Muzeu boshnjak i Fëmijërisë së Luftës para hapjes së tij

Pavarësisht pengesave për sigurimin e fondeve dhe premtimeve të shkelura për mbështetje, Muzeu i Fëmijërisë së Luftës do të hapet në Sarajevë në dhjetor, ku do të ekspozohen sende personale të personave që kanë qenë fëmijë gjatë konfliktit, thotë drejtori i tij.

Foto: Shutterstock



Jasminko Haliloviq është i lodhur. Me fytyrë të ngrysur, ai pranon se po punon 16-18 orë në ditë në prag të hapjes së Muzeut të Fëmijërisë së Luftës – një ekspozitë të veçantë për të cilën ai ka luftuar shumë që të mbledhë fonde dhe të gjejë një hapësirë të përhershme. Pas një fushate mbledhje fondesh që përfundoi fundjavën e kaluar, si edhe mbledhjen e më shumë se 200’000 dollarëve në financime të pritura ose të sigurta nga donatorë, koleksioni i historive të treguara nga fëmijë boshnjakë të kohës së luftës nëpërmjet objekteve dhe dëshmive personale do të hapet më në fund në mes të dhjetorit.

«Nuk është e drejtë që këto tregime nuk janë treguar më parë», thotë ai për koleksionin të prej më shumë se 3000 objekteve të muzeut, nga të cilat 50 do të tregohen në ekspozitën e përhershme në rrugën Logavina, në qytetin e vjetër të Sarajevës. Është kulminacioni i gjashtë viteve punë për Haliloviqin, që nisi me një ide në vitin 2010 për të dokumentuar përvojat e atyre që ishin fëmijë gjatë luftës në Bosnjë nga viti 1992 deri në vitin 1995.

Historive të tyre nuk u ofrohet një prezantim i kujdesshëm siç ndodh për tema të tjera siç janë historitë ushtarake dhe politikat e luftës, shprehet ai, për të cilat tashmë janë ngritur shumë muze. Pra, duke qenë se brezi i tij arriti një moshë të caktuar, ai planifikoi një lloj të ri projekti. Në vitin 2013, ai botoi librin e tij me 1,000 kujtime nga konflikti boshnjak të titulluar «Fëmijëria e luftës». Secili prej tyre deri në 160 karaktere i gjatë, shumë prej tyre iu dërguan atij në internet – një medium që u shfaq për të nxitur hapjen. «Kur fillova të punoja me librin, disa njerëz që s’i kisha takuar kurrë më dërgonin me email histori shumë intime dhe private. Histori nga dhjetë faqe të diçkaje që u kishte ndodhur atyre». Dhe pastaj në fund ata shkruanin «S’ia kam treguar kurrë askujt këtë gjë», thotë ai.

I dobët dhe i zbehtë, Haliloviq ka sy të mprehtë. «Imagjino nëse takohemi në rrugë. Sa mundësi ka që dikush të të tregojë historinë më private që ai ose ajo ka përjetuar?» pyet ai, duke shqiptuar me mund çdo fjalë. Që atëherë, projekti tashmë është kthyer në një përpjekje mbarëkombëtare për të hapur institucionin e parë kulturor në botë të këtij lloji, jo vetëm me copëza tekstesh, por me histori të treguara nëpërmjet 50 objekteve që fëmijët e luftës kanë mbajtur me vete për vite me radhë. Në vitin 2015, ai mblodhi një ekip përfshirë antropologë, historianë dhe psikologë për të zhvilluar një metodologji – dhe ata filluan të mblidhnin, jo vetëm nga fëmijët e luftës që jetojnë ende në Bosnjë, por ka 35 vende nga e gjithë bota. Muzeu i përhershëm do të plotësohet me ekspozita në vende të ndryshme dhe programe edukimi.

Vetë kontributi i vet Haliloviqit për këtë koleksion – që s’do të ekspozohet në ekspozitën e përhershme, pasi ai dëshiron t’u japë të tjerëve një mundësi për të treguar historitë e tyre – ishte një pecetë të bardhë mbi të cilën një mik i familjes, një piktor, vizatoi një imazh të tij të ulur mbi një biçikletë. «Nga brezi im, ne s’kemi shumë fotografi të kohës së luftës. Për shembull, unë kam vetëm tri fotografi nga ato vite lufte», thotë ai.

«Është gjithashtu personale, sepse ai ishte mik i familjes time dhe humbi të birin gjatë luftës. Ai më vizatoi mua dhe… Nuk e di. Më pëlqen». Projekti ka lulëzuar në mënyrë organike, thotë Haliloviq, pasi ai dhe ekipi i tij kanë punuar shumë për të ndërtuar besimin e nevojshëm që boshnjakët të japin sendet e tyre që i kanë mbajtur me vete dhe gëzuar për më shumë se 20 vjet. Në një vend ku besimi publik në institucione është i ulët, ai beson se mbledhja e një koleksioni të tillë s’do të kishte qenë e mundur pa mjetet e epokës dixhitale, ose ndjenjën e mbajtjes së premtimit që krijoi libri i tij. Disa njerëz u desh të konsultoheshin me të afërmit dhe madje me lagje të tëra nëse duhet të jepnin apo jo objektet e tyre të çmuara.

«Njerëzit nxorën nga kuletat e tyre gjëra që i kishin mbajtur me vete për 20 vjet dhe tani ata po i japin ato për koleksionin. Imagjinoni pak besimin që duhet të kesh për ta bërë këtë», thotë ai. Haliloviq shpjegon se shpesh ka një përfitim për pjesëmarrësit. «Njerëzit ndonjëherë thonë se pasi dhanë këtë kontribut, ata mundën të flisnin për eksperiencat e tyre me të afërmit dhe të mblidhnin informacione», thotë ai. Në këtë mënyrë, ato që shpesh janë kujtime intensive të vështira dhe personale mund të bëhen në gjëra «më të menaxhueshme». Kjo është pjesë e misionit social të muzeut, thotë ai. Për shkak të qasjes së tij gjithëpërfshirëse – tregimi i historive sesa rekomandimi i një versioni të historisë, gjë që në Bosnjë shpesh ushtruar si një mjet politik – projekti ka gëzuar mbështetje gjithnjë e më të fortë publike.

Një vulë e miratimit erdhi në një formë të papritur ndërsa Zhelezniçar FC, një ekip futbolli në Sarajevë, hapi një banderolë të madhe në një ndeshje futbolli ku shkruhej: «Kërkojmë hapjen e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës». Një ekspozitë dhjetë ditore e mbajtur në maj në Muzeun Historik të Sarajevës tërhoqi më shumë se 4000 njerëz, dhe disa objekte – përfshirë një palë puante baleti – u bënë temë diskutimesh për vizitorët. Puantet i përkisnin një banoreje nga Sarajeva që quhej Mela, e cila ishte tetë vjeçe kur filloi rrethimi i qytetit nga forcat serbe të Bosnjës në vitin 1992.

Lufta i dha fund ëndrrave të saj për t’u bërë prima balerina, por një video ku ajo është duke kërcyer do të jetë e mundur në aplikacionin për celularë që shoqëron ekspozitën e re dhe të përhershme. Puna rinovuese filloi në shtator dhe Haliloviq thekson se muzeu po paguan një tarifë prej 2000 markash boshnjake në muaj për hapësirën. Edhe pse ka skema zbritjeje të qirave për institucionet fetare dhe kulturore, Muzeu i Fëmijërisë së Luftës nuk arriti ta siguronte këtë ulje për shkak të «disa pengesave» që Haliloviq shpreson se do të zgjidhen së shpejti. Ai thekson se vetëm dy për qind e buxhetit të projektit është përmbushur nga autoritetet boshnjake, pavarësisht se «u premtua 50 për qind e tij».

Nëntëdhjetë e pesë për qind është mbuluar nga donatorë amerikanë, veçanërisht nga Ndihma Ndërkombëtare për Demokraci, Shërbimet Lehtësuese Katolike dhe ambasada amerikane. Një fushatë Indiegogo që përfundoi fundjavën e kaluar siguroi 8,800 dollarë nga 40’000 dollarë që duhen për financimin e të gjithë muzeut. Ai nuk priste kurrë që nga mbledhja e fondeve të arrihej shuma prej 40’000 dollarësh, duke qenë se ky është një fenomen relativisht i ri për Bosnjën, por qëllimi ishte gjithashtu të nxitej një ndjenjë pronësie publike dhe angazhimi me muzeun. Ai gjithashtu nuk donte të dëmtonte imazhin e organizatës duke e promovuar atë më shumë seç duhet nëpërmjet thirrjeve të përsëritura në Facebook.

«Kemi të bëjmë ende me një temë të ndjeshme dhe donim ta bënim këtë me pak dinjitet», shpjegon ai. Përsa i takon pjesës së munguar të buxhetit, Haliloviq shpreson që Kantoni i Sarajevës do të përmbushë një premtim mbështetjeje që ai premton se u bë nga një buxhet i miratuar në dhjetor. Drejtori i ri i artikuluar i muzeut mendon se niveli i besimit i vendosur tek ai nga pjesëmarrësit boshnjakë duhet të përmbushet me përgjegjësi nga ana e tij. Në disa raste, procesi ka qenë rraskapitës – sidomos gjatë periudhës dy-vjeçare gjatë së cilës ai mblodhi kujtime për librin e tij. «Ishte emocionalisht sfiduese, sepse në atë kohë nuk kisha një ekip, isha vetëm», thotë ai.

Tani kjo është një punë shumë e lodhshme, e shoqëruar kryesisht me ditë të gjata pune dhe frustime sepse duhet të merresh edhe me detajet më të vogla të fundit. Ai hoqi dorë nga planet e tij për të vazhduar doktoraturën për të realizuar projektin e muzeut, por këmbëngul se nuk dëshiron të përqendrohet te vetë sakrificat e tij. «Ndonjëherë mendoj se ndoshta kjo bëri që të hiqja dorë nga disa mundësi të tjera, por mendoj se ia vlen. Ndoshta do ta bëja përsëri», thotë ai. «Mendoj se ndoshta është gjëja më e rëndësishme që unë dhe anëtarë të tjerë të ekipit do të bëjmë në jetën tonë», shton ai me zell. Dhe ai nuk është ende tepër i lodhur për të menduar për hapin e radhës. Hapja e muzeut mund të jetë vetëm fillimi.

Haliloviq shpreson të zhvillojë ekspozita lëvizëse dhe muze të përhershëm edhe në vende të tjera – «një institucion ndërkombëtar që punon jo vetëm në Bosnjë, por edhe në mbarë botën». Me një vështrim të vendosur, ai këmbëngul se vendi do ta ketë gati Muzeun e tij të Fëmijërisë së Luftës deri në fund të vitit 2016. «Duhet ta bëj. Duhet ta mbaroj. Tashmë u bënë gjashtë vite që punoj për të dhe do të arrij ta mbaroj».

(Botuar fillimisht nga: https://www.reporter.al/muzeu-boshnjak-i-femijerise-se-luftes-prane-hapjes-se-tij/)