Myslimanët diskriminohen në tregun e punës në Perëndim

Qytetarët e besimit islam diskriminohen nga punëdhënësit për shkak të fesë së tyre. Këtë e tregojnë studimet në Europë.

Foto: Shutterstock.com



Paragjykimet për myslimanët reflektojnë edhe në punësimin e tyre, e fillon raportimin «20 minuten». Studimet në Britaninë e Madhe dhe Francë sugjerojnë që ata diskriminohen më së shpeshti gjatë kërkimit të një vendi pune, se sa personat me përkatësi tjetër fetare.

Në Britaninë e Madhe myslimanët e përbëjnë 4 për qind të popullsisë. Sipas «Washington Post» ata janë rrallë të përfaqësuar në pozita të kualifikuara. Ndërkaq britanikët vetë i zotërojnë 30 për qind të profesioneve të kualifikuara – drejtorë, mjekë, avokatë, arkitektë. Sipas një hulumtimi, një funksion të përafërt e kanë vetëm 16 për qind e myslimanëve britanikë. Ata janë grupi religjioz më pak i përfaqësuar në këtë fushë. Për më tepër, statistikisht ky komunitet i ka edhe gjasat më të mëdha të mbetet i papunë. Edhe në parlament myslimanët janë të nënreprezentuar. Me 13 politikanë, myslimanët kanë rreth dy për qind të mandateve.

Hartuesit e studimit rekomandojnë një ligj që urdhëron procedura anonime të aplikimit te punëdhënësit e mëdhenj. Ndërkohë që 100 ndërmarje britanike tani më e praktikojnë këtë. Një ndër arsyet e kësaj situate punësimi, sipas autorëve të studimit, është edhe fakti që myslimanët në krahasim me popullsinë mbarë janë tendencialisht të rinj. Një pjesë e madhe e tyre nuk jetojnë prej shumë kohësh në Britaninë e Madhe.

Ndërkohë një studim i Universitetit të Sorbonës në Paris tregon që myslimanët shanset të ftohen në një intervistë pune i kanë katër herë më të vogla se sa të krishterët. Nga 6’000 aplikacionet fiktive të dërguara nga studiuesit – 17,9 për qind e të krishterëve janë ftuar në një intervistë kundrejt 4,7 për qind të myslimanëve.

Edhe aplikantë hebraikë kanë marrë 15,8 për qind më pak ftesa për një intervistë punësimi se sa katolikët. «Rezultatet tregojnë hapur një diskriminim të rëndë të myslimanëve dhe hebrenjve në Francë», citohet studimi i Sorbonës. Këto rezulate janë më të qarta se ato të studimeve të ngjashme për disfavorizimin e zezakëve në Amerikë, transmeton media.

Shefja e studimit, Marie-Anne Valfort, ka pohuar që imazhi i Islamit në Francë ka pësuar një dëm të madh dhe se shumë francezë e identifikojnë atë automatikisht me ekstremizmin dhe shtypjen e grave. Sipas saj, këto stereotipe, sidomos karshi burrave myslimanë, e ushqejnë diskriminimin.

Në Zvicër jetojnë 450’000 myslimanë. Shumica e tyre vijnë nga Ballkani, Turqia dhe Afrika veriore. OSZE-ja e kishte kritikuar Zvicrën para tre vjtëve se myslimanët po diskriminohen në çështjen e fitimit të shtetësisë zvicerane dhe në punësim. ks