Ndalen «zërat e Kosovës» në Bundestag

Marieluise Beck, Tom Koenigs dhe Hans-Christian Ströbele: dy mbështetës të Kosovës dhe një kundërshtar i ndërhyrjes së NATO-s nuk do të kandidojnë më për parlamentin gjerman. Për Kosovën moskandidimi i Marieluise Beck është një humbje e madhe. Koenigs ka qenë ish-zëvendës i shefit të UNMIK-ut menjëherë pas luftës së Kosovës.

«Kush do ta zëvendësojë ekspertizën sa i përket Europës Lindore, njohuritë e thella të rrethanave në Ukrainë, të cilat i ka arritur Marieluise Beck – dhe ka përcaktuar qëndrimin politik të mbarë grupit parlamentar ndaj politikës agresive ruse?»



Liria nuk mund të hahet. Ky ishte bilanci i një vizite që Marieluise Beck i kishte bërë Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë vitin e kaluar. Qëllimi i vizitës ishte kuptimi më i mirë i arsyeve të ikjes së dhjetëra-mijëra njerëzve nga Ballkani kryesisht në Gjermani. Beck, deputete e Partisë së Gjelbër, i njeh zhvillimet në Europën Lindore si rrallë ndonjë politikan a politikane tjetër gjermane. Ajo mund të konsiderohet ambasadore e vërtetë e Kosovës në parlamentin gjerman. Nga foltorja e Bundestagut ajo me dekada ka folur për Kosovën: ka denoncuar krimet e regjimit të Beogradit në vitet ’90, ka përkrahur ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, përherë ka kërkuar dhe ka votuar për vazhdimin e mandatit të trupave gjermane në Kosovë, ka kërkuar zgjidhjen e statusit të Kosovës, duke thënë se Karta e OKB-së nuk njeh vetëm ruajtjen e tërësisë territoriale të një shteti, por edhe të drejtën e vetëvendosjes. Kjo e drejtë u takon edhe kosovarëve, nënvizonte Beck vazhdimisht.

Ajo ka zhvilluar shumë beteja brenda partisë së saj ndaj kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës. Në korrik të vitit 2008 Beck deklaroi: «Kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës flasin vazhdimisht për shkeljen e të drejtës ndërkombëtare. Sa i përket kësaj çështjeje përballë njëri-tjetrit qëndrojnë dy parime kundërshtuese: nga njëra anë integriteti territorial, nga ana tjetër e drejta e popujve për vetëvendosje. Përtej zgjidhjes së një konflikti përmes autonomisë në të drejtën ndërkombëtare ekziston edhe e drejta për shkëputje. Natyrisht kjo nuk vlen pa asnjë kufizim, por vetëm me kusht që autonomia efektive nuk është e mundshme brenda shtetit përkatës. Për këtë interpretim flet historia e gjatë e konfliktit të Kosovës. Nga pikëpamja shqiptare baza e besimit, e cila është e domosdoshme për një autonomi efektive, është shkatërruar nga pala serbe. Që nga fillimi i viteve ’90, pasi Millosheviqi ia hoqi autonominë Kosovës, atje kishte një kërkesë të qartë dhe konsensuale për pavarësi shtetërore».

Pas aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë Beck kritikoi ashpër presidentin Vladimir Putin. Kjo qasje nuk u prit mirë nga kolegët e saj partiakë. «Ndërsa Putini nga Krimeja dërgon sinjale kërcënuese, unë isha e detyruar të përballem me faktin se pjesë të konsiderueshme të esablishmentit të partisë në Bremen nuk e përkrahin më punën time», ka shkruar 64-vjeçarja Beck. Ajo i ka përfaqësuar të Gjelbrit e qytetit të Bremenit në Bundestag. Në këtë situatë Beck ka vendosur të tërhiqet: ajo nuk do të kandidojë më për deputete. Për Kosovën largimi i saj nga politika aktive është një humbje e madhe. Bashkë me Joschka Fischerin Beck i takonte krahut realist të të Gjelbërve gjermanë, të cilët me sukses luftuan për të bindur partinë të heq dorë nga pacifizmi me çdo kusht dhe në raste të shkeljes së të drejtave të njeriut të përkrahin ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare. Në këtë betejë ata nuk u sulmuan vetëm me fjalë. Në një kongres të partisë të mbajtur gjatë bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, Fischer u godit në kokë me një konservë me ngjyrë.

Largimin nga Bundestagu e ka paralajmëruar edhe Tom Koenigs. Ai është anëtar i parlamentit nga viti 2009, ndërsa më parë është marrë me politikë komunale në Frankfurt dhe menjëherë pas luftës në Kosovë ka qenë zëvendës i shefit të UNMIK-ut. Për OKB-në Koenigs ka punuar edhe në Guatemalë dhe Afganistan. Bir i një familjeje bankierësh Koenigs ndoqi një rrugë krejt tjetër. Si i ri ai dëshironte të bëhej bujk, pastaj bashkë me Joschka Fischerin u përpoq t’i bind punëtorët e Opelit për të marrë pjesë në një revolucion të majtë në Gjermani. Kur përmendet Koenigs në Gjermani pashmangshëm tregohet edhe kjo histori: të gjitha paratë që i kishte trashëguar nga familja e tij e bankierëve ai ua kishte dhuruar vietkongëve, Frontit Nacional për Çlirimin e Vietnamit Jugor. Në Bundestag Koenigs ishte veteran i luftës për të drejtat e njeriut, i sensibilizuar me konfliktet e botës. Rrjedhimisht, ndalja e zërit të tij në parlamentin gjerman do të jetë një humbje tjetër për Kosovën.

Për mungesën e Hans-Christian Ströbele në Bundestag nuk duhet të merakosen kosovarët. Ai është një nga politikanët e Partisë së Gjelbër që në mënyrë konsekuente ka kundërshtuar çdo angazhim ushtarak të Gjermanisë në Ballkan dhe duke luajtur rolin e apostullit të së drejtës ndërkombëtare ka kundërshtuar pandërprerë pavarësinë e Kosovës. Nëse e lëmë anash çështjen e Kosovës duhet thënë se Ströbele, ndërkohë 77-vjeçar, është një politikan me një karrierë shumë interesante. Fillimisht ai ka qenë anëtar i Partisë Socialdemokrate – nga e cila u përjashtua për shkak se si avokat i anëtarëve të grupit terrorist «Rote Armee Fraktion» i quante klientët e tij «shokë». Gjatë gati tërë karrierës së tij politike Ströbele u angazhua për kontroll të rreptë të shërbimeve sekrete. Ai është njëri nga themeluesit e gazetës së majtë alternative «Tageszeitung» të Berlinit, ku e majta gjermane ka zhvilluar debate të ashpra për dhe kundër intervenimit në Bosnjë dhe Kosovë.

Në lidhje me largimin e këtyre tre deputetëve nga Bundestagu gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung», e cila nuk ka ndonjë simpati për të majtën, megjithatë shkruan me nostalgji: «Kush do ta zëvendësojë ekspertizën sa i përket Europës Lindore, njohuritë e thella të rrethanave në Ukrainë, të cilat i ka arritur Marieluise Beck – dhe ka përcaktuar qëndrimin politik të mbarë grupit parlamentar ndaj politikës agresive ruse? Kush do t’i lidhë sërish rrjetet e kontakteve në politikën e jashtme, të cilat i kishte Tom Koenigs, kush do të pasojë zellin e punës dhe përkushtimin juridik të Hans-Christian Ströbele?» Zgjedhjet parlamentare në Gjermani do të mbahen në shtator 2017.