Muzeu i ri i Sigurimit hedh dritë mbi të shkuarën e errët komuniste

Shtëpia e Gjetheve, selia në Tiranë e shërbimit sekret të kohës së komunizmit, ka hapur dyert e saj për publikun, duke i kujtuar shqiptarëve një kohë të zymtë që ata me shumë gjasa do të donin ta harronin.

Muzeu «Shtëpa e Gjetheve» | Foto nga : LSA



E ndodhur në zemër të Tiranës, vila dy katëshe të ngjall një ndjesi të përzierë kureshtjeje dhe frike.

Pemët e mëdha në oborr dhe muret rrethuese e izolojnë atë nga kalimtarët – por për ata që dinë për të, reputacioni i saj të ngjeth mishin.

Për pothuajse gjysmë shekulli, e ashtuquajtura «Shtëpia e gjetheve» ishte shtëpia e Sigurimit, shërbimi sekret i kohës së komunizmit në Shqipëri.

E ndërtuar në vitin 1931, fillimisht ajo ishte klinika e parë obstetrike private në Shqipëri. Komunistët e morën atë pasi erdhën në pushtet në Shqipëri në vitet 1940 dhe e shndërruan atë në një seli terrori.

Të mërkurën, ajo hapi dyert e saj për herë të parë për publikun, tani e njohur si Muzeu i Përgjimit i Policisë Sekrete.

Në 31 dhoma, vizitorët  tani mund të inspektojnë aty mjetet dhe teknikat e përdorura nga Sigurimi për të përgjuar dhe siguruar informacione për të dyshuarit dhe ata mund të gjykojnë vetë se si u ndikuan jetët e shqiptarëve nga këto aktivitete të zymta.

«Ky muze i kushtohet atyre njerëzve të pafajshëm që u përgjuan, arrestuan, gjykuan, dënuan dhe ekzekutuan gjatë regjimit komunist», shkruhet në një tabelë në hyrje të tij.

Secila nga dhomat përfaqëson një aspekt ndryshe të punës së shërbimit sekret. Thelbi i ekspozitës janë mjetet e spiunimit. Me qindra prej tyre janë të ekspozuara nëpër tavolina, duke treguar kështu një koleksion pajisjesh për një vend aq të vogël, të varfër dhe të izoluar si Shqipëria.

Ylli Pata, një gazetar që po viziton muzeun, tha për BIRN se ai kishte pritur të shikonte nëse fjalët për pajisjet e klasit të parë të Sigurimit ishin apo jo të vërteta.

«Jam i mrekulluar. Tani e kuptoj që të gjitha fjalët për efikasitetin e Sigurimit ishin të vërteta. Ata kishin në dispozicion të tyre teknologjinë më moderne të asaj kohe», tha ai.

Përveç pajisjeve të përgjimit të importuara nga Gjermania, Rusia, Japonia dhe Kina, ato që ndodhen në mes të pajisjeve të ekspozuara janë çimkat e bëra nga vetë Sigurimi.

Nesti Vako, tani 74 vjeç, erdhi ta shikonte muzeun nga një tjetër këndvështrim. Ai ndihmoi në projektimin e këtyre çimkave.

Nga viti 1969 deri në vitin 1991, ai ishte kryeinxhinieri i Departamentit Operativ Teknik i Sigurimit.

«Jam krenar të them se në vitin 1975 ne projektuam çimkat tona. Unë i bëra vetë me duart e mia dhe ishin shumë të lehta dhe me cilësi të mirë», tha ai për BIRN, duke parë çimkat e tij të vjetra nga pas xhamit.

Në muze janë ekspozuar dhoma për përgjimin e telefonave, një dhomë e errët për të larë filma dhe laboratorë për të testuar praninë e lëndëve biologjike dhe radioaktive.

Sigurimi nuk kishte vetëm teknologji të mirë për të vazhduar punën e tij, por gjithashtu edhe një rrjet të madh bashkëpunëtorësh.

Sipas të dhënave në muze, në vitin 1949 Sigurimi kishte tashmë 11,033 bashkëpunëtorë, 439 prej të cilëve ishin agjentë sekretë dhe 9,141 informatorë në terren.

Në vitin 1965, numri total i bashkëpunëtorëve arriti kulmin e tij me 16,178 bashkëpunëtorë, nga të cilët 1,088 ishin agjentë dhe 12,332 informatorë.

Në vitin e fundit të ekzistencës së tij, në vitin 1990, Sigurimi kishte 15,000 bashkëpunëtorë, ndërsa nga ta 1,000 agjentë sekretë dhe 11,000 informatorë.

Muzeu «Shtëpa e Gjetheve» | Foto nga : LSA

Jo shumë pendim

Muzeu «Shtëpia e gjetheve» tregon qartë impaktin tmerrues që kishte shërbimi sekret në komb.

Jetët e njerëzve ishin totalisht të pambrojtura dhe spiunimi shpesh fillonte kur nuk ishte asnjë shenjë apo dëshmi të kishte ndodhur ndonjë aktivitet i paligjshëm.

«Një fjalë, një këngë, një takim i rastësishëm mund të konsiderohej si aktivitet armiqësor», lexohet nëpër muret e muzeut.

Janë ekspozuar gjithashtu disa dosje të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, në një kohë kur, pas shumë vitesh zvarritje, dosjet kanë filluar më në fund të hapen.

Ekspozita bëhet edhe më emocionale kur vjen puna te lista pothuajse e pafund e atyre që u gjykuan, burgosën dhe madje edhe u ekzekutuan. Shumë prej këtyre viktimave fillimisht u përgjuan ose u hetuan nga Sigurimi.

Por Nesti Vako tha për BIRN se ai nuk pendohej për punën e tij të mëparshme në selinë e Sigurimit të Shtetit.

«Ne i shërbyem shtetit dhe kombit për të ruajtur rendin. Në disa raste, në u kërkuam falje njerëzve pasi kuptuam, nëpërmjet përgjimeve, se ata ishin akuzuar gabimisht», këmbënguli ai.

Megjithatë, ai e pranon se disa njerëz në Sigurimin e Shtetit abuzuan me pushtetin e tyre. «Abuzuesit ishin të pranishëm dhe u bënë shumë gabime», tha ai.

Gjethet në oborrin e ndërtesës krijojnë një tapet natyral, ndërsa shushurima e tyre duket se ngjall pëshpërimat nga e kaluara e Shqipërisë, disa prej tyre padyshim të frikshme.

Muzeu «Shtëpa e Gjetheve» | Foto nga : LSA