 shqiptarë, krahas burrave që kishin rënë në luftim, kishte aty pleq, gra e fëmijë: të vrarë, të mbytur me dhunë, të masakruar. Mes të rënëve ishte edhe Adem Jashari, i cili edhe derisa ishte gjallë qe shndërruar në legjendë: «Adem Jashari me pushkë automatike, granatë antitank dhe me rripin me fishekë, për shumë shqiptarë u bë një shenjtor kombëtar në rangun e Skënderbeut».

Gjendja eskaloi shumë shpejt. Kështu suksesi i LDK-së në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura në gjendje lufte, «ishte fitore e Pirros». Nga ana tjetër Adem Demaçi arriti të bëhej përfaqësues politik i UÇK-së në Prishtinë. Por, shkruan Rüb, zëdhënësi UÇK-së, Jakup Krasniqi, më shumë ishte kundër se përkrah Demaçit, gjë që vetëm sa komplikonte gjendjen. Bisedimet e një delegacioni shqiptar, i cili nuk pranohej nga UÇK-ja, me përfaqësuesit serb, nuk sollën kurrfarë përparimi. Më 24 qershor Richard Holbrooke vizitoi bazën e UÇK-së në Junik. Fotografitë nga takimi me «komandantin e UÇK-së dhe poetin Lum Haxhiun» shpejt morën botën: «Ky ishte depërtimi politik i UÇK-së.» Aq më tepër kur të merret parasysh se në fillim të vitit emisari amerikan Robert Gelbard UÇK-në e kishte quajtur një grup terrorist. Pas takimit në Junik u bë e qartë se pa kryengritësit shqiptarë nuk do të mund të arrihej asnjë zgjidhje. Këtë më parë e kuptuan diplomatët perëndimorë, para së gjithash amerikanët, se sa politikanët në Prishtinë.

Matthias Rüb ka qëndruar shpeshherë në zonat e kontrolluara nga UÇK-ja. Ai mendon se brenda saj kishte dallime ideologjike dhe pikëpamje të ndryshme strategjike: «Në Malishevë komandën e udhëhiqte më tepër një kuadër dogmatik pa përvojë ushtarake që ia vlen të përmendet. (…) Në vende të tjera ish-ushtarë profesionistë çonin përpara ndërtimin e një ushtrie të vërtetë me struktura qendrore komanduese.»

Në këtë kohë Bujar Bukoshi, i cili në cilësinë e kryeministrit të qeverisë në ekzil disa herë kishte kritikuar politikën pasive të Rugovës, me mjete të fondit të trepërqindëshit filloi të krijojë një forcë të dytë të armatosur: FARK-un. Por, sipas Rüb, përpjekja dështoi, sepse UÇK i largoi drejtuesit e FARK-ut pjesërisht me dhunë, pjesërisht arriti t’i bind të kalojnë në UÇK.

Përkundër ofensivës së ushtrisë serbe gjatë verës, përpjekjes së gabuar të kryengritësve për të çliruar Rahovecin, megjithatë «prestigji i UÇK-së nuk kishte rënë.»

Duke qenë një gazetar shumë i vëmendshëm, i pajisur me një intuitë të jashtëzakonshme për detaje, Rüb gjatë një udhëtimi nëpër Dukagjin zhvesh propagandën serbe. Për të justifikuar aksionet brutale oficerët serbë nëpër muret e shtëpive shqiptare shkruanin mbishkrime si «UQK» apo «Drrenic». Në shqipen korrekte, siç ka mësuar Rüb, shkurtesa e Ushtrisë Çlirimtare është «UÇK», ndërsa emri i regjionit të luftimeve të ashpra «Drenicë».

Që nga fillimi i konfliktit të armatosur ishte e qartë se zgjidhja e nyjës një ditë duhej të gjendej në tavolinën e bisedimeve. Si kthesë drejt negociatave serioze për bashkësinë ndërkombëtare shërbeu krimi llahtar në fshatin Reçak, më 15 janar 1999. Tri javë më vonë në dhomat e kështjellës franceze në Rambouillet u vendosën delegacionet e shqiptarëve dhe serbëve dhe shumë diplomatë ndërkombëtarë të prirë nga ndërmjetësuesit Christopher Hill në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Wolfgang Petritsch për Unionin Europian dhe përfaqësuesi i Rusisë Boris Majorski.

Në fjalimin e hapjes së konferencës në Rambouillet, kryetari i Francës, Jacques Chirac, foli për një shans historik: «Bota ju shikon juve, bota pret.» Ai u bëri thirrje pjesëmarrësve që «t’i lejojnë forcat e jetës të fitojnë mbi ato të së keqes.» Duke u ndërlidhur me këtë Rüb pyet nëse te pala shqiptare dhe sidomos ajo serbe kishte figura të shekullit për të zgjidhur konfliktin shekullor. Si shkas qendror që bisedimet në Rambouillet nuk patën sukses, Rüb e sheh strategjinë e Milosheviqit, i cili nuk ishte fare i interesuar për një zgjidhje paqësore: «Ai donte ta mbante Kosovën, por pa shqiptarë.» Qëllimet e tij Milosheviq i kishte shpalosur në intervistën dhënë gazetares së «Washington Post», Elizabeth Weymouth, ku numrin e shqiptarëve e kishte «reduktuar» në 800 mijë përballë 600 mijë pjesëtarëve të pakicave.

Në përgjigje të kritikëve të intervenimit të NATO-s Rüb numëron një sërë krimesh të forcave serbe, numrin e madh të refugjatëve brenda Kosovës, por edhe jashtë saj (mbi 500 mijë), shkatërrimin e 450 fshatrave shqiptare, vrasjen e mbi  2 mijë shqiptarëve. Të gjitha këto kishin ndodhur para sulmeve të Aleancës Veriatlantike.

Me rënien e bombave Milosheviqi niset në betejën përfundimtare: nga Kosova deporton gati një milion shqiptarë, vret e masakron me mijëra shqiptarë, në Beograd i bie daulleve të propagandës. Për ngritjen e moralit kombëtar pas ditarit të mbrëmjes emitohen filma për luftën e partizanëve të Titos kundër Wehrmacht-it dhe ustashëve fashistë kroat: «Në këtë tablo të folklorit propagandistik të pikturuar me lëvizje sipërfaqësore të brushës të gjitha partizanet dhe partizanët ishin të rinj dhe të bukur. Gjermanët të gjithë ishin budallenj, të trashë dhe quheshin Fritz.»

Derisa NATO nga dita në ditë intensifikon sulmet, në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi shtohet mjerimi i të përndjekurve nga Kosova. Gjendjen e pashpresë të kosovarëve nëpër kampet e Rozhajës, Kukësit, Stankovecit, Brazhdës, Rüb e përshkruan me fjali të angazhuara. Nganjëherë, kur kthehet shikimi drejt gjendjes, në të cilën u gjetën shqiptarët pas përzënies nga Kosova, mund të shtrohet pyetja dëshpëruese: mos po harrohet shumë lehtë golgota mars-qershor 1999 në ngarendjen e përditshme për sa më shumë fitim, pasurim dhe nganjëherë edhe plaçkitje?

Ndoshta shqiptarëve u duhet së paku një ditë në vit për të kujtuar dhimbjet e tyre për të rënët, të poshtëruarit, të dhunuarat, të përndjekurit e periudhës 1998-1999. Si në Izreal edhe në Kosovë njëherë në vit për dy minuta anekënd duhet të bien sirenat në kujtim të viktimave. Duhet kujtuar, po ashtu, edhe mrekullinë e madhe: me angazhimin e të gjithëve, NATO-s, UÇK-së, politikës ndërkombëtare dhe asaj kosovare, është arritur që shqiptarët të kthehen pranë shtëpive të tyre të shkatërruara, të kthehen në tokën dhe arat, në malet dhe fushat, në qytetet dhe lagjet e tyre. Kosova iu shmang rrezikut të zhbërjes. Kjo, në radhë të parë, është meritë e atyre që luftuan me armë nga qielli dhe toka.

Në një kapitull të veçantë Matthias Rüb ia kushton hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë dhe kthimit të shqiptarëve. Festa e madhe fillon gjatë orëve të para të mëngjesit të 12 qershorit 1999: tanket e para britanike, amerikane dhe gjermane nisen drejt Hanit të Elezit, gjatë rrugës ato mbulohen me lule dhe brohoritje nga refugjatët. Më parë mes Aleancës Veriatlantike dhe eprorëve të ushtrisë dhe policisë serbe ishte nënshkruar marrëveshja tekniko ushtarake: «Është një ironi e historisë që dokumenti historik i Kumanovës është aq i shkurtër dhe teknikisht i ftohtë: në vetëm gjashtë faqe faktikisht vuloset fundi i sundimit serb në Kosovë.» Këtë sukses s’mund ta turbullojë as arritja e disa ushtarëve rusë në Prishtinë dhe në aeroportin e Sllatinës.

«Ajo çfarë ndodhi pas 12 qershorit», shkruan Rüb, «është ndoshta kthimi më i madh spontan i refugjatëve në Europën e shekullit 20-të». Por shumë kosovarë shtëpitë e tyre i gjetën të shkatërruara. Edhe më keq: Iliri nga Krusha e Madhe në oborrin e tij mbledh eshtrat e anëtarëve të familjes. Në përgjithësi ky fshat i Kosovës është sinonim i brutalitetit të paramilitarëve serbë.

Lufta përfundoi, rezymon Rüb, por gjykimet për të janë të ndryshme. Beogradi fliste për fitore. Që kjo mburrje është qesharake as që ka nevojë të theksohet. Nga ana tjetër Perëndimi ka arritur një fitore. Marrëveshja e Kumanovës pa asnjë fije dyshimi mund të quhet kapitullim i pakusht i Beogradit. Megjithatë, vend për ndjenja triumfaliste nuk ka. Sulmet ajrore u arsyetuan me evitimin e katastrofës humanitare. Kjo nuk u arrit të pengohej. Vetëm pas hyrjes në Kosovë Aleanca Veriatlantike brenda një kohe befasisht të shkurtër dhe në përmasë të habitshme arriti të zbusë pasojat e katastrofës humanitare dhe të dëbimeve sistematike. Duke e kufizuar dhe bërë publik intervenimin në Kosovë, NATO si të thuash vetë kishte hyrë në terren të rrëshqitshëm. Me një strategji tjetër, mendon Rüb, Perëndimi ndoshta më shpejtë do ta kishte zgjidhur konfliktin e Kosovës dhe do të kishte shpëtuar qindra jeta njerëzish.

Libri