Natë shkodrane

Shkodra.



Por n’mes të prillit plot me kangë a nata
e nëpër Shkodër mbar’ derdhet hareja
prendverore e n’lulishta t’rij e t’reja
shregullash lozin tue kndue valle t’gjata.

(Për ty m’merr malli, vash’, qi fatin pata
n’shregull me lkund’ e m’thae, tu’u da: «Prap eja!»
por s’t’erdha e ma s’të pash… larg nga atdheja
s’mund t’vij as në kët prill, plot me krajata).

Kur afër dritet shpërndahet shoqnija
e s’kndon ma kush pse lodh’ jan’ t’tan prej gzimit,
a dridhet vetëm udh’s t’fshamt e qemaleve?

Ambël mbas qejfit kuj kthen lodh’ ke shpija
syt e përgjumshëm i a puth drita e agimit
qi si vlla lilash çelet maje maleve!