Mysafir në Zvicër

Çfarë do të ndodhte me Zvicrën nëse punëtorët tanë të huaj befas do të na thoshin lamtumirë dhe do të ktheheshin në vendet e tyre të prejardhjes? Disa ndërmarrje do të duhej të mbylleshin menjëherë. Stabilitetit ekonomik do t’i lëkundeshin më shumë se themelet. Zviceranët që mendojnë u janë përjetësisht mirënjohës vendeve fqinje europiane, por edhe rajoneve më të largëta që njerëzit e tyre kanë mërguar dhe kanë ardhur te ne.

Pamje e Zürichut. Foto: Shutterstock



Ju jeni natyrisht me fat. Juve ju joshin në Zvicër me një ofertë për t’ia pasur zili. Dëshirojnë që ju të vini dhe të veproni këtu. Jeni i dëshiruar dhe i adhuruar. Kjo i bën shumë gjëra më të lehta për ju. Sepse kush vjen në Zvicër pa pyetur fare, nuk e ka aq lehtë. Edhe këtu ekziston mosbesimi ndaj mysafirëve të paftuar. Sidomos nëse nuk i përkasin të pasurve dhe kërkojnë ndihmë dhe mbështetje, punë dhe siguri. Kushtet e pranimit për punëkërkuesit janë ashpërsisht të rregulluara. Nëse dikush në shikim të parë është një askush dhe nëse duket se nuk ka asgjë, atëherë shikohet me skepticizëm. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur ekonomia në Zvicër lulëzoi si në shumë vende të Europës, kishte nevojë për njerëz. Më vonë shkrimtari Max Frisch gjeti formulën e famshme, sipas të cilës kishte nevojë për fuqi punonjëse dhe erdhën njerëz. Me këta të fundit Zvicra kishte vështirësi deri kur u bënë mjaftueshëm të pavërejtur për t’u konsideruar pjesë e shoqërisë. Sot njëzet për qind e popullsisë që banon në Zvicër janë të huaj. Pra, çdo i pesti! Natyrisht jozviceranët nuk janë të shpërndarë përpjesshëm në mbarë vendin. Në rajonet fshatare numri i të huajve mund të jetë shumë i vogël, por në Gjenevë është gati dyzet për qind. Kjo shkakton konflikte, por edhe sfida madhështore kulturore. Ky numër i madh i të huajve në Zvicër vazhdimisht nxit debate të brendshme, nganjëherë madje margjinalizime dhe izolime të neveritshme. Por çfarë do të ndodhte me Zvicrën nëse punëtorët tanë të huaj befas do të na thoshin lamtumirë dhe do të ktheheshin në vendet e tyre të prejardhjes? Disa ndërmarrje do të duhej të mbylleshin menjëherë. Stabilitetit ekonomik do t’i lëkundeshin më shumë se themelet. Zviceranët që mendojnë u janë përjetësisht mirënjohës vendeve fqinje europiane, por edhe rajoneve më të largëta që njerëzit e tyre kanë mërguar dhe kanë ardhur te ne. Ndërkohë mijëra syresh janë bërë zviceranë, ata karakterizojnë vendin tonë. Ata po ashtu kujdesen për një shumëllojshmëri të pasur kulturore, për kolorit si të tregjeve ashtu edhe të dokeve dhe zakoneve. Kur të vini herën tjetër në Zürich vizitojeni njëherë të shtunën në mëngjes tregun e Oerlikonit, një lagje e Zürichut. Këtu para syve tuaj do të shpaloset me ngjyrat më të bukura ajo që ky vend ka përfituar nga veriu dhe jugu, vendet e Mesdheut, por edhe nga rajonet më të largëta në jug. Falë pranisë së njerëzve të kombeve të huaja Zvicra është bërë shumë më e denjë për të jetuar në të, më e freskët, më shijemirë dhe më shumëngjyrëshe. 

Përktheu: E. Robelli 

(Iso Camartin, i lindur më 1944, është kulturolog, filozof dhe shkrimtar. Profesor shumëvjeçar i letërsisë retoromane në Universitetin e Zürichut, Camartin është një Homme des Lettres, një iluminist i pasionuar dhe çmontues mitesh. Ai u rrit në Disentis, ku ndoqi Gjimnazin Humanist në një manastir. Nga viti 1965 studioi filozofinë dhe romanistikën në München, Bolonjë dhe Regensburg. Promovoi më 1971 me një studim për Johann Gottlieb Fichten dhe Immanuel Kantin. Mes viteve 2000-2003 ai drejtoi sektorin e kulturës të televizionit të Zvicrës. Teksti i mësipërm është pjesë e librit të Camartin mbi Zvicrën. Në ditët në vijim dialogplus do të sjellë pjesë të tjera të këtij libri, i cili përmban një shpjegim mahnitës për Zvicrën).