«Muzë», nga Mjellma Goranci Firzi dhe Flaka Goranci, do të mbahet sonte në kuadër të «FemArt» [video]

«Muzë» është titulluar projekti artistik i cili ka bërë bashkë artistet Mjellma Goranci Firzi dhe Flaka Goranci.




Ekspozita personale e piktores dhe koncerti i mezzosopranos do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Kosovës në kuadër të festivalit «FemArt» i cili ka nisur të mërkurën mbrëma në Prishtinë.

Në një intervistë për emisionin «Express» të KTV-së të dyja janë artistet janë shprehur të nderuara që janë pjesë e festivalit i cili promovon artin e krijuar nga artistet femra.

Duke qenë se janë familjare, ideja për një bashkëpunim të tillë ka qenë e kamotshme.

«Duke parë që Mjellma në pikturat e saj paraqet figurën e femrës shumë madhështore më erdhi ideja që mund të përzgjedh në repertor vepra të kompozitorëve që u kanë kushtuar grave, të dashurave të tyre të cilat kanë qenë muzë për kompozitorët» ka thënë mezzosopranoja Flaka Goranci.

Goranci e përcjellë me piano nga Njomza Kastrati do të interpretojë vepra të kompozitorëve të tillë si Alma Mahler, Gustav Mahler, Clara Schumann, Robert Schumann,Kurt Weill, Georg Gershwin, Luciano Berio, Francis Poulenc dhe Pirro Çako.

«Muzë» është ekspozita e dytë personale e artistes Mjellma Goranci Firzi.

«Kjo ekspozitë ka një rëndësi të veçantë për mua pasi që kam punuar një kohë të gjatë. Unë si gjithnjë i pikturoj të bukurës, figurës së femrës, të cilën e paraqes shumë krenare, shumë sakrifikuese, madhështore» ka thënë Goranci Firzi.

Shfaqje teatrale, filma dokumentarë dhe të shkurtër, lexim skenik, punëtori, ekspozita, performanca, promovim librash, poezi, muzikë, panele diskutimi, koncerte, punëtori dhe forma të tjera të artit të krijuara nga artistet dhe aktivistet nga Kosova, rajoni, Evropa dhe Amerika do të shpalosen deri më 12 të këtij muaji, në kuadër të festivalit «FemArt».

Festivali u hap me perfromancën teatrale, «Krisjet janë ashtu siç hyn drita», me regji të Deirdre Morris, nga ShBA-ja, e cila erdhi premierë në Kosovë. Pas saj, u lexuan poezi, për të vazhduar më pas me hapjen e ekspozitës së artistes hungareze Salome Kokoladze, «Qenia proteine, bota sterile».