Natura lapsa

Kush udhëton mbi hekurudhën Retiane (Rhätische Bahn) nëpër Luginën e Albulës në Engadin dhe tutje përmes Qafës së Berninës drejt jugut, shpejt mund t’i shkojë mendja se ky peizazh natyre paskësh qenë i papërsosur dhe i mangët deri kur njerëzit e mençur vendosën që nëpër këtë terren që vjen duke u lartësuar të shtrojnë një linjë hekurudhore në atë mënyrë që ky rajon të bëhet i bukur dhe i përsosur.

Viadukti Landwasser në Luginën e Albulës në Zvicër.



Në Mesjetën e krishterë u krijua bindja se jo vetëm njeriu është krijesë e mangët dhe me defekte për shkak të mëkatit të zanafillës që duhej të bartte prej se u dëbua nga parajsa, por edhe tërë natyra vuan nga papërsosuria dhe nga dëmet e një prishjeje që përmban në vetvete tokësorja dhe çfarë është krijuar që nga rasti i mëkatit. Vetëm përmes veprës së veçantë të shëlbimit të Krishtit njeriu dhe natyra mund të çlirohen sërish nga këto mangësi dhe të kthehen në gjendjen zanafillore të shëlbimit. Këtë gabim konstruksioni të natyrës teologët e quanin «natura lapsa», natyra me të meta dhe e dëmtuar, dhe kujdeseshin që jetën mbi tokë ta kuptonin si punëtori për riparim të dëmit të shkaktuar.

Ndoshta këto spekulime teologjike neve sot mund të na duken të huaja, sepse ne në të shumtën e rasteve nisemi nga ajo se natyra parimisht është neutrale ndaj vlerave dhe vetëm njeriu – duke ndërhyrë – mund t’i ndryshojë për të mirë apo për të keq. Por kush udhëton mbi hekurudhën Retiane (Rhätische Bahn) nëpër Luginën e Albulës në Engadin dhe tutje përmes Qafës së Berninës drejt jugut, shpejt mund t’i shkojë mendja se ky peizazh natyre paskësh qenë i papërsosur dhe i mangët deri kur njerëzit e mençur vendosën që nëpër këtë terren që vjen duke u lartësuar të shtrojnë një linjë hekurudhore në atë mënyrë që ky rajon të bëhet i bukur dhe i përsosur. Vështirë të merret me mend se ajo çfarë kanë arritur këtu gjeodezistët, ndërtuesit e urave dhe të tuneleve dhe projektuesit e traseve do të mund të bëhej më mirë dhe më bukur nga ajo që na shfaqet sot para syve. Ata zotëronin artin për të ndërtuar pa prishur edhe gjënë më të vogël. Plagët që për një kohë të shkurtër i ishin shkaktuar natyrës qëmoti janë shëruar. Linjat butësisht të lakuara mbi të cilat treni shtillet në lartësi përgjatë shpateve kanë një ritëm dhe elegancë, të cilën të vjen t’i quash madje muzikale. Me sens për të bukurën dhe me guxim, me ndjeshmëri dhe dije të thellë teknike ndërtuesit e hekurudhës këtu kanë realizuar një vepër, e cila duhet të shikohet si shembull mahnitës se çfarë është në gjendje të përmirësojë njeriu në «natura lapsa». Vetëm kështu bëhet e përjetueshme për udhëtarin bukuria e natyrës me egërsinë dhe vrazhdësinë e saj befasuese, butësinë dhe lakueshmërinë, shumëllojshmërinë e trajtave dhe pasurinë e shprehjes. Natyra është me defekte dhe e papërsosur, padyshim! Pastaj vjen njeriu me imagjinatën dhe dijen e tij dhe shpalos bukurinë e tyre për syrin që shikon dhe është kureshtar.

Përktheu: E. Robelli

(Iso Camartin, i lindur më 1944, është kulturolog, filozof dhe shkrimtar. Profesor shumëvjeçar i letërsisë retoromane në Universitetin e Zürichut, Camartin është një Homme des Lettres, një iluminist i pasionuar dhe çmontues mitesh. Ai u rrit në Disentis, ku ndoqi Gjimnazin Humanist në një manastir. Nga viti 1965 studioi filozofinë dhe romanistikën në München, Bolonjë dhe Regensburg. Promovoi më 1971 me një studim për Johann Gottlieb Fichten dhe Immanuel Kantin. Mes viteve 2000-2003 ai drejtoi sektorin e kulturës të televizionit të Zvicrës. Teksti i mësipërm është pjesë e librit të Camartin mbi Zvicrën. Në ditët në vijim dialogplus do të sjellë pjesë të tjera të këtij libri, i cili përmban një shpjegim mahnitës për Zvicrën).