Mustafa thotë se fëmijët janë prioritet i Qeverisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e radhës të Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve që funksionon në kuadër të Qeverisë së Kosovës, njofton kumtesa nga Kryeministria, transmeton Koha.net.

Mustafa shprehu përkushtimin e tij personal dhe të Qeverisë së Kosovës për fëmijët e Kosovës, të cilët, siç u shpreh kryeministri, përfaqësojnë realitetin e sotëm dhe të ardhmen e suksesshme të vendit.

«Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë vazhdimisht përparime në punën e saj drejt vendosjes së fëmijëve në listën e prioriteteve dhe këtë e kemi bërë edhe përmes Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit 2018-2021, ku të gjitha shtyllat tematike të saj në mënyrë direkte apo indirekte orientojnë përpjekjet e Qeverisë drejt zhvillimit të infrastrukturës arsimore, shëndetësore, rritjen e sundimit të ligjit, si dhe zhvillimin e infrastrukturës tjetër të nevojshme për qëndrueshmëri të vendit tonë», tha kryeministri.

Më tutje Mustafa bëri të ditur se Qeveria po bën përpjekje që Kosovën ta bëjë një nga vendet më të mira në aspektin e mirëqenies së shëndetshme të fëmijëve, në mënyrë që ata të zhvillohen si potencial i plotë i ardhmërisë.

Kryeministri Mustafa, theksoi se investimet në fëmijë, në shëndetin, ushqyeshmërinë, zhvillimin dhe edukimin social e emocional dhe në arritjen e barazisë gjinore, janë investime në shoqërinë demokratike dhe investim ekonomik me vlera të mëdha të kthimit të këtyre investimeve.

Duke vlerësuar punën e Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve në shpalosjen e planeve konkrete drejt përmbushjes së objektivave strategjike qeveritare dhe përmirësimit të treguesve për të drejtat e fëmijëve, kryeministri kërkoi që prioritetet, konkluzionet dhe rekomandimet e këtij takimi të trajtohen me kujdes dhe që rekomandimet të shndërrohen në veprime dhe të futen në planet e tyre.

Kryeministri Mustafa falënderoi organizatat ndërkombëtare dhe UNICEF-in për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre në këtë fushë si dhe organizatat joqeveritare për punën përmbajtjesore që po e bëjnë për zhvillimin dhe ardhmërinë e Kosovës.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, theksoi angazhimet e Ministrisë së Arsimit drejt ofrimit të arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës për të gjithë fëmijët e Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, paraqiti disa nga aktivitetet që kanë për qëllim ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për fëmijët dhe ofrimin e shërbimeve të sigurta.

Laila Omar Gad, shefe e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, përgëzoi Grupin Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, ngase siç tha ajo, ky është vend ku mund të diskutohet progresi, sfidat dhe të arrihet pajtueshmëri mbi prioritetet për të vazhduar promovimin e realizimit të të drejtave të fëmijëve në Kosovë.

Duke folur për situatën e përgjithshme të fëmijëve në Kosovë, znj. Omar Gad, theksoi se rezultatet të cilat kanë dalë nga viti i kaluar tregojnë se njohuria mbi të drejtat e fëmijëve është ngritur shumë në Kosovë.

Sipas saj të dhënat tregojnë se në Kosovë është shënuar progres në shumë fusha, por theksoi se të dhënat po ashtu dëshmojnë se ka pabarazi, sidomos për fëmijët e komuniteteve romë, ashkalinjë dhe egjiptianë.

Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, foli për strategjinë dhe planin e veprimit për të drejtat e fëmijëve, duke përmendur punët që janë kryer në këtë drejtim.