Myslimani me sakicë

Mbi plagosjen e tmerrshme të shumë udhëtarëve në një tren në Gjermani nga një 17-vjeçar nga Afganistani dhe metodat e reja kriminale të fanatikëve islamikë.

Pyetja e parë që të vjen në mendje kur lexon, dëgjon dhe sheh pamjet nga masakrimi i disa udhëtarëve në një tren në Gjermani është: po Gjermania çfarë faji ka? Para gati një viti, kur mijëra refugjatë nga vatrat e krizës prej Sirisë në Pakistan mbetën të bllokuar në rrugën ballkanike, kancelarja gjermane Angela Merkel në një akt heroik tha: «Ne ia dalim!» Dhe Gjermania hapi dyert për rreth një milion refugjatë. Mijëra gjermanë dolën në stacionin e trenit në München, i mirëpritën të mjerët e kësaj bote, disa gjermanë duartrokisnin, të tjerët brohorisnin «Refugees welcome», të tjerët dhuronin ushqim e lodra për fëmijë.

Të hënën vonë një refugjat 17-vjeçar nga Afganistani, i armatosur me sakicë dhe thikë, iu vërsul udhëtarëve në një tren në Gjermani. Paramendojeni veten: jeni duke u kthyer në shtëpi dhe befas në vagon e keni përpara tehun shndritës të sakicës dhe një kriminel që duke pëllitur «Allahu akbar» ju godet në fytyrë? Të hënën ndodhi pikërisht kjo në Gjermani. Pas kanë mbetur shumë të lënduar – dhe ndërsa po shkruhet ky tekst dy njerëz po dihatin dhe po luftojnë kundër vdekjes.

Çfarë faji ka Gjermania? Kurrfarë faji. Si shumë vende perëndimore edhe Gjermania u bë viktimë e një çmendurie pseudofetare, një çmendurie që thirret në Kuran e Kalifat, Allah e Arabi.

Hetimet e para të autoriteteve gjermane tregojnë se krimineli ka vepruar i shtyrë nga motivet politike, i ndërsyer nga propaganda e milicisë terroriste «Shteti Islamik» (IS), i cili u ka shpallur luftë të gjithë «të pafeve». Politologu francez Olivier Roy tha këto ditë në një intervistë për gazetën zvicerane «Tages Anzeiger» se IS po ofron platformën e përsosur për myslimanët që kanë prirje të dhunshme, që anojnë nga misticizmi nihilist.

Sulmet kundër njerëzve të pafajshëm në Nicë të Francës javën që shkoi, sulmi në Würzburg të Gjermanisë të hënën në mbrëmje, sulmet në Paris tregojnë se armiqtë e lirisë i shpallin luftë botës së lirë. Sulmi islamist kundër revistës Charlie Hebdo më 7 janar 2015 ishte goditje kundër lirisë së mendimit. Sulmet në Paris më 13 nëntor 2015 ishin goditje kundër njerëzve që festojnë jetën në koncert, në stadium të futbollit dhe në kafeteri. Sulmi në Nicë drejtohej kundër familjeve. Në ditën e festës kombëtare të Francës shumë familje kishin dalë në promenadën e këtij qyteti për të shikuar spektaklin e fishekzjarreve – një shenjë e triumfit të lirisë. Festa e tyre u përgjak brutalisht. Bota e lirë, ajo perëndimore po aq sa ajo lindore, është e rrezikuar nga fashizmi islamik. Këtë fashizëm duhet ta luftojë gjithë bota. Dhe ky fashizëm luftohet me zhdukjen e milicisë terroriste të quajtur «Shtet Islamik».

Si të zhduket kjo murtajë? Ndoshta vetëm nëpërmjet të një aleance mes myslimanëve paqësorë me botën e lirë perëndimore. Myslimanët janë numerikisht viktimat më të mëdha të fanatikëve fetarë, por ende po mungon një mobilizim i përgjithshëm përballë këtij rreziku. Pas çdo sulmi pasojnë ca broçkulla që kjo s’ka të bëjë asgjë e islamin, se islami është fe e paqes, se islam domethënë paqe. Të gjitha këto mund të jenë të vërteta, por shpesh deklarata të tilla tingëllojnë qesharake për aq kohë sa bota myslimane nuk çohet në këmbë kundër krimit në emër të fesë.

Në gusht të vitit 2014 zëdhënësi i «Shtetit Islamik» Abu Mohammed al-Adnani (i lindur më 1977) bëri thirrje eksplicite për të qëlluar çdo të «pafe». Ndryshe nga al-Kaida që me sulme spektakulare tërhiqte vëmendjen e botës (11 shtator 2001në SHBA, Madrid në vitin 2004, Londër më 2005), «Shteti Islamik» po përpiqet ta masovizojë dhunën, duke apeluar te çdo mysliman të marrë thikën dhe të qëllojë çdo njeri që supozohet se nuk është mysliman. «Nëse jeni në gjendje të vrisni një amerikan të pafe apo europian – sidomos francezët mizorë dhe të ndyrë -, australianët, kanadezët apo të pafe të tjerë, të cilët po zhvillojnë luftë [kundër nesh], atëherë besoni në zot dhe vritni si të doni. Çajuani kokën, masakroni me thikë, shkelni me veturë, hidhni nga një ndërtesë e lartë, ngufatni dhe helmoni».

Në maj të vitit 2015 shefi i «Shtetit Islamik» në një audio-mesazh u bëri thirrje myslimanëve për hixhër – shpërngulje në «Shtetin Islamik» -, por nëse kjo nuk është e mundshme, myslimanët, sipas tij, duhet të rrokin armën dhe të luftojnë kundër armiqve të «Shtetit Islamik» – «kudo që janë ata». Për këtë rrezik ka paralajmëruar profesori Peter R. Neumann nga King’s College London vitin e kaluar në librin e tij të frikshëm «Xhihadistët e rinj: Isis, Europa dhe vala e ardhshme e terrorizmit».

Të enjten e kaluar ky vizion i tmerrshëm u bë realitet në Nicë të Francës, të hënën në Würzburg të Gjermanisë. Kush e ka radhën tani?

Kjo valë terrori po e forcon të djathtën kudo në Europë, edhe në Gjermani. Kjo dhunë po e rrezikon politikën aq humane të kancelares Merkel ndaj refugjatëve. Ndoshta kjo është edhe strategjia e terroristëve: që me krimet e tyre të shtyjnë europianët të sjellin në pushtet parti të djathta radikale. Atëherë dyert e ferrit do të hapen më shpejt. Së paku kjo duket të jetë shpresa e kalifëve të terrorit. Ndërsa politikanët e përgjegjshëm po kërkojnë zgjidhje përballë terrorit islamik, europianët po jetojnë me frikë – me frikë se duke u kthyer në shtëpi do t’ua çajnë kafkën kriminelët me Kuran. – Të martën përgjegjësinë për krimin në Würzburg e mori Kalifati monstruoz i islamit.