Ndërhyrja ushtarake në Irak nuk ishte mjeti i fundit

Një komision hetimor në bë Britaninë e Madhe vendimin e qeverisë Blair për t’iu bashkangjitur sulmit luftarak amerikan në Irak më 2003 e konsideron si të ngutur.

Foto: 360b / Shutterstock.com

Komisioni i ka prezentuar sot rezultatet e hetimit të përfshirjes së Britanisë së Madhe në invadimin në Irak. Ai e akuzon qeverinë për gabime të rënda. Sipas tij, vendimi për ndërhyrje ushtarake është marrë pa ezaurimin e të gjitha opsioneve paqësore për çarmatosjen e Irakut, e transmetojnë mediat zvicerane shefin e komisionit John Chilcot, emrin e të cilit e mban ai.

Raporti pohon se teza që Sadam Huseini dispononte armë të shkatërrimit masiv është prezentuar me një siguri të pajustifikuar. Sikurse nuk janë shterur të gjitha mjetet paqësore përpara invazionit në irak. Për më tepër, përgaditja përpara ndërhyrjes ka qenë krejt e pamjaftueshme. Ajo për çka nuk është prononcuar prerë komisioni është çështja nëse invazioni në irak më 2003 ka qenë legal apo ilegal.

Mediat kujtojnë që ish presidenti amerikan George W. Bush e kishte sulmuar Irakun dhe rrëzuar Sadam Huseinin për shkak të, si thuhej, disponimit të armëve të shkatërrimit masiv dhe lidhjeve të tij me organizatën terroriste al-Qaida. Dhe, kryeministri britanik Tony Blair i kishte përkrahur ushtarakisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë ndërmarrje. Por, në fund nuk ishin gjetur armë të shkatërrimit masiv.

Kontingjenti i trupave ushtarake britanike nga Iraku ishte tërhequr më 2009. Në këtë konflikt e kishin lënë jetën 179 prej tyre. Ndërkaq numri i ushtarëve amerikanë që e kanë humbur jetën në Irak shkon në 4’500. Kurse numri i këtyre viktimave nga ana irakiane, deri në tërheqjen e trupave ushtarake është më i lartë se 100’000. Pas tërheqjes së amerikanëve, vendi u zhyt në një konflikt sektar ndërmjet shiitëve dhe sunitëve, të cilët llogaritet se e kanë mundësuar edhe formimin e organizatës terroriste ISIS. ks