Nana po rënkonte

Për dashurinë e pafund, e të cilën nuk e kuptova kurrë sa duhet - deri në një natë.

Foto: Shutterstock



Shtrati bëhet i rëndë, por jo më i rëndë se trupi, atëherë kur shiprti nuk të zë vend. Gjumi bëhet nevojë e paplotësuar, një ëndërr dite. Por, as njëra, as tjetra nuk krahasohen me ndjesinë që me ndjellë fytyra e saj. Njomësi, e njëjtë po si ajo e një fytyre fëmije që ka filluar të marrë guximin të bëjë hapat e parë. Kockat i lëkunden edhe në kthesën më të vogël të cilën duhet të kalojë, e ndalesat janë të shpeshta nga frika se mund të rrëzohet. Por, as kockat, që tashmë i shihen në trupin e saj të zvogëluar, nuk i lënë shenjë njomësisë fëmijërore të saj, të bukur, aq sa më duket edhe hyjnore.

Nana po rënkonte.

Po më shikon në sy, sikur një fëmijë që për herë të parë ndeshet i zhveshur përballë një gruaje që nuk është e ëma e saj, para se të kryejë nevojën fiziologjike. Hezitimi i saj që të më jap aprovimin t’ia lajë trupin nga djersët e sëmundjes, ngjasojnë me atë hezitimin ndaj dhuratës nga një i panjohur, por që megjithatë të ndjellë kënaqësi. Vetëm se unë nuk isha e panjohur. Ka më pak se 20 vite nga koha kur isha unë ajo që po kërkonte ato që ajo, megjithëse nuk po mi kërkonte drejtpërdrejtë, kishte nevojë t’i ketë nga unë.

Kishte kohë që se kisha parë trupin e saj hyjnor. Nana qenka plakur, thashë me vete, ndërsa mundohesha me buzqëshje të zorit t’ia them të kundërten e asaj që po e mendoja.
Dalëngadalë po më dorëzohej. Nuk isha më gruaja e huaj. Mu kujtua një poezi, e më vinte të bërtas nga brendia, e t’i them kolegut tim: «Halil, më të vërtetë qenka e lehtë me mbajt Nanën mbi supe! E gjithë historia do të duhej të mbaronte me kaq, por jo. Sepse ka shumë e shumë gjëra që duhet të shohim e bëjmë bashkë.

Nana nuk po fliste, për të fliste rënkimi i saj.

Ajo natë, që më jepte ndjesinë e ferrit, të cilin nuk di se si ta imagjinoja ndryshe, më ktheu në kohë sikurse përballja me vdekjen i kthen ushtarët tek ata të cilët lënë pas, para se të marrin rrugën larg tyre.

E koha në të cilën më ktheu ai ferrr ishte ajo kur Nana, si me një rregull të pashkruar, sa herë që na vinte në gjumë më vëllain tim të vogël, na përkdhelte ballin e na uronte natën e mirë para se të mbyllte derën e dhomës së gjumit, aq sa mund të na kalonte një rreze drite brenda nga korridori që ishte e vetme që ndante dhomën e saj prej dhomës sonë.
Atë natë, po e bëja të njëjtin veprim, pa vetëdije. Duke ia dhënë vetes mundësinë që pak orë më pas të dëgjojë rënkimin e saj që po më thërriste. A thua vallë, Nana paska fjetur gjithmonë vetëm me gjysmë gjumi dhe duke pritur se mos po dëgjonte një rënkim nga ne?

Nana po rënkonte.

Por, uji po i bënte mirë. Mund ta shihja në fytyrën e saj të lodhur, që sikur lehtësohej prej secilës pikë uji, si një vrasës nga shpëlarja e mëkateve para priftit. Veçse nana nuk ishte vrasësi, porse po mbante në trupin e saj të njomë një të tillë.

Shumë shpejtë ajo do t’i mbyllte sytë përbri krahut tim. Ishim vetëm ne të dyja në një botë ku mbretëronte qetësia, dhe asgjë s’kish rëndësi por ndjesësisë që koka e saj po më dhuronte ndërsa pushonte në krahrorin tim. Po merrte frymë! Dhe bota u bë e tëra e imja.
«Do vdes», më tha. «Të gjithë kemi me vdekë», ia ktheva me shaka.

Tek e fundit, humbja e betejës me vdekjen është e vetmja të cilën e kemi të sigurt qysh kur nisim të jetojmë. E na gëlltit m’u në momentin kur mendojmë se kemi mësuar formulën se si të jetojmë.

Hapat e parë në këtë drejtim përherë na i jep Nana.

«Shkollë e dije!», më thoshte. «E prej këtyre pastaj do të kesh gjithçka tjetër». E shkollën, të cilën sot nuk jam e sigurt nëse Nana, e cila ka kohë që nuk shfaq entuziazëm, vazhdon ta dojë si e donte, por dikur e donte fort. Vazhdimi i arsimimit iu kishte mohuar, pa të drejtë si plot vajzave të fshatit të saj, dhe në emër të «moralit» që hoxhallarët e rrethinës së Vushtrrisë po përhapnin si normë për të shpërblyer e dënuar gjithë ata që iu bindeshin apo jo, urdhërave të tyre që dukeshin si urdhrat e prerë të gjeneralëve mizorë të ushtrive të egra pushtuese. Asokohe gjithçka po ndodhte në kohë pushtuesi. Kush di tutje, le të flas vet.

Nana po rënkonte.

Rënkimi i saj po bëhej thikë që shponte sa herë tingujt dilnin nga trupi i saj, aq i njomë. Si mund të vuaj aq shumë një krijesë aq e njomë, aq e pastër?

Konfliktet Nana nuk i ka dashur asnjëherë.Ballafaqimi me to do ishte një tentativë e dështuar përherë. I është shmangur secilit e çdo gjëje që mund edhe ta ketë sharë, a fyer pa nevojë. Si fëmijë isha e bindur me veten se kësaj gruaje duhej t’ia dëshmoja me çdo kusht se unë jam si ajo – e mirë.

E Nana ishte përherë jashtëzakonisht e mirë. Anipse sikurse çdo qenie tjetër njerëzore bënte gabime, të cilat filloja t’ia shija vetëm pasi që kisha marrë të gjitha mësimet e nevojshme prej saj. Asnjëherë nuk i pëlqente t’i qëndroja larg. Anipse ishte ajo që kishte këmbëngulur që unë të merrja në dorën time jetën e të vendos për vete. Unë, si një fëmijë i llastuar, po jetoja ëndrrat që ajo vetëm mund t’i kishte imagjinuar nëse do të kishte fuqi për diçka të tillë pas punës që duhej të bënte për ta ndihmuar të ëmën në rritjen e vëllezerëve dhe motrave me të rinj të saj, përherë isha në konflikt me të vërtetën që Nana kishte krijuar në kokën e saj rreth familjes ideale. Po ia përplasja në fytyrë secilën padituni të saj rreth këtij ideali të rremë, pa fije vetëdije se unë dhe ajo që mendoja ishin produkt i një ideologjie të indoktrinuar prej saj. Asaj që donte aq shumë lirinë e gruas për të vendosur vet për jetën e saj. Atë liri të mohuar të saj qysh në fëmijëri të hershme.

Por, pas çdo zënkë, sado e madhe që mund të kishte qenë ajo mes neve, ajo buzëqeshte përherë dhe në fund pasonte një sesion i pirjes së kafes turke që të dyja e adhuronim aq shumë, dhe një ledhatim të flokëve të cilin edhe pse nuk e meritoja prej Nanes përherë e fitoja. «Bahet mirë», thoshte.

Por, mirë ka kohë që nuk u bë ashtu siç ka kohë që nuk e pi as kafen e mëngjesit e as mesditës me Nanën, e cila nuk jam e sigurt nëse di të kujtojë shijen e saj. Produktet e laborantëve të ndyshëm kimik ju bënë ushqim mëngjesi, dreke e darke, e madje edhe desert.

Nana po rënkonte.

Sikur po më thoshte se koha e saj ka kaluar. Por, unë e di se nuk ka kaluar.Sepse, ne mbetemi të njëjtit, edhe pse jo si më parë. Sepse ne mbesim bashkë, sikur kurrë më parë, deri në rënkimin e fundit, edhe përtej kësaj. Se dashninë e Nanës e fëmiut, nuk ka sëmundje e as vdekja që mund ta ndajë.