Na duhet gazetaria konstruktive

Mbi pasojat negative të demokracisë mediale.




Demokracia është shpikje europiane. Ashtu si gazetat, radioja dhe televizioni. Perëndimi e ka zbuluar edhe kompjuterin dhe rrjetin e kompjuterëve, internetin. Globalizimi e ka eksportuar atë në pjesën tjetër të planetit tokë. Prej saj pritej të kishte ndikim të mirë, por nuk pati. Sepse civilizimi i Perëndimit u bë demokraci mediale, në të cilën mediumet shpeshherë kanë më shumë ndikim se politikanët.

Mediumet e lajmeve sot kanë më shumë ndikim se kurrë më parë në historinë e njerëzimit. Mediumet kanë marrë pushtetin. Ato përcaktojnë agjendën – se si duhet ta shohin populli dhe bota veten. Mediumet përqendrohen pothuaj se vetëm në anët negative dhe triviale. Sepse njerëzit e mediumeve besojnë se ashtu ka dëshirë publiku. Dhe sepse kështu bëjnë para.

Pasojat janë të ndryshme dhe të rënda. Së pari njerëzve u servohet një pamje e rrejshme e realitetit. Së dyti Perëndimi vuan nga mungesa e karaktereve udhëheqëse. Demokracitë mediale nuk sjellin prijës, por prodhojnë popullistë. Silvio Berlusconi të vjen në mendje si prodhim popullist i demokracisë mediale.

Greqia klasike para 2500 viteve dhe Roma klasike para 2000 viteve nuk kanë pasur mediume. Por kishin prijës. Prijësit mbase më të mirë politikë të Europës në 100 vitet e fundit ishin Winston Churchilli dhe Charles de Gaulle. Të dy e morën pushtetin politik para se demokracia të shndërrohej në demokraci mediale: në të cilën gazetaria gërmuese ka si qëllim vetëm ekspozimin e politikanëve, të cilët nga ana e tyre vrapojnë pas votave dhe kërkojnë vëmendjen e masave.

Sot redaksitë dhe politikanët e nxjerrin në Twitter çdo storje dhe çdo politikë – me më pak se 140 shkronja. Kjo prodhon trivialitet. Jo vetëm në kokat e publikut, por edhe në kokat e atyre që duan të japin lajme dhe të impresionojnë të tjerët. Trivialiteti dhe negativiteti  i mediumeve e infekton politikën. Mungesa e udhëheqjes politike në Perëndim është duke e dobësuar ndikimin global të Perëndimit. Kombet europiane nuk e kanë kuptuar se popullsia e botës në shekullin e 20-të është katërfishuar dhe njëkohësisht janë globalizuar gati të gjitha nga 200 shtetet kombëtare.

Njëkohësisht popullsitë e gati të gjitha kombeve europiane po mplaken, po ashtu edhe ato të Rusisë dhe Japonisë. Derisa të gjithë europianët së bashku në vitin 1950 përbënin rreth 30 për qind të popullsisë së botës, në vitin 2050 ne do të jemi vetëm 10 për qind të njerëzve të këtij planeti – dhe në fund të shekullit vetëm rreth 7 për qind. Këto shifra tregojnë se integrimi europian nuk po bën hapa përpara – kjo është pasojë e mungesës së udhëheqjes. Konsekuenca logjike është se Kina dhe me gjasë bota myslimane do të marrin udhëheqjen.

Ndryshimi i sjelljes së shtypit dhe një fokus më i madh në rolin konstruktiv në shoqëritë tona janë për t’u përshëndetur. Unë tani jam 96-vjeçar dhe në çdo aspekt të jetës i takoj të kaluarës. Mosha më bën realist. Ulrik Haagerup, i cili propagandon gazetarinë konstruktive, është përgjysmë më pak i moshuar se unë. Ai ka të drejtë të jetë optimist. Dhe të besojë në një gazetari tjetër, e cila është më e entuziazmuar dhe e orientuar drejt të mirës së shoqërisë globale.

[Ky tekst u botua për herë të parë si parathënie e librit “Constructive News” të Ulrik Haagerup, shtëpia botuese Oberauer. Helmut Schmidt ka qenë kancelar i Republikës Federale të Gjermanisë mes viteve 1974-1982. Që nga viti 1983 ai është bashkëeditor i gazetës së përjavshme “Die Zeit”].