Nacionalistët maqedonas dhe grekë mobilizohen kundër marrëveshjes së emrit

Teksa optimizmi rritet për një zgjidhje të shpejtë të mosmarrëveshjes Maqedoni-Greqi për emrin, nacionalistët në të dyja vendet po protestojnë kundër kompromisit.




Organizata të nacionalistëve të djathtë dhe të diasporës në Maqedoni dhe Greqi kanë filluar kundërshtimin e tyre kundër asaj që sipas tyre mund të jetë një zgjidhje e shpejtë për mosmarrëveshjen e gjatë mbi emrin e Maqedonisë. Në Greqi, fushata është e përqendruar në kundërshtim me çdo emër për fqinjin e tyre verior që përfshin termin «Maqedoni», që ata këmbëngulin se është ekskluzivisht emër grek. Të djathtët në Maqedoni nga ana e tyre kërkojnë tërheqjen e vendit të tyre nga bisedimet për emrin të mbështetura nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Në krye të kundërshtimeve në Maqedoni është Lëvizja Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në Maqedoni, MHRMI, që ndodhet në Kanada. Në dhjetor, ky grup filloi të merrte me qira tabela në Shkup dhe të lëshonte deklarata ku kërkonte tërheqjen e Maqedonisë nga bisedimet për emrin të cilat do të intensifikohen këtë vit. Fushata, e quajtur «Emri ynë është Maqedoni», shfaqi billborde me fytyrën e një djali, duke iu referuar rëndësisë historike të brezave të ardhshëm nëse Maqedonisë i ndryshohet emri me kompromis.

«Nëse emri ndryshohet një herë, do të ndryshohet kudo dhe përgjithmonë,» shkruhet në të. «Doni të quheni «maqedonas të rinj», ‘maqedonas verior’, «shkupianë», «vardarës» apo thjesht maqedonas?» pyet fushata me billborde. Në një deklaratë të nxjerrë më 4 janar, lëvizja e quajti qeverinë aktuale, të drejtuar nga Zoran Zaev i Social Demokratëve, «një regjim» dhe e akuzoi atë dhe Departamentin Amerikan të Shtetit se po ul lirinë e medias në vend për të çuar përpara një ndryshim të papranueshëm emri këtë vit.

«Siç e kemi paralajmëruar, emri i Maqedonisë, identiteti, gjuha dhe historia janë në negociata vetëm për të kënaqur shtypësit tonë… Absolutisht presim dhe kërkojmë mbrojtje të të drejtave tona njerëzore të vetëvendosjes, për të qëndruar siç ishim – maqedonas,» tha lëvizja. Në Greqi, Federata Greke e Shoqatave Kulturore të Maqedonasve dhe disa lëvizje të tjera të diasporës kanë njoftuar protesta dhe kanë nisur një peticion kundër çdo kompromisi emri të sponsorizuar nga OKB që do të përfshijë termin «Maqedoni». Fushata ka shpërndarë dhe një video ku këmbëngul se Maqedonia ka qenë një pjesë e domosdoshme e identitetit helenik për më shumë se 3,000 vjet, duke theksuar se «Maqedoni do të thotë Greqi».

Organizatorët thanë se do të organizonin protesta në qytetet greke në muajt e ardhshëm, duke i kërkuar kryeministrit grek Alexis Tsipras të mbajë një referendum mbi përdorimin e termit «Maqedoni» nga vendi fqinj. Fushatat në dy vendet nisën pasi Shkupi dhe Athina në dhjetor rifilluan bisedimet për mosmarrëveshjen e emrit pas tre viteve bllokim. Ata kanë rënë dakord të intensifikojnë bisedimet në fillim të vitit 2018, optimistë se mund të arrihet një zgjidhje në gjysmën e parë të këtij viti, në mënyrë që Maqedonia të hyjë në NATO në samitin e korrikut.

Mosmarrëveshja për emrin përqendrohen në këmbënguljen e Greqisë se përdorimi i fjalës «Maqedoni» nënkupton një pretendim territorial për provincën veriore greke me të njëjtin emër. Si rezultat, në 2008, Greqia bllokoi hyrjen e Maqedonisë në NATO dhe gjithashtu ka vazhduar bllokimin e fillimit të bisedimeve të pranimit të Maqedonisë në BE, pavarësisht disa raporteve vjetore pozitive nga Komisioni Europian mbi progresin e vendit. SHBA dhe BE rinisja e bisedimeve është mirëpritur. Dy ndërkombëtarët janë parë si mbështetës kyç të misionit për të gjetur një zgjidhje që do të siguronte integrimin e Maqedonisë në Perëndim, duke kufizuar gjithashtu ndikimin rus në Ballkan. (BIRN)