Myslimani nga Shishtaveci restauron muret e ngurta të kishave antike

Shahin Pashaj, 58-vjeç, ka punuar në restaurimin e mureve të gurit në kishat e Ardenicës e Karavastasë, dhe është pjesë e muratorëve që po rehabilitojnë Portikun e Shën Mërisë në Parkun Arkeologjik të Apolonisë

Gurëgdhendësi Shahin Pashaj. Foto nga : Arben Velo

Andej nga vjen ai, mes maleve të Kukësit, jeta nuk kuptohet pa gurë. Shahin Pashaj e ka mësuar këtë që në vegjëli kur ka filluar të skalisë e rradhisë për të ndërtuar një kasolle në Shishtavec, një fshat ku flitet shqip dhe gorançe, në kufi me Kosovën. «Guri nuk të lodh po mësove të flasësh me gjuhën e tij», i thotë Pashaj BIRN duke folur për një «gjuhë» të tretë. Ai bashkë me murator të tjerë, po punojnë në restaurimin e një portiku mesjetar kishe në Parkun Arkeologjik të Apolonisë në Fier. 58-vjeçari ka vite që është pjesë e këtyre projekteve restauruese falë aftësisë për të lidhur gurët në mure të vjetra.

Punimet për rehabilitimin e Manastirit të Shën Marisë në Apoloni, filluan në mes të qershorit të këtij viti falë një fondi rreth 620 mijë euro të financuara nga Bashkimi Europian. Fondi është  pjesë e projekteve CARDS (Ndihma Komunitare për Rindërtimin, Zhvillimin dhe Stabilizimin). «Projekti është pjesë e listës së projekteve të kombinuara që vijojnë Procesin e Lubjanës – Financimi i Rehabilitimit të Trashëgimisë në Evropën Juglindore, iniciativë e përbashkët e Këshillit të Europës dhe Komisionit Evropian dhe për të mbështetur restaurimin e trashëgimisë historike, si një gjenerator i kapitalit social dhe ekonomik, i cili sjell përfitime të prekshme për popullsinë lokale, duke inkurajuar turizmin kulturor», thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës lidhur me fillimin e punës këtu. Ai pritet të zgjasë deri në fund të Janarit të vitit që vjen dhe përfshin një sërë rehabilitimesh brenda zonës së mbrojtur dhe infrastrukturë shtesë.

Një nga pjesët më të vështira në këtë proces i takon Shahinit. I paisur me mistri, e çekan, të cilët nuk i lëshon nga dora, edhe ndërsa flet, myslimani nga Shishtaveci duhet të mbyllë «plagët» që koha u ka shkaktuar mureve të kishës së vjetër, duke lënë sa më pak shenja të mundshme të ndërhyrjes së tij.

Babai i tre fëmijëve të cilët i ka rritur duke punuar si murator ka një eksperiencë të gjatë në këtë punë. «Me duart tona kemi restauruar shumë objekte antike. Këto mure duhen patur kujdes, sepse restaurimi, puna me gurët dhe dyshemenë nuk duhet të lënë përshtypje të keqe te turistët» – thotë ai për BIRN.

Ai numëron disa punë në të cilat ka marrë pjesë në të gjithë vendin, por thotë se ky i fundit është më i vështiri. «Kemi shkuar gjithandej. Kemi kryer restaurime në kishat e Karavastasë,  në Ardenicë, Vlorë, Elbasan, por këtu është puna më e madhe» – shpjegon Shahini.

Burri i besimit mysliman buzëqesh kur ia kujtojnë se ka restauruar vetëm kisha. «Unë jam mysliman…besoj në Zot dhe kur kam përfunduar punën në këto objekte kulti  të them të drejtën jam ndier mirë», thotë ai.

Në një botë kur konfliktet fetare janë lajm dite burri nga Shishtaveci perifrazon ndryshe Pashko Vasën: «Feja e punës, është puna».  «Mua kurrë nuk më ka rënë rasti të  punoj për të ndërtuar apo restauruar një xhami, do ta bëja punën me qejf. Kur mbaron një punë dhe sheh që ajo të ka dalë bukur, merr urimet dhe respektin. Kjo nuk është pak apo jo?», pyet ai.

Megjithëse për të ka pasur punë këto vite Shahini thotë se gurpunuesit po rrallohen. Çeliku, xhami, betoni i kanë zëvendësuar prej kohësh ndërtimet e gurit. Kullat e vjetra në fshatrat e Shqipërisë janë shembur për të ndërtuar shtëpi tulle. 58-vjeçari sidoqoftë ka vendosur t’ia mësojë të birit punën me gur, jo vetëm si traditë familjare, por edhe duke e ditur se ato gur që ai po vendos tani apo të tjerë do kenë sërish nevojë për tu radhitur pas disa vitesh.

I rritur mes mureve të gurit dhe gurpunuesve ai e thotë se ndryshe nga sa mund të hamendësohet puna e tij nuk kërkon forcë, por teknikë. «Guri, nëse i bie fort do të thyhet, nëse e ‹sqaron› me duart e tua, do të marr formën që do ti. Do durim», thotë ai.

Drejtuesit e punimeve në këtë qëndër muzeale thonë se, janë në përfundim një pjesë e tyre për restaurimin e portikut e të trapezarisë, ndërsa ka përfunduar restaurimi i kabinës elektrike që ndodhet në pjesë e jashtme të rrethit të monumentit të Agonetet-ëve. Po ashtu sipas tyre ka përfunduar depoja arkeologjike e ujit dhe po krijohet mundësia për ta bërë të vizitueshme trapezarinë arkeologjike ku janë restauruar disa nga rrënojat. Në pjesën hyrëse të parkut ka përfunduar hyrja e re që përfshin parkimin si dhe lidhet me autostradën Fier-Vlorë. Specialistët kanë deklaruar se ka përfunduar ndërtimi i rrjetit hidrosanitar ku përfshihet ndërtimi edhe i një rrjeti kundër zjarrit.

Pjesa tjetër, në qendër të parkut Apolonia, mbetet një kantier i madh ndërtimi. Manastiri i Shën Mërisë është i rrethuar me skaleta hekuri dhe dërrase. Aty kanë filluar të zhduken të çarat alarmuese të  krijuara nëpër mure prej vitesh dhe sidomos në  pjesën lindore të tij. Restuarime po kryhen në portikun e statujave, në trapezari, muzeum dhe pjesë të tjera të parkut. E gjithë fasada  e jashtme dhe e brendshme është e mbushur me vegla pune, grumbuj llaçi dhe punëtorë që sfidojnë të nxehtin e korrikut.

Shahin Pashaj nuk ankohet për vapën. «Puna jonë është mes të nxehtit dhe të ftohtit», thotë ai duke hequr padashje një si paralelizëm me gurët qindravjeçarë të cilët duhet t’i rikthejë në vendin prej nga janë rrëzuar prej motit. Ai beson se ata po i japin jetë manastirit, ndërsa tregon se gjithë këtë «rrugë» e ka nisur në Shishtavec ku gurët lidhen me baltë për të ndërtuar shtëpi, kasolla e gardhe.

«E rëndësishme është që kur të përfundojmë këtë punë e të shkojmë në një tjetër vend pune, që ka nevojë për dorën tonë të mos koritemi», thotë Shahini dhe rregullon kasketën mbrojtëse me dorën  që ka sipër saj pak llaç të ngrirë.

Shën Mërisë në Parkun Arkeologjik të Apolonisë. Foto nga: Arben Velo
Shën Mërisë në Parkun Arkeologjik të Apolonisë. Foto nga: Arben Velo

(BIRN Albania: http://www.reporter.al/myslimani-nga-shishtaveci-restauron-muret-e-ngurta-te-kishave-antike/)