Na fal, Fatima!

Një opinion i botuar në gazetën «Danas» nga aktivisti serb i të drejtave të njeriut, me rastin e shpalljes së aktgjykimit të gjeneralit Ratko Mlladiq, i cili u dënua për gjenocid.

Pamje nga Srebrenica. Foto: Shuttersock



Mbyllni sytë dhe imagjinoni një të re të lindur në Srebrenicë, Fatima Muhiq. Ajo është 22 vjeçare, ka flokë të gjatë e të pastër ngjyrë kafe, nën një hixhab mëndafshi, një fytyrë të ngushtë dhe krenare. Ajo është studente e filozofisë në Sarajevë, krenaria e gjithë familjes së saj. Ajo është modeste dhe e hareshme, ka shumë miq. Në këtë mëngjes të artë, ajo ulet vetëm në Bashçarshi, duke kaluar nëpër shënimet e saj të ligjëratave. E shijon ajrin e pastër. Merr frymë thellë, pi një gllënjkë kafe dhe kafshon llokumin e aromatizuar turk. Pi një gllënjkë ujë të ftohtë, sheh kodrat e mjegullta të Sarajevës dhe ëndrrat për të shkuar në New York. Shikon orën, është vakti për të shkuar. Ngre duart lart deri në ballin e saj, me gishta përshkon rreth fytyrës dhe i shtrëngon flokët nën hixhab. I dërgon një mesazh mamit të saj në Srebrenicë, duke i uruar një mëngjes të mirë dhe i thotë asaj se i do të gjithë. Ngrihet, vendos çantën e saj mbi shpatulla dhe kalon nëpër një grup turistësh me një buzëqeshje në fytyrë, duke u zhdukur në turmë. E shihni ju? Tani hapni sytë.

Fatima ka lindur në Potoçari, një ditë pasi Armata e Republika Srpskës marshoi në Srebrenicë. Të ballafaquar me një trysni të padurueshme, mijëra njerëz u arratisën nga paniku nga ushtria serbe, në pyje dhe në kodra për të arritur deri në Tuzël. Atë ditë, serbët kuptonin shumë mirë fjalët e deklaruara të komandantit të tyre, një deklaratë që ai e dha në momentin që shkeli në Srebrenicë. Ata festuan dhe kënduan deri natën vonë, ndërsa bosët po përgatisnin një masakër masive dhe ndërsa pajisjet nga Serbia po grumbulloheshin për javët e gjakderdhjes së tyre. Për gjueti mbi burrat dhe djemtë nëpër pyje, për urdhrat si «Bini në gjunjë!», për gënjeshtrat si «Asgjë nuk do të ndodhë me ju, ndjehuni të lirë për të dalë». Për qeshjen djallëzore prapa kokave të djemve të rinj të cilët, të lagur nga djersët dhe nga urina, të gjunjëzuar dhe të paarmatosur para heronjve serbë, për regjistrimet e vrasjeve të tyre, për goditjen e një trupi të vdekur kur përplaset me tokën e rëndë boshnjake me bar të verdhë.

Më 11 korrik, gratë, fëmijët, të moshuarit dhe të rinjtë po iknin drejt bazës së OKB-së. Ata nuk dinin dhe as nuk mund ta dinin se po vraponin në dhomën e pritjes së vdekjes, duke siguruar vendin e tyre në një varr masiv. E guximshmja Hava, me barkun e saj të rritur, ishte gjithashtu pjesë e ikjes së shpirtrave të tmerruar. Ajo kishte frikë se do të rrëzohej, se turma do ta rrokulliste atë në tokën e djegur. Gjatë natës së saj në Potoçari, Hava lindi në kushte të paimagjinueshme. Nata ishte më e keqe se dita. Zagushia ishte duke mbytur mijëra njerëz që ndanin ajrin e tmerrshëm të strehimit. Ajo lindi një vajzë.

Në të njëjtën kohë, 120 kilometra nga atje, në Beogradin që kundërmon nga era e keqe, zotërinjtë i shihnin lajmet e mbrëmjes nga karriget e tyre të zyrës dhe dëgjonin deklaratën e gjeneralit: «Këtu jemi në një Srebrenicë serbe. Ka ardhur koha më në fund për t’u hakmarrë kundër turqve në këtë zonë». Gratë po përfundonin përgatitjet e tyre për lavdinë e së nesërmes, Ditën e Shën Pjetrit. Një javë më vonë, gjatë lajmeve të mbrëmjes së Radio Televizionit të Serbisë, një zë i ri i deputetit Aleksandar Vuçiq u dëgjua nga fjalimi në Kuvendi: «Vritni një serb dhe ne do të vrasim njëqind myslimanë».

Mijëra myslimanë tashmë ishin hedhur në varre masive. Kur këto u mbushën, trupat u copëtuan dhe u transferuan në varret sekondare, pastaj u ri-paketuan dhe u hodhën në varre terciare. Serbët ishin të zënë me punë deri në fund të verës. Kush i ka hapur ato? Kush voziste autobusë nga Valeva, Shabaci, Uzhica, autobusë që më vonë do të përdoreshin për të transportuar njerëz nga Potoçari në vende ku do të ekzekutoheshin? Kush i hodhi trupat në gropa në Tomasihcë, Kozluk, Budak, Snagovo, Kamenicë?

Komandanti i këtyre vrasësve ishte «në arrati» për 16 vjet pas gjenocidit dhe ishte nën mbrojtjen e vendit tonë. Ai ishte parë shpesh në Beograd, në lojëra, midis të ftuarve të ndryshëm nëpër festa. Pastaj ai u zhduk. Sot e dimë se, të paktën për një kohë, ai ishte duke u fshehur në një objekt ushtarak në Topçider. Kush janë Drazhen dhe Dragan? Këta janë dy rojet ushtarake që janë gjetur të vdekur më 5 tetor 2004 në të njëjtin objekt. Vendi ynë dhe mediat pohojnë se ishte vrasje, ndërsa rojet u vranë në të vërtetë sepse e panë «vetë djallin» atë mëngjes. Në atë kohë, Ministri i Mbrojtjes ishte Boris Tadiq.

Gjenerali «u gjet» në vitin 2011 në fshatin Lazarevo, afër Zrenjaninit. Me krenari deklaroi emrin e tij të vërtetë pa asnjë hezitim tek policia. Boris Tadiq i dëshpëruar, kryetari i atëhershëm i Serbisë, e informoi publikun se «heroi» ishte kapur. Gjenerali menjëherë kërkoi ta vizitonte varrin e vajzës së tij Ana, e varrosur në Topçider. Ana kreu vetëvrasje në vitin 1994 duke qëlluar veten me plumb në kokë me armën e babait të saj. Thashethemet tregojnë se babai i saj kërkoi që ai ta shihte atë për herë të fundit. Disa thashetheme gjithashtu tregojnë se ai e pengoi hetimin mbi shkaqet e vdekjes së saj. Ata thonë se vdekja e vajzës së tij e goditi shumë atë aq sa e bëri të ndryshojë «strategjinë e tij të luftës».

E mbani në mend Fatiman? Hava Muhiq e quajti ashtu vajzën e saj të vogël në vitin 2012 kur kockat e foshnjës ishin identifikuar. Ato ishin të vogla dhe të përziera me të tjerat. Nuk ishte e lehtë për t’i gjetur ato, as për të vendosur se kujt i përkisnin. Fatima është viktima më e re e gjenocidit të Srebrenicës. Janë të paktën 8’371 viktima, por Fatima ka jetuar më së paku gjatë natës së ferrit të korrikut. Fatima, të cilën ne sot e imagjinojmë duke kaluar me një buzëqeshje në fytyrën e saj përmes Bashçarshisë, vdiq në të njëjtën ditë të lindjes së saj. Ajo kurrë nuk do të shohë kodrat e Sarajevës, as nuk do të pi një gllënjkë me ujë të ftohtë. Nëna e saj sot e sheh vendimin e vrasësve të fëmijës së saj, ndërsa vrasësit e saj të tjerë ecin lirisht mes nesh. Disa prej tyre janë në pushtet, disa janë në opozitë, disa i mësojnë fëmijët tanë, disa shkruajnë lajmet tona, disa prej tyre drejtojnë vendin tonë.

Na fal, Fatima.

Autori është një aktivist i të drejtave të njeriut nga Beogradi dhe një bashkëpunëtor i Shkollës për Studime të Mediave të Shkollës së Re në New York.