Ndahet nga jeta Dritëro Agolli

Në moshën 85 vjeçare u shua autori i një numri të madh veprash të letërsisë shqipe, disa prej të cilave kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën e opinionit letrar dhe atij publik në përgjithësi. Në prozë dhe në poezi. Prej vitesh, Dritëro Agolli ishte tërhequr në jetën private me gruan e tij, Sadijen.




Pas një jave dergjeje në spital, në jubileun e tij të 85-të, ndahet nga jeta Dritëro Agolli. Shkrimtari Dritëro Agolli lindi në Menkulas të Devollit, më 13 tetor 1931. Mësimet e para i mbaroi në vendlindje, kurse më pas e vazhdoi gjimnazin në Gjirokastër. Më pas ai i mbaroi studimet e larta për letërsi në Petërburg, për ta ushtruar më vonë për shumë kohë punën e gazetarit në gazetën e përditshme «Zëri i Popullit». Ai për shumë vjet ka qenë edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, sikur që për tri dekada të plota  ka qenë i zgjedhur edhe përfaqësues i popullit në rolin e deputetit.

Dritëro Agolli shfaqet në letërsinë shqipe si një uragan i vërtetë. Madje në shumë gjini dhe lloje letrare. Me penën e tij të mprehtë artistike ai e lëvron me mjeshtëri poezinë, poemën, romanin, tregimin, novelën, dramën, si dhe skenarin për film. Duke qenë i tillë, disa prej veprave më të mira të Agollit janë përkthyer në gjuhë të ndryshme. Ai është fitues i shumë çmimeve dhe shpërblimeve të tjera në fushë të letërsisë.

Dritëro Agolli hyri fuqishëm në letërsinë shqiptare në fillim të viteve të ‘60-ta të shekullit të kaluar si një euridit i vërtetë, me një vizion të ri për të ardhmen. Këtë e bëri duke e gdhendur me penën e tij artistike fshatarin e thjeshtë, bujkun e bariun, malësorin e zjarrtë dhe fusharakun e butë. Pa dyshim pa e lënë anash as shkollarin, nxënësin e studentin.

Agolli e krijoi një stil të veçantë, sidomos të vjershërimit, me një thjeshtësi komunikimi, me porosi të mençura dhe me shprehje të ndjeshme. Kurse në prozën e vet, ai krijoi risi në strukturën e rrëfimit, duke krijuar një galeri të vërtetë me shumë horizonte të shumanshme. Te ai ndeshim personazhe të zakonshme e të çuditshme, edhe tragjike e komike, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë. Krijimtaria e Dritëro Agollit është e mbushur me fjalë e shprehje, përkatësisht me frazeologji nga gurra e pasur e visarit popullor.

Romani «Komisari Memo» është ndër veprat më të njohura të Agollit. Ai aty e portretizon «epokën e komisarëve», e cila mbizotëroi gjatë në shkrimet e letërsisë shqipe për periudhën e luftës antifashiste. Romanin i tij «Njeriu me top» e shpërfaq një marrëdhënie ndryshe, duke e gërshetuar temën e luftës me atë të brezit pasues. Romani «Trëndafil në gotë» nuk u çmua aq nga kritika letrare, me gjasë sepse Agolli bëri një provë tjetër, duke e krijuar një personazh, që gjendet midis disa dashurish. Nuk ka dyshim: kontributi më i rëndësishëm prozaik letrar i Dritëro Agollit është romani «Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo», ku ai e ballafaqon një zyrtar me skena jo të lavdishme me vartësit e tij, duke krijuar karaktere humoristike, njëherësh edhe dramatike të burokracisë.

Dritëro Agolli e ka fituar Çmimin  e Republikës dhe është dekoruar me Urdhrin «Nderi i Kombit». Më 2011 ai është nderuar edhe me titullin «Doktor Honoris Causa» nga Universiteti Europian i Tiranës. Me rastin e 85-vjetorit të lindjes, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e nderoi Dritëro Agollin me «Urdhrin e Pavarësisë». Ai e vlerësoi shkrimtarin e shquar, duke theksuar ndikimin që ai pati në Kosovë.

Vepra të Dritëro Agollit

Në rrugë dola, 1958; Hapat e mia në asfalt, 1961; Zhurma e erërave të dikurshme, 1964; Shtigje malesh dhe trotuare, 1965, Mesditë, 1968; Komisari Memo, roman, 1968; Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, 1973; Nënë Shqipëri, 1974; Njeriu me top, roman, 1975; Fjala gdhend gurin, 1977;

Trëndafili në gotë, roman, 1980;  Fytyra e dytë, dramë;  Mosha e bardhë, dramë; Udhëtoj i menduar, 1985; Njeriu i mirë, tregime; Kalorësi lakuriq, roman, 1996; Arka e djallit, roman, 1997; I përndjekuri i dashurisë, poezi, 2003; Prit edhe pak, poezi, 2016.