Ndarja e Kosovës – një dosje e Daçiqit e mbuluar me pluhur

Për ndarjen e Kosovës dikur kanë folur diplomatë, analistë dhe gjeostrategë. Një ambasador amerikan në vitet ’90 i kishte ofruar Serbisë një të tretën e territorit të Kosovës. Ajo kohë ka përfunduar dhe ideja e ndarjes është futur në arkiv – deshi apo jo ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

Ivica Daçiq.



Përse Ivica Daçiqi nga arkivi po e nxjerr idenë për ndarjen e Kosovës, të cilën në kohën e Dobrica Qosiqit na e kanë ofruar me zemërgjerësi ata që tani janë ashpër kundër saj? Fakti se shefi i diplomacisë po përdorë eufemizmin e «përcaktimit se çka është serbe dhe çka është shqiptare» nuk do të më pengojë që në vijim të tekstit të flas për ndarjen. Këtë ide, kur ndoshta kishte më së shumit shanse, së pari e ka përmendur (kryeministri serb) Zoran Gjingjiqi, ndërsa pas vrasjes së tij Zoran Zhivkoviqi (pasardhës i Gjingjiqit) mbeti i vetmuar si përkrahës i planit, të cilin nacionalistët serbë e hodhën poshtë me argumentin se «nuk bëhet tregti me fjalën më të shenjtë serbe».

Ideja për ndarje ka pasur kundërshtarë dhe mbështetës, herë bëhej e rëndësishme, herë humbe rëndësinë, me këmbëngulje është mohuar në adresa të ndryshme, por me dekada ka provokuar qëndrime të llojllojshme të bashkësisë ndërkombëtare, duke ia caktuar Ballkanit rolin e këmbësorit në lojën e shahut të fuqive të mëdha.

Zyrtarisht Beogradi kurrë nuk ka qëndruar pas planit për ndarjen me marrëveshje dhe me përshtatjen përkatëse të kufijve, ndonëse zyrtarë e kanë shqyrtuar këtë opsion. Prishtina gjatë gjithë kohës pathyeshëm ka refuzuar që të mendojë për ndarje.

Argumenti i përkrahësve të ndarjes është se kufijtë e Kosovës janë përcaktuar në mënyrë artificiale në Konferencën e Londrës pas Luftës së Parë Ballkanike, kur është krijuar shteti i Shqipërisë, në të cilin jetonin më pak shqiptarë se në rrethinën e saj të afërt. Argumenti kyç i kësaj ideje është se kufijtë duhet ndryshuar nëse ata nuk i krijojnë një ndjenjë të sigurisë dhe prosperitetit banorëve të një vendi.

Nëse është ndarë ish-Jugosllavia, njëfarë ndarje e Kosovës do të ishte vazhdim konsekuent, me ç’rast serbëve të veriut të Kosovës do t’u mundësohej të jetonin në Serbi, ndërsa bashkësia serbe do të ishte më e sigurt, kurse Prishtinës do t’i lehtësohej administrimi me pjesën tjetër të Kosovës.

Stuhia më e madhe rreth planit të ndarjes qe ngritur në kohën e dialogut të parë mes Beogradit dhe Prishtinës në Vjenë në vitin 2007, të cilin e pati kryesuar «treshja» – BE, SHBA, Rusi. Delegacioni i Prishtinës kërkoi që të negociohet për atë se si do të rregullohen raportet mes Serbisë dhe Kosovës si shtete të ndara dhe kështu bëri të qartë se nuk mund të flitet për ndarje. Beogradi kishte agjendën e vet, pak a shumë të paqartë, por as negociatorët e Beogradit nuk e përmendën ndarjen.

Megjithatë, ndarja dominoi në kuluare dhe media prej se ndërmjetësuesi i BE-së, Wolfgang Ischinger, deklaroi se «të gjitha opsionet janë të hapura», përfshirë edhe ndarjen «nëse ata e duan këtë». Shumë shpejt zyrtarët europianë u distancuan. Mediat gjermane protestuan duke e quajtur propozimin e Ischingerit si «skandal të pashembullt». Përfaqësuesi rus e quajti «skenar fantastik» planin për shkëmbimin e jugut të Serbisë me veriun e Kosovës, duke u dakorduar me Beogradin se ideja i është «imponuar» Serbisë me qëllim që të përfitojë opinionin publik sipas formulës «më mirë pak se asgjë».

Jo të gjithë kanë qenë kundër. Ish-ambasadori britanik në Beograd, Ivor Roberts, para dhjetë vitesh fliste për «një lloj ndarjeje» të Kosovës si zgjidhje më e mirë për t’i harmonizuar dëshirat e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi dhe qëndrimin e Serbisë se një gjë e tillë është e papranueshme. «Duhet propozuar ndarjen e Kosovës, sipas së cilës pjesa më e madhe e krahinës do të fitonte pavarësinë, ndërsa trevat e banuara me serbë do të mbesnin në kuadër të Serbisë, shoqëruar me marrëveshje të veçanta të sigurisë për objektet e shenjta serbe».

Në atë kohë edhe Timothy William Waters, profesor në Indiana University në SHBA, në një shkrim në «New York Times» po ashtu përkrahu ndarjen, duke kundërshtuar imponimin e zgjidhjes sipas së cilës «shqiptarët do të merrnin më pak, ndërsa serbët do të humbnin tepër».

«Nëse kufijtë nuk sjellin siguri ose nuk ndikojnë në përmirësim të gjendjes, duhet të ndryshohen. Andaj angazhohemi për shkëputjen e Kosovës nga Serbia. Edhe kjo është ndarje. Pse atëherë është e gabueshme bashkimi i një pjese të vogël (të Kosovës) Serbisë?»

Një analizë të detajuar se çfarë do të duhej të përmbante plani për ndarje e ka ofruar Stefen Meyer nga Universiteti i Mbrojtjes Nacionale në Washington.

Funksionari i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ishte, si edhe politikanët e tjerë në Kosovë, kundër, ndonëse i pëlqente mundësia që ndryshimi i kufijve të jetë hap drejt krijimit të «Shqipërisë së natyrshme».

Amerikanët, ambasadori i të cilëve kryetarit (të Jugosllavisë) Dobrica Qosiq i pati ofruar një të tretën e Kosovës, qëmoti kanë hequr dorë nga ideja e ndarjes dhe janë shndërruar në kundërshtarët e saj më të mëdhenj. Bruce Jackson, kryetar i Projektit të Demokracive në Tranzicion me seli në Washington, ka shkruar: «Shkapërderdhja e shteteve ballkanike dhe europiane është kundër të gjitha parimeve për të cilat janë angazhuar SHBA-të dhe BE».

Sa i përket opinionit kjo ide është arkivuar, ndonëse depeshet e besueshme diplomatike të cilat i ka siguruar Wikileaks zbulojnë se para shtatë vitesh ambasadorët e SHBA-ve në Beograd dhe Prishtinë ishin seriozisht të shqetësuar se mund të ndodhë ndarja e përhershme e Kosovës.

Shkruhej se Beogradi zyrtar po luan kartën e ndarjes, e cila Serbisë do t’i mundësonte të mbajë territorin në veri të lumit Ibër.

«Ka ardhur koha t’i jepet fund politikës së pavendosmërisë sa i përket çështjes së veriut dhe të ndryshohet dinamika e cila përforcon ndarjen mes veriut dhe pjesës tjetër të Kosovës», tërhiqte vërejtjen ambasadori amerikan në Prishtinë mbi rrezikun që mund të shkatërrojë politikën dhjetëvjeçare të SHBA-ve. Kjo ndodhi në kohën e (kryetarit serb) Boris Tadiq, këshilltari i të cilit pranoi se Beogradi duhet të pajtohet me faktin se kurrë më nuk do të administrojë Kosovën, por edhe Prishtina duhet ta pranojë se nuk do të mund të instalojë pushtetin e saj në veri të Ibrit.

Që nga atëherë projekti i ndarjes është shkëputur nga debatet politike, analizat strategjike dhe kombinimet diplomatike. Dialogu i Brukselit, hyrja e serbëve në institucionet e Kosovës, pranimi i autoritetit unik të drejtësisë në Prishtinë, Bashkësia e Komunave Serbe – të gjitha këto konfirmojnë se është hequr dorë nga ideja për ndarjen.

Përse atëherë Daçiqi nxjerr dosjen e mbuluar nga pluhuri dhe ringjall planin për ndarje, të cilin e ëndërronin demokratët? Përse lanson idenë, e cila në të ardhmen mund të jetë embrion i krijimit të Shqipërisë së Madhe dhe serbët në jug të Ibrit – e ata janë shumica në Kosovë – i bë në shënjestër? Nëse pala serbe do të pranonte pazaret me territore, a do të thotë kjo se ajo ka hequr dorë nga parimet e së drejtës ndërkombëtare të cilat i ka mbrojtur deri më tani? Kam lexuar me kujdes gjithçka që Daçiqi kishte për të thënë për temën e «zgjidhjes» së «vetme realiste», «të shpejtë», por përgjigje nuk kam.

(Autori është komentator politik nga Beogradi)