Muzikë përtej klisheve

«Gipsy Groove», një bend kosovar që performon muzikë autentike rome të miksuar shpesh edhe me stile të tjera, në fillim të dhjetorit do të mbajë dy koncerte në Zvicër.

«Gipsy Groove» gjatë një koncerti. Foto: Jetmir Idrizi



Si në të kaluarën edhe sot, për fat të keq, romët e kanë një vend të caktuar në shoqëri. Është një vend diku në qoshe, në mëhallën e tyre, larg popullsisë shumicë. Kështu përhapen paragjykimet, rritet diskriminimi dhe pengohet përzierja kulturore. Për të dalë nga kjo geto Bajram Kinolli ka bërë një përpjekje modeste: ai ka themeluar bendin multietnik «Gipsy Groove», i cili performon muzikë autentike rome. Bendi është themeluar në vitin 2010, pasi Kinolli kishte braktisur mëhallën e tij në Gjakovë dhe kishte ardhur në Prishtinë në kërkim të fatit, punës, përmbushjes kulturore, suksesit. Muzika e «Gipsy Groove» kryesisht është një miks mes folkut dhe stileve të tjera. Deri më tani bendi ka nxjerrë në treg dy albume dhe ka performuar jo vetëm në Kosovë.

«Mendoj se kemi bërë revolucion duke i afruar kosovarët në çdo koncert deri tani nga çdo qoshe e Kosovës. Jam shumë i lumtur që artin e përdori për të thyer kufijtë e limitet e injorancës primitive që i trashëgojmë nga mendjet egoiste», citohej Bajram Kinolli, i njohur me nofkën «Kafu», nga gazeta «Koha Ditore» në një tekst të botuar në vitin 2013. «Gjithmonë kemi punuar të ngremë cilësinë e muzikës rome, duke marrë influenca të zhanreve të ndryshme. Gjithë artistët apo muzikantët e kanë të zhvilluar ambicien për përmirësime, por e them me gjithë kuptimin e fjalës se grupi jonë ka edhe më shumë misione sesa garë, vetëdijesimin për thyerjen e paragjykimeve ndaj pakicave».

Në fillim të dhjetorit «Gipsy Groove» do të performojë në Zvicër. Koncerti i parë do të mbahet më 1 dhjetor në Zürich (Photobastei Sihlquai 125, 8005 Zürich, hapja e dyerve nga ora 20:00), ndërsa koncerti tjetër mbahet më 2 dhjetor në Bernë (Im Viento Sur, Lerchenweg 33, 3012 Bern, hapja e dyerve nga ora 21:00). (dp)