Ndahet çmimi Nobel alternativ

Nderohen vullnetarët për shpëtimin e të mbijetuarve pas sulmeve në Siri. Sikurse edhe një egjiptase, një ruse dhe një gazetë turke.

Homs, Siri. Foto: ART production / Shutterstock.com

Para luftës ata ishin furrtarë, mësues a shitës. Tani janë bërë zjarrfiksa dhe hidraulikë. Secilën herë kur në viset ku luftojnë rebelët bien bomba. Në fillim ata ishin një duzinë njerëzish që njihen edhe si helmetëbardhët. Ndërkohë janë bërë 3’000 veta dhe veprojnë nën emrin e një organizate me emrin Mbrojtja Cilile e Sirisë. Çmimi Nobel alternativ i ka nderuar ata për guximin e tyre, bashkëndjesinë dhe angazhimin humanitar.

Helmetëbardhët ndërkohë po diskutohen edhe për Çmimin e vërtetë Nobel për Paqë. Për këtë po angazhohen një grup yjesh të Hollywoodit si George Clooney, Daniel Craig, Ben Affleck, Justin Timberlake dhe Kollegin Alicia Keys. Kjo i bën krenarë vullnetarët humanitarë, mirëpo njëri prej tyre shprehet: «Qëllimi ynë nuk është Çmimi Nobel, por mbarimi i luftës në Siri», transmeton Tages Anzeiger.

Kjo shpresë është venitur që kur, pas një jave, u prish armëpushimi. Me sulmin mbi një konvoj humanitar. Dhe, helmetëbardhët janë aty. Qeveria siriane i akuzon ata për afërsi me rebelët. Ndërsa vullnetarët e refuzojnë këtë: qëllimi i tyre është të shpëtojnë jetë njerëzish. Fakti që shumica e tyre veprojnë në zonat e rebelëve ka të bëjë vetëm me prejardhjen e tyre. Ata janë ngritur aty ku nuk kishte struktura shtetërore dhe mungonin shpëtimtarët.

Pas sulmit mbi konvojin humanitar, Kombet e Bashkuara e kanë ndërprerë transportin e mjeteve ndihmëse. Tani njerëzit janë akoma më të nevojshëm për vullnetarë që do të ndihmojnë për ringritjen e infrastrukturës së prishur. Dhe ata kanë një përvojë të madhe në riparimin rrjetit elektrik dhe të atij të furnizimit me ujë pas bombardimeve, është shprehur drejtori i fondacionit Right Livelihood Award. Shkollimin ata e organizojnë vetë, ndërsa financohen nga SHBA-të, Gjermania dhe Holanda. Prandaj edhe ka zëra që pohojnë se ata janë dorë e zgjatur e Perëndimit, por këto, sipas drejtorit, janë gjepura.

Deri më tani në aksionet e tyre nëpër gërmadha kanë lënë jetën 140 shpëtimtarë civilë. Megjithatë, numri i tyre po rritet. Ata veprojnë në 96 vende të këtij shteti, si shpëtimtarë dhe riparues. Kjo për ta është «e vetmja mënyrë për të mbetur njerëzorë në këtë situatë absolutisht çnjerëzore», thotë drejtori i fondacionit. Çmimi, sipas tij, iu ndihmon atyre për të përhapur lajmin se popollatës siriane i ka ardhur shpirti te hunda nga kjo luftë.

Me çmimin Nobel alternativ janë laureuar edhe feministja egjptase Mozn Hassan, aktivistja ruse për të drejtat e njeriut Swetlana Gannuschkina dhe gazeta turke «Cumhuriyet», ka njoftuar fondacioni Right Livelihood Award në Stokholm. Gazeta është bërë e merituar me gazetarinë e patrembur hulumtuese dhe ushtrimin e pakusht të lirisë së fjalës, pavarësisht shtypjes, censurës dhe kërcënimeve. Sipas fondacionit të Nobelit alternativ, gazeta ka dëshmuar që zëri i demokracisë nuk mund të heshtet.

Humanistja egjiptase dhe organizata e saj për studime feministe laureohen «për angazhimin për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave nën kushtet e një dhune, abuzimi dhe diskriminimi të vazhdueshëm». Duke qenë se është nën hetim, ajo nuk mund ta lëshojë vendin. Kjo është një metodë që aplikohet në shumë vende kundër aktvistëve të shoqërisë civile, thotë drejtori i fondacionit. Ata shihen si spiunë dhe tradhëtarë, sepse përkrahen nga jashtë.

Swetlana Gannuschkina angazhohet prej 26 vitesh për emigrantët dhe të përzënët brenda vendit në Rusi. Sipas fondacionit, ajo deri më tani iu ka ofruar 50’000 të tillëve ndimë juridike, humanitare dhe shkollim. Çmimin e dhënë humanistja ruse e ka çmuar si një nder dhe një solidarizim me punën e saj. Ajo është e pikëlluar që në Rusi janë të mirëseardhur vetëm një numër i vogël i refugjatëve dhe që të drejtat e emigrantëve po shkilen rregullisht. ks