Mustafa tenton të shfajësohet për Marrëveshjet, ia kujton AAK-së se e votoi në Kuvend

Kryeministri Isa Mustafa, përmes profilit të tij në Facebook, i është drejtuar qytetarëve të Kosovës duke shprehur bindjen se për arsye thjesht politike opozita por edhe një pjesë e shoqërisë civile dëshiron të adresojë përgjegjësinë te ai si kryeministër i vendit dhe te Qeveria, për Parimet e Përgjithshme për Asociacionin.




“Ata dëshirojnë të shlyejnë nga kujtesa se Kuvendi i Republikës së Kosovës më 27 Qershor të vitit 2013 ka aprovuar Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të Planit të Zbatimit për këtë Marrëveshje.
Prej 88 deputetëve sa kanë votuar, 84 kanë votuar për këtë Ligj, 3 kanë votuar kundër dhe një ka abstenuar. Ndër ata që kanë votuar për këtë Ligj kanë qenë edhe 15 deputet të LDK-së, e cila atëherë ishte në opozitë, dhe 8 deputet të AAK-së, e cila po ashtu ishte në opozitë”, ka thënë Mustafa.
Më tej Mustafa thotë se në pikën e parë të Marrëveshjes e cila është ratifikur me Ligj me 2/3 e dyfishta të deputetëve thuhet se “Do të krijohet një Asociacion/Bashkësi e komunave me shumicë Serbe në Kosovë. Anëtarësia do të jetë e hapur për çdo komunë tjetër nëse anëtarët janë në pajtim”.

“Në pikën 4 të kësaj Marrëveshje thuhet: ‘Në përputhje me kompetencat e parapara me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale dhe ligjin e Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë në ushtrimin kolektiv të kompetencave të tyre përmes Bashkësisë/Asociacionit. Asociacioni/Bashkësia do të ketë vështrim të plotë mbi fushat si zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia, planifikimi urban dhe rural”. Janë edhe katër pika të tjera të cilat i destinohen Asociacionit në atë dokument. Prandaj, dua të nënvizoj se, për krijimin e Asociacionit është vendosur me Ligj më 27 Qershor të vitit 2013, jo më 25 gusht të vitit 2015”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë se ata që sot kërkojnë të tërhiqet nënshkrimi, duhet ta dinë se deputetët e tyre e kanë dhënë votën për këtë Asociacion, me ratifikimin e Marrëveshjes së Parë me Ligj.
“Prandaj, ata që kërkojnë tërheqje të nënshkrimit, kërkojnë moszbatim të Ligjit për ratifikim të marrëveshjes ndërkombëtare. Dhe rrjedhimisht, të drejtën për të kërkuar moszbatim të Ligjit nuk e ka askush në këtë vend”, ka thënë Mustafa.
“Unë ftoj opozitën për qasje konstruktive. Ligji vlen për të gjithë, për pozitën dhe opozitën, për qytetarët dhe për shoqërinë civile. Unë konsideroj se çdo gjë është bërë sipas Marrëveshjes së ratifikur me Ligj, është bërë sipas ligjeve të Kosovës dhe sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Por do të jetë Gjykata Kushtetetuese ajo që përfundimisht do të japë mendimin e saj”, ka thënë më tej Mustafa.