Ndarja etnike do të sillte katastrofë për Ballkanin

Thirrjet për të rishqyrtuar kufijtë e Ballkanit sipas kriterit etnik janë hapa të rrezikshëm prapa - dhe do të nxisnin konfliktet që ato supozojnë se duan të zgjidhin.

Ballkani. Foto: Pixabay



Në opinionin më të fundit të një serie të botuar në Foreign Affairs dhe Balkan Insight, Timothy Less i përshkruan marrëdhëniet ndëretnike në Ballkan si të dëmtuara aq rëndë saqë nuk mund të rindreqen.

Ai e përfshin Bashkimin Europian në këtë problem të sugjeruar prej tij, duke pretenduar se promovimi i multikulturalizmit të tij është një politikë e dështuar, që po e çon rajonin drejt një Armagedoni etnik, ku shtetet eventualisht do të shpërbëhen në vija etnike, me gjasa me vrasje.

Less bëri një thirrje që ne duhet të veprojmë për të parandaluar këtë fatalitet përmes një politike të ndarjes etnike. Ai kërkoi krijimin e marrëveshjeve qeverisëse ndërkufitare, që lidhin pakicat me shtetet ku janë më afër etnikisht osë që janë më të dëshirueshme, duke çuar kështu në rikonfigurimin e kufijve shtetërorë që komunitetet politike të bëhen etnikisht homogjene.

Sipas tij, ky proces i homogjenizimit është çelësi i paqes dhe stabilitetit, pasi ofron «liri nga ndërhyrja e jashtme dhe mbrojtje nga kërcënimi i agresionit politik prej të cilit pakicat në rajon kanë frikë».

Ndërsa idetë polemike të Less të tërheqin vëmendjen, për mua ato janë të keqinformuara. Ato bazohen në një keqdiagnostikim të problemit të frymëzuar nga ideologjia dhe nga një formulim i frymëzuar ideologjikisht i dogmave që mund të nxisin konfliktet që ai kërkon të zgjidhë.

Do të doja të tërhiqja vëmendjen tek këto të meta, pasi jam i shqetësuar se njerëzit do të ndikohen nga mendimet e Less, veçanërisht për shkak se ai ka një biznes që ofron konsulencë të specializuar për politikën e Europës Lindore. Sugjeroj që nëse idetë e tij do të ktheheshin në politikë, ato do të nxisin shkatërrim për rajonin.

Një kalim drejt modeleve mono-etnike të qytetarisë dhe komunitetit politik është një hap mbrapa. Ai zhbën dekada të reformave të të drejtave të njeriut dhe i kthen shoqëritë në një epokë të errët të persekutimit etnik, ku pakicat konceptohen si njolla kombëtare ose si shtetas jobesnikë që duhen kontrolluar, asimiluar apo dëbuar në shtetet «e tyre» etnike.

Si fillim, duhet nënvijëzuar se propozimi i Less është etno-nacionalizëm me petk tjetër. Ndërkohë që ai nuk e miraton sjelljen e nacionalistëve, zgjidhja që ai propozon është pikërisht ajo që do të donin nacionalistët të ndodhte, shtete të zotuara nga grupe etnike të veçanta me kompetenca për të sunduar shtetasit që nuk kanë të njëjtën etni me ta.

Duke përmendur shembuj të Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë dhe Kosovës, Less qorton «politikanët e korruptuar të cilët e mbrojnë nacionalizmin për të qëndruar në pushtet». Megjithatë, Less mund të interpretohet si një mbrojtës i vërtetë, megjithëse pa dashje, i të njëjtit nacionalizëm. Ai është, në fund të fundit, i shqetësuar për të korrigjuar «mospërputhjen e kufijve etnikë dhe politik». Nëse kryhet, ky plan do ta transformonte Ballkanin në një rajon të etnokracive.

Nëse qëllimi i Less është të zëvendësojë bashkëjetesën multietnike me njësi qeverisëse mono-etnike, atëherë a nuk duhet të mbështesë ai propozimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama për një Shqipëri dhe Kosovë të bashkuar? A nuk duhet të mbështesë gjithashtu presidentin e Republikës Srpska Milorad Dodik, i cili përkrah shkëputjen e entitetit të tij nga Bosnja?

Less i kritikon etno-nacionalistët, por është e vështirë të shihet se si e ardhmja e tij ideale është ndryshe nga ajo e tyre.

Less ofron një analizë të njëanshme të ngjarjeve të fundit, duke dhënë përshtypjen se ekziston një krizë e tmerrshme sigurie mes komuniteteve etnike, që kërkon ndërhyrje urgjente. Njëkohësisht, ai nuk përmend informacionet që tregojnë se konfliktet ndëretnike bazohen në përkatësitë partiake dhe dallimet ideologjike, të cilat janë rritur veçanërisht dhe po përçajnë shoqëritë e Ballkanit.

Një ilustrim tregues i kësaj përzgjedhjeje është analiza e fundit e Less rreth krizës politike të Maqedonisë. Ai e paraqit atë në mënyrë të njëanshme si një mosmarrëveshje ndëretnike midis një blloku monolit shqiptar dhe një blloku monolit maqedonas.

Përmes këtij thjeshtësimi të ngjarjeve, Less analizon armiqësitë mes etnive dhe solidariteti ndëretnik që kanë qenë gjithashtu një tipar përcaktues i krizës. Ai gjithashtu e largon vëmendjen nga shkaqet jo etnike të krizës, si abuzimi me pushtetin nga regjimit autoritar dhe mosgatishmërinë për të pranuar humbjen në zgjedhje.

Në fakt, pas leximit të analizës së Less, dikujt mund t’i falet nëse nuk e di që Maqedonia shmangu për pak një luftë civile brenda-etnike mes mbështetësve maqedonas të dy partive LSDM dhe VMRO-DPMNE, mbi të drejtën për të qeverisur.

Dikush mund të falet edhe nëse nuk e di se protesta që erdhi në përgjigje të korrupsionit të shfrenuar të partisë qeverisëse VMRO-DPMNE, përgjimit të kundërshtarëve politikë, mashtrimeve zgjedhore dhe kapjes së gjykatave dhe mediave, – ishte në fakt multietnike. Në të u përfshinë shqiptarët dhe maqedonasit, por edhe qytetarët e komuniteteve të tjera etnike të Maqedonisë, të mobilizuar për të njëjtën arsye të demokratizimit.

Dikush mund të falet nëse nuk e di se në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, një numër i paprecedent i shqiptarëve të Maqedonisë i kthyen shpinën partive politike shqiptare dhe votuan për LSDM, parti socialdemokratike që ka përfaqësuar historikisht maqedonasit, por që gjithashtu gjatë një periudhe në opozitë, u largua nga një platformë etnike drejt një vizioni multikulturor për vendin.

Less nuk raporton për këto çështje. Ai është i zënë me çështjet etnike dhe e sheh konfliktin etnik kudo. Si rezultat i narrativës së tij në mënyrë selektive, ai prodhon një panoramë të shtrembëruar të jetës politike, e cila paraqet i lë vend axhendës së tij të shpëtimit të bashkësive etnike nga vetja duke hequr kufijtë midis tyre.

Analiza e Less jo vetëm që është e një interpretimi të ngushtë. Ajo përmban pasaktësi faktike. Të marrim përshkrimin e tij të shqiptarve etnikë të Maqedonisë. Ai i ka portretizuar ata si këmbëngulës për t’u shkëputur nga shteti, duke iu referuar “shkëputjes de facto” të tyre.

Por, cilëve shqiptarë u referohet? Nuk ka pasur kurrë një lëvizje separatiste midis partive politike shqiptare të Maqedonisë. Ata kanë bërë fushatë zgjedhore për të kundërtën, duke kërkuar përfshirje më të madhe në institucionet shtetërore në emër të barazisë dhe dinjitetit. E njëjta gjë ndodhi edhe gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001, kur luftëtarët shqiptarë u angazhuan për më shumë pushtet qeveritar dhe jo shkëputje nga Maqedonia.

Ç’ka është veçanërisht shqetësuese në analizën e Less është mungesa e gjykimit paraprak nëse propozimi i tij hap rrugë për më shumë konflikt. Ai e merr për të mirëqenë se qytetarët në heshtje do të pranojnë aneksimin e territoreve të tyre dhe se nuk do të bëjnë rezistencë me dhunë gjatë dhurimit të tokave të shenjta kombëtare te një shtet tjetër.

Ai gjithashtu nuk arrin të parashikojë shpronësimin dhe viktimizimin përgjatë kësaj rruge, të cilat lidhen me kushtet e paqëndrueshmërisë dhe pasigurisë për të cilat ai pretendon se ka përgjigje.

Në vend që t’i ekzagjerojë çështjet, Less duhet të mbështesë politikat e transformimit të konflikteve të cilat kanë treguar se funksionojnë. Integrimi europian ka nxitur paqen dhe begatinë në një rajon që deri në Luftën e Dytë Botërore ka qenë vend i dhunës politike shkatërruese dhe rivaliteteve të pafundme ndërshtetërore. Ai i ka transformuar armiqtë e dikurshëm në aleatë të ngushtë, siç ilustrohet bë marrëdhëniet franko-gjermane. Au i ka larguar njerëzit nga ideologjitë nacionaliste dhe ka nxitur solidaritet përtej kufijve shtetërorë.

Ka shumë pika për të qenë kritik në angazhimin e BE-së në Ballkan. BE-ja ka lejuar të lulëzojnë liderët autoritarë, bashkëpunimi i të cilëve kërkohet për të kufizuar rrjedhën e refugjatëve në Europën Perëndimore. Ajo ka qenë e dobët në përgjigjen e saj ndaj politikanëve demagogjikë që nxisin armiqësi mes grupeve etnike. Ajo ka qenë e paqëndrueshme në presionin e saj kundër shteteve që shkelin të drejtat e pakicave.

Megjithatë, këto defekte nuk janë një arsye bindëse për të hedhur poshtë çdo gjë rreth Unionit dhe vlerave për të cilat ai qëndron. Përkundrazi, ato tregojnë nevojën për reforma në mënyrë që BE-ja të bëhet më parimore dhe të zhvillojë lidhje më të ngushta me shtetet në rrezik të rënies në autoritarizëm dhe intolerancë.

Nëse Less është me të vërtetë i përkushtuar për një Ballkan të qëndrueshëm dhe të sigurt, ai duhet ta shohë BE-në si pjesë të zgjidhjes dhe jo ta konceptojë si një pengesë. Ai do të mendonte për mënyra për të shfrytëzuar sukseset historike të unionit për t’i përdorur ato si nxitje për një të ardhme të hapur dhe paqësore. Më shumë kufij dhe më shumë nacionalizëm nuk mund të jenë kurrësesi pjesë e kësaj të ardhmeje.

(https://www.reporter.al/ndarja-etnike-do-te-sillte-katastrofe-per-ballkanin/)