Myslimanët shqiptarë blenë truall nga ushtria zvicerane për të ndërtuar xhami

Xhamia e komunitetit shqiptar në kantonin e Glarusit në Zvicër akuzohet për qëndrime radikale. Truallin për ndërtimin e xhamisë besimtarët e kanë blerë nga ushtria zvicerane. Por nga erdhën paratë – 2,5 milionë franga?

Xhamia e komunitetit shqiptar në Netstal, kantoni i Glarusit.

Shqiptarët e fesë myslimane vazhdojnë të jenë të pranishëm në mediat zvicerane për shkak të aktiviteteve të dyshimta apo të kontestueshme. Siç shkruan gazeta «NZZ am Sonntag» komuniteti mysliman shqiptar në Netstal të kantonit të Glarusit vitin e kaluar ka blerë nga Ministria e Mbrojtjes se Zvicrës (VBS) një truall, ku ka ndërtuar një xhami. Ekspertët e akuzojnë këtë komunitet për afërsi me selafistët dhe për paraqitje në internet me emblema radikale islamiste, shkruan gazeta.

Po ashtu shefat e xhamisë dyshohen se e kanë financuar ndërtimin e xhamisë me para të Ligës Botërore Islamike, një instrument i Arabisë Saudite për përhapjen e versionit radikal të islamit. Irfan Lika, president i komunitetit shqiptar mysliman, mohon se në xhaminë e tij prezantohen qëndrime radikale dhe se aty u ofrohet platformë islamistëve. Sipas tij trualli i xhamisë ka kushtuar 653 mijë franga dhe këto para janë siguruar nga banka dhe nga kapitali vetjak. Paratë rrjedhin nga Zvicra dhe pjesa më e madhe e donatorëve janë nga kantoni i Glarusit, ka thënë Lika. Supozimet se xhamia mund të jetë financuar nga fondacionet arabe apo turke janë demantuar nga ana e tij. Por gazeta zvicerane ngrit dyshime ndaj deklaratave të Irfan Likës. Shpenzimet për blerjen e truallit dhe për ndërtimin e xhamisë arrijnë në 2,5 milionë franga. Kjo i bie se 322 anëtarë të xhamisë në Netstal të kenë paguar mesatarisht nga 8 mijë franga secili për ndërtimin e xhamisë.

Akuzat se xhamia në Netsal mban lidhje me qarqe radikale janë ngritur nga Saïda Keller-Messahli, e cila nga mediat zvicerane rregullisht citohet si eksperte e radikalizmit islamik. Liga Botërore Islamike «pa dyshim» mban lidhje të strukturuara me disa organizata islamike në Zvicër, thotë Reinhard Schulze, profesor e shkencave islame në Universitetin e Bernës dhe autor i një vepre standarde shkencore mbi këtë temë. «Donacionet e Ligës Botërore dhe para të tjera që rrjedhin nga Arabia Saudite u jepen në mënyrë të privilegjuar xhamive dhe shoqatave, të cilat së paku e shohin pozitivisht traditën vahabiste», thotë Schulze. Një rol të rëndësishëm në këto aktivitete e luan Organizata Europiane e Qendrave Islamike (EOIC), e cila ka për qëllim financimin e infrastrukturës myslimane dhe arsimimin dhe punësimin e imamëve në Europë. «Kjo organizatë qartë përkrahet nga Arabia Saudite», thotë Schulze. Themelues dhe president i degës së Zvicrës të Organizatës Europiane të Qendrave Islamike është Ziane Mehadjri, një algjerian 49-vjeçar dhe imam vahabist. Anëtar i Organizatës Europiane të Qendrave Islamike është edhe imami shqiptar Nehat Ismaili, i cili drejton të ashtuquajturën «Xhami e Bardhë» në Aarburg në Zvicrën qendrore. Ismaili po ashtu në opinion njihet si shef i Unionit të Imamëve Shqiptarë të Zvicrës. Sipas «NZZ am Sonntag» nëpërmjet këtij unioni janë krijuar lidhjet me Ligën Botërore Islamike. «Unioni i imamëve shqiptarë ka ndikim në së paku 30 xhami në Zvicër», thotë Saïda Keller-Messahli. Sipas saj në pothuaj të gjitha këto xhami propagandohet ide selafiste. Synimi është që besimtarët të binden për të mbajtur kursin e sheriatit, mendon Keller-Messahli.

Themeluesi dhe presidenti i degës së Zvicrës të Organizatës Europiane të Qendrave Islamike është Ziane Mehadjri së fundi është përjashtuar nga posti i imamit në një xhami në Gjenevë – «për arsye administrative», siç thuhet. Xhamia Petit-Saconnex në Gjenevë konsiderohet qendër e islamistëve radikalë, dy imamë të saj dhe shefi i sigurisë nga shërbimi sekret francez janë klasifikuar si rrezik për sigurinë publike, ndërsa tre persona të afërt me këtë xhami kanë shkuar në xhihad në Lindjen e Afërt. Aktualisht të tre gjenden në paraburgim në Zvicrën franceze.

Në fund të tetorit Unioni i Imamëve Shqiptarë të Zvicrës njoftoi se «ambasadorja e Republikës së Kosovës në Bernë, Nazane Breca, e shoqëruar nga Fatmire Musliu, ministër-këshilltare në Ambasadë, në zyrat e Xhamisë së Bardhë në Aabrgurg zhvilluan një takim me kryetarin e Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, Nehat Ismailin». Më tutje në deklaratë thuhet se «ambasadorja Breca përshëndeti dhe përgëzoi punën dhe angazhimin e imamëve të cilët në kontinuitet dhe në linjën institucionale janë të organizuar për t’i kontribuuar integrimit të tyre në bashkësinë zvicerane». Ndërsa ambasadorja, sipas komunikatës, kishte nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit «në shumë shtigje dhe sfera me përmbajtje të interesit kombëtar», imami Ismaili në deklaratë nuk përmend interesat kombëtare, por thuhet se «e njoftoi ambasadoren» për «përkushtimin e imamëve në Zvicër dhe investimin e tyre në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave universale njerëzore».

Pas akuzave të fundit në mediat zvicerane kundër imamëve shqiptarë për shkak të lidhjeve me eksponentë të krahut radikal islamik, mbetet të shihet nëse Ambasada e Kosovës në Bernë do të mbajë një qëndrim më kritik ndaj Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, përfaqësuesit e të cilit publikisht flasin me gjuhë të moderuar, ndërsa mbajnë kontakte me Ligën Botërore Islamike, me Organizatën Europiane të Qendrave Islamike dhe me imamë vahabistë si Ziane Mehadjri.